Incidentet gjatë zhvillimit të aktiviteteve “Mandati i fundit”

15 Dec 2011

Denoncimi nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të  keqpërdorimeve nga pushteti vendor ka shkaktuar sot panik e tension në radhët e pushtetarëve lokal e mbështetësve të tyre.


Gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve në disa komuna ka pasur raste të presionit, fyerjeve dhe kërcënimeve serioze nga zyrtarët e Komunave, strukturave formale e informale të pushtetit dhe nga zyrtarë të policisë.


Incidenti në Drenas


Duke e parë interesimin tejet të madh të qytetarëve për ta vizituar ekspozitën tonë, pushtetarët e Komunës së Drenasit organizuan disa persona për të na ndërprerë ekspozitën. Katër persona, ku njëri nga ta është vëllai i truprojës së Hashim Thaçit, Bashkim Demiçi, sulmuan në mënyrë brutale kryetarin e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Petrit Bajraktarin dhe aktivistë të tjerë.


Përveç kësaj këta persona të afërt më pushtetarët e Komunës i demoluan të gjitha fotografitë që ishin në ekspozitë. Vlen të theksohet se për ta zhvilluar ketë aktivitet qendra jonë kishte njoftuar drejtorinë përkatëse në Komunë dhe kishte njoftuar policinë në kohën e duhur.


Incidenti në Rahovec


Deklarata e Azbi Gashit, aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qendrën e Rahovecit.


Menjëherë pas hapjes së ekspozitës, më ka telefonuar një zyrtar komunal dhe ka kërkuar më këmbëngulësi që të takohemi. Jam takuar me Ymret Reshitin, kemi biseduar rreth ekspozitës. Ai ka kërkuar që ta ndërpresim ekspozitën, por unë kam refuzuar. Më vonë kanë ardhur edhe zyrtarë të tjerë komunal, për të parë se çfarë foto kemi ekspozuar.


Njëri ndër ta ka qenë Isak Hoti, i cili ka kërkuar me çdo kusht që të ndërpritet ekspozita, dhe ka filluar me kërcënime të tilla si: “Unë i hjeku edhe i shkyej këto foto, unë të lidhi për kerri edhe të ngrehu zhag nëpër qytet. A e din se edhe të vras, di edhe me të shti në valle...”. Ky  ka vazhduar me fyerje e sharje banale dhe e ka mbyllur në fund me atë se “..e sheh se kush jam unë”.


Incidenti në Vushtrri


Gjatë aktivitetit “Mandati i fundit” në Vushtrri, disa policë kanë shkuar pranë ekspozitës dhe ua kanë marrë letërnjoftimet aktivistëve, në mënyrë që ta pengojnë zhvillimin e këtij aktiviteti. Edhe në Vushtrri, ashtu si në të gjitha Qendrat tjera ku po mbahet ky aktivitet, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë njoftuar paraprakisht organet komunale dhe policinë për aktivitetin.


Rreth orës 11.00 ka ardhur një patrullë e  Policisë së Kosovës e cila i ka kërkuar letërnjoftimin e Sekretarit Organizativ, Sheremet Halili e më pas i kërkoi dhe shënimet e vendbanimit. Togeri i policisë i quajtur Eshref i ka thënë Sekretarit Organizativ se nuk është kërkuar leje për ekspozitën. Pas përgjigjes që vërtetonte të kundërtën e pretendimit të  togerit, ky i fundit i është drejtuar me këto fjalë: ti je ai që i ke zhvendosur flamujt më 28 Nëntor? Ende s’të kemi ngritur padi për atë çështje.


Policia qëndroi afër ekspozitës për rreth gjysmë ore duke shkaktuar kështu presion mbi qytetarët të cilët ishin aty për të parë fotot e shënimet mbi to rreth keqpërdorimeve të komunës.


 

Incidenti në Dardanë


Tre  punëtorë  të administratës  komunale kanë shkuar në vendin ku po mbahej ekspozita dhe  kanë provokuar aktivistët e qytetarët. Njëri  prej tyre  Refik Berisha (referent) ka grisur një pano  në të cilën paraqitej një projekt i ujësjellësit në fshatin Koretin i cili ende nuk është përfunduar edhe pse ka katër  vite  që  mbi  300.000 euro janë dhënë për të. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e kanë ndaluar dhe po ashtu e kanë larguar nga vendi i ekspozitës duke evituar edhe konfliktin fizik.


Mësohet se zyrtari komunal ishte nga radhët e LDK-së.


 

Incidenti në Klinë


Në kohën që aktivistët në Klinë kanë filluar të vendosin fotografitë e ekspozitës, ka ardhur një veturë e policisë, kanë pyetur nëse ka leje për këtë aktivitetet apo jo. Pavarësisht përgjigjes së aktivistëve se është njoftuar policia dhe komuna me kohë, ata na fotografuan dhe u larguan. Pas më pak se 30 minuta të njëjtën policë u rikthyen dhe fotografuan vendin tnga janë vendosur fotografitë dhe u deklaruan se: “Nuk ban m’i vendos” fotografitë.


Në ora 14:10 dy inspektorë të Komunës  erdhën në ekspozitë dhe pyetën sërish a është marrë leja për aktivitetin, dhe më pas kërkuan që të hiqej nga ekspozita tavolina ku po kryheshin anëtarësime  të reja në qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë. Ata donin ta hiqnin tavolinën e regjistrimeve me arsyetimin se nuk është e lejuar që të kryhen aktivitete politike në rrugë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera