Fiu, fiu po t’frynë….veriu!

24 Oct 2011

Sot, më 24 tetor, në konferencën “Liberalizimi i vizave”, mbajtur në Kolegjin ISPE në Prishtinë,  ku panalistë ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe ambasadori francez, Jean Francois Fitou, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë kritikuar Ministrin Bajram Rexhepi për papërgjegjësinë e tij për të vepruar në veri të vendit, duke e shpalosur banerin “Fiu, fiu po t’frynë….veriu!  dhe duke shpërndarë fletushka me të njejtën përmbajtje ku thuhej:


1. Bajram Rexhepi flet për veriun e vendit nga pozita e spektatorit. Herën e fundit ai tha: “Një ditë do t’i vijë fundi durimit të KFOR-it”. Rexhepi flet sikur të ishte zëdhënës i KFOR-it. Mungesa e veprimit e bën atë zëdhënës e jo ministër.


 

2. Bajram Rexhepi bën shaka kur pyetet për shqiptarët e rrezikuar në veri nga bandat serbe, ndërsa ai vetë nuk ka qenë në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës që nga 12 shkurti i vitit 2008.


3. Ai bën shaka me sigurinë e qytetarëve, por kujdeset mirë për sigurinë e tij dhe të Qeverisë së tij. Xhipat e blinduar, eskortat e truprojat sigurojnë ata nga qytetarët e pasigurtë. Siguria e kësaj Qeverie bie ndesh me sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e vendit.


4. Bajram Rexhepi është i papërgjegjshëm. Ai thërret aksione me SMS por nuk është në gjendje të arrestojë kriminelët që vranë policin Enver Zymberi.


5. Bajram Rexhepi është një frikacak i pashpresë. Tashmë i kemi parë bëmat e tij. Kur ai vepron e keqëson gjendjen, e kur flet shpërfaq mungesën e veprimit të duhur.


Gjatë aksionit kanë ndërhyrë truprojat e ministrit Bajram Rexhepi, rojet e Kolegjit dhe policia, të cilët kanë aplikuar dhunë të vrazhdë ndaj aktivistëve, duke i lënduar ata. Në dhunë e sipër ata kanë thyer edhe xhamin e derës së kolegjit.  Deri më tash 9 aktivistë janë të ndaluar. Ata janë:


- Krenare Krasniqi


- Gëzon Kastrati


- Pajtim Demaj


- Etleva Malushaj


- Genc Sherifi


- Frashër Krasniqi


- Adonis Tahiri


- Valdrin Ahmeti


- Zgjim Hyseni


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera