Serbia nuk kalon!

06 Jan 2012

Serbia nuk është shtet normal karshi Kosovës. Ajo është shtet armik dhe kriminal. Dhe këtë jo vetëm karshi Kosovës por karshi të gjithë fqinjëve të saj. Politika hegjemoniste e Serbisë nuk përfundon me ndryshimin e politikanëve në pushtet. Ajo vetëm ripërtërihet. Dhe me Boris Tadiç kjo hegjemoni dhe politikë kundërshqiptare ka pësuar një ripërtëritje të fuqishme.


Boris Tadiç, si president i Serbisë, është kulmi aktual i kësaj politike. Kjo politikë refuzon kategorikisht t’ia njohë të drejtën për vetëvendosje popullit të Kosovës, e rrjedhimisht të drejtën e Kosovës për shtetësi e sovranitet. Meqenëse nuk e njeh, Tadiç dhe Serbia e tij e luftojnë këtë pavarësi dhe minojnë mundësinë për sovranitet. Strukturat ilegale të Serbisë, me tërë historikun e bujshëm të krimeve kundër Kosovës dhe shqiptarëve, janë struktura të shtetit të Serbisë së Tadiçit. Ato kanë vrarë qytetarë të Kosovës e kanë uzurpuar prona publike e private në pjesë të ndryshme të vendit. Ata kanë vrarë policë të Kosovës, kanë djegur pikat doganore e kufitare të Kosovës, e pengojnë shtrirjen e institucioneve tona në tërë territorin e Kosovës, dhe i pengojnë shqiptarët të kthehen në pronat e tyre. Në vend se të jenë në burg këto struktura financohen nga Serbia, mbrohen politikisht nga Tadiçi, dhe tolerohen nga Hashim Thaçi e Bajram Rexhepi.


Serbia e Tadiçit refuzon kategorikisht t’ia kthejë Kosovës librat kadastralë dhe regjistrat civil të cilat i ka vjedhur Millosheviçi. Serbia e Tadiçit asnjëherë nuk kërkoi falje për krimet e kryera nga ushtria e policia serbe në Kosovë. Serbia e Tadiçit kur nuk foli për kthimin e parave të vjedhura nga qytetarët e Kosovës në formën e fondit pensional, kursimeve bankare, parave të gatshme të shqiptarëve të cilat policia e Serbisë ua vidhte për çdo ditë. Kur flet për Kosovën Tadiçi nuk kërkon falje e as nuk pendohet. Kur flet për Kosovën ai kërkon ta mbajë vendin tonë nën pushtimin serb, dhe të na dëbojë ne gradualisht nga këtu për ta realizuar synimin hegjemon të politikës së tij për ‘Kosovën serbe’.


Pak para se të vijë në Kosovë, Tadiçi, e ka shpalosur planin e tij për zgjidhjen e asaj që ai e quan problemi i Kosovës. Në këtë plan, Tadiç tregon se nuk do ta njohë Kosovën kurrë, dhe se kërkon zgjidhje të veçante për veriun, të drejta shtesë për serbët e komunave të Ahtisaarit, mbrojtje të pronës për serbët dhe Serbinë (duke përfshirë këtu edhe pronën koloniale që u është dhënë serbëve nëpër faza të ndryshme të kolonizimit të Kosovës) si dhe ngurtësimin juridik të uzurpimit të trashëgimisë sonë kulturore. Kërkon më shumë gllabërim territorial, më shumë vjedhje pasurish, përjetësim të uzurpimit të trashëgimisë kulturore e historike. Dhe me të gjitha këto më shumë kontroll mbi Kosovën. Pra, një Millosheviç i ri. 


Në buxhetin e vitit 2012 Qeveria e Tadiçit i ka shtuar mjetet për Kosovën për 970 mijë euro. Në këtë vit Serbia do të shpenzojë plot 45 milionë euro për strukturat e saj ilegale. Kjo tregon për planin kriminal të Tadiçit dhe për mjetet e zbatimit të tij në të ardhmen.


Kjo politikë duhet ndalur. Prandaj duhet ndalur Tadiçi. Ai nuk ka të drejtë të vijë në Kosovë. Ardhja e tij në Kosovë është politikë. Edhe nëse nuk flet fare, ai ecë politikë. Tadiçi vjen në Kosovë dhe viziton manastiret ortodokse jo për shkak të ndonjë sensi të theksuar religjioz, por për ta paraqitur, edhe përmes imazhit, planin e tij politik për Kosovën. Pra, vjen në Deçan e Pejë jo për t’iu falur Zotit, por për t’iu treguar njerëzve se ai i konsideron këto të Serbisë. 

Me 6 janar ne dolëm në rrugë për ta ndalur Tadiçin. Qeveria e Kosovës nxorri policinë në rrugë për të na ndalur ne dhe për t’ia hapur rrugën Tadiçit. Ne e ndalëm Tadiçin për ta ndalur Serbinë. Hashim Thaçi na ndali ne për ta lejuar Tadiçin e Serbinë. Tadiç duhet të ndalet sepse kështu ndalet politika dhe plani i tij. Serbia nuk duhet të kalojë. Serbia nuk kaloi sot, derisa Qeveria e Kosovës ia hapi rrugën. 


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera