Përmbledhja e dytë nga zhvillimet e protestës së sotme

14 Jan 2012

Sot, më 14 janar, aktivistë dhe qytetarë të shumtë janë nisur për të bllokuar paqësisht pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë.


Përkundër ndalesave të shumta nga Policia e Kosovës, mijëra protestues kanë arritur në afërsi të pikave kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë. Policia e Kosovës ka vendosur shumë pika kontrolli me qëllim që të vështirësojë dhe të vonojë protestuesit që t’i bashkohen protestës paqësore.


Gjithashtu, autoritetet kufitare kanë provuar të ndalojnë ardhjen e mbështetësve të protestës nga Tirana, por ata kanë qëndruar në zonën neutrale për disa orë. Vendosmëria e tyre ka bërë që autoritetet kufitare t’iu lejojnë hyrjen në Kosovë, dhe ata, tani, janë duke udhëtuar për t’iu bashkangjitur protestës. Derisa një grup i mbështetësve të protestës nga Maqedonia janë kthyer në pikën kufitare në Glloboqicë, pjesa tjetër e tyre kanë kaluar pikën kufitare në Han të Elezit dhe i janë bashkangjitur protestës te Dheu i Bardhë.


Rreth orës 14:00 afërsisht 3000 protestues janë mbledhur në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë.  Ata kanë arritur të bllokojnë në mënyrë paqësore njërën korsi të rrugës për të zbatuar reciprocitetin dhe vazhdojnë protestën.


Rreth orës 12:00 Policia e Kosovës ka filluar intervenimin e dhunshëm ndaj protestuesve në Besianë, të cilët ishin të ulur në tokë. Policia ka sulmuar protestuesit paqësor duke përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topa uji. Gjithashtu policia kanë ushtruar edhe dhunë fizike ndaj protestuesve, duke përdorur shufrat e gomës. Është konfirmuar që katër protestues janë në QKUK. Ata janë: Hysen Kaqiku (1958), Besfort Morina (1988), Alban Jupolli (1991) dhe Burim Hoqa (1983).


Gjatë intervenimit kujdestarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë punuar vazhdimisht për të mbajtur nën kontroll protestuesit, duke iu bërë thirrje që të mos reagojnë ndaj provokimeve të policisë.


Deri më tani, kemi informacione se janë arrestuar rreth 50 protestues, por ne i kemi vetëm emrat e tetë prej tyre:


1.    Hysen Durmishi,


2.    Salih Zyba,


3.    Gani Krasniqi,


4.    Naser Shatri,


5.    Fisnik Ismajli,


6.    Blerim Manqastena,


7.    Durim Jasharaj,


8.    Skender Merturi.


Përkundër tentimit të Qeverisë për të ndaluar protestën paqësore në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë, protestuesit nuk janë zmbrapsur.


Në këto momente, protestuesit në Besianë janë riorganizuar dhe po vazhdojnë protestën paqësore.


Lëvizja VETËVENDOSJE! iu bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës që t’ia marrim Serbisë pushtetin në Kosovë. Gjithashtu i bëjmë i thirrje Policisë së Kosovës që të mos zbatojnë urdhrat e padrejtë të Qeverisë së Thaçit, por vendimin e drejtë të Kuvendit.




Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera