Gabimet e rënda meritojnë kritikë të ashpër!

21 Sep 2011

Sot, më 21 shtator, rreth ores 16:00, në afërsi të fshatit Lupç, në magjistralen Besianë Prishtinë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmori një aksion kundër mauneve me mallra të Serbisë. Me këtë rast aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! shkarkuan mallin, i cili ishte prodhim i “Centro Proizvod”nga Beogradi dhe më pas e rrotulluan maunen, për ta bërë të palëvizshme.


Marrëdhënia e re e gjithsesi shumë e vjetër që po na imponohet, “Tregtia e Lirë” midis nesh dhe Serbisë, vendit që nuk na njeh as të drejtën për të ekzistuar, është e dëmshme dhe e gabuar.


Indiferenca e Qeverisë së Kosovës e detyron qytetarin të angazhohet vetë në mbrojtje të mirëqenies së tij, në mbrojtje të konceptit dhe parimeve të së drejtës, që po shkelen në emër të ca normave formale, që edhe kësaj radhe po na imponohen prej të tjerëve, pa marrë parasysh cilat janë nevojat urgjente të atdheut e të popullit tonë.


Aksioni ynë i kundërvihet kësaj “Tregtie të Lirë” me Serbinë për arsyet e mëposhtme:


1.    Nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare pa patur marrëdhënie politike. E nuk mund të ketë marrëdhënie politike para se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që nënkupton së pari një kërkesë falje, së dyti reparacion të dëmeve të luftës, së treti kthimin e të humburve. Të bësh tregti të lirë me dikë që nuk të njeh ekzistencën, që nuk pranon të drejtën tënde për të qenë komb e shtet, do të thotë të bësh pazar me shtypësin e vjetër, që kurrë nuk ka premtuar se nuk do të jetë edhe shtypës i ri.


2.    Nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare me një vend agresor, i cili mban në jetë e në aktivitet struktura kriminale që kanë marrë peng një pjesë të territorit tonë, duke e shndërruar në fole të kontrabandës, krimit të organizuar dhe terrorit për vetë qytetarët e asaj krahine. Duke blerë mallrat e Serbisë qytetarët e Kosovës në fakt po financojnë edhe armët e plumbat që kriminelët serbë po përdorin në mbështetje të qëllimeve të tyre territoriale ndaj Kosovës. Duke blerë mallra të Serbisë ne i ndihmojmë atyre të mbajnë në këmbë, me para e me logjistika, strukturat ilegale që na i pamundësojnë zhvillimin.


3.    Edhe në logjikë ekonomike, “Tregtia e Lirë” midis nesh dhe Serbisë nuk na leverdis. Asgjë nuk përfitojmë ne prej saj, vetëm humbasim. I vetmi përfitues është Serbia, e kjo është e padrejtë. Brenda një dite të vetme qindra maune prej Serbisë hyjnë në Kosovë, ndërsa tre kamionë të vetëm prej Kosovës që u nisën për Serbi, janë ndaluar. Ne pranojmë mijëra ton mallra me dokumentin e Republikës së Serbisë, e ata nuk i kanë pranuar as tre kamionë me dokumentacion të UNMIK-ut. Ky është shfrytëzim i drejtpërdrejtë dhe përmes kësaj marrëdhënie, Kosova po varfërohet. Emri më i përshtatshëm i këtij shkëmbimi do të ishte “Tregti e pabarabartë dhe e imponuar”, dhe jo “Tregti e Lirë”. Duke pranuar mallrat e Serbisë produkti vendor dobësohet, e dalëngadalë vdes, duke pranuar mallrat e Serbisë qytetari jonë kthehet në klient dhe konsumator të kompanive të nje vendi që kurrë nuk na ka lejuar të zhvillohemi ekonomikisht. Ky lloj i shkëmbimit tregtar e shndërron Kosovën e sotme në një koloni tregtare të Beogradit, koloni moderne që nuk ndryshon shumë prej kolonisë klasike, që ishim dje.


4.    Së fundi, ne jemi kundër “Tregtisë së Lirë” me Serbinë, dhe e dëshmojmë këtë përmes aksioneve tona sepse ne kemi besim të plotë te potenciali ekonomik i Kosovës, te potenciali i prodhuesve vendorë, për të prodhuar me përgjegjësi mallra cilësore. Kjo nuk ka ndodhur masivisht deri më tani,sepse prodhuesit tanë janë diskriminuar në raport me tregtarët e mallërave të Serbisë. Asnjëri prej shteteve europiane, as vetë SHBA, vende të cilat përfaqësojnë aspiratën tonë për mirëqenien e qytetarëve, nuk është zhvilluar ekonomikisht pa i mbrojtur prodhuesit e vet, pa i mbrojtur konsumatorët e vet. E për më tepër, asnjëri prej këtyre vendeve nuk bën “Tregti të Lirë” me shtete agresore, me shtete të cilat nuk i njohin politikisht. Me të tilla raste historia e viteve të fundit është e mbushur plot, e prej historisë nuk mund të mos nxjerrim mësime.


Sot, dhe sa herë të mundemi, ne do të bëjmë gjithë çka mundemi që ta parandalojmë “Tregtinë e Lirë” me Serbinë, apo më mirë, invazionin tregtar që po na imponohet pa marrë parasysh vullnetin tonë politik. Aksioni ynë sot është në konfirmim të kërkesës sonë të vazhdueshme për sovranitet dhe dinjitet, në konfirmim të thirrjes sonë qytetare për të ndihmuar e për të mbrojtur prodhimin vendor. Nëse këtë mbrojtje nuk e ofron qeveria sepse është edhe e paaftë, e padëshiruar, dhe e kompromituar, atëherë ajo le të shkojë, vendin tonë e mbrojmë vetë ne, qytetarët e saj, edhe ekonomikisht, edhe territorialisht!


Duaje tënden! Blej SHQIP!


Bojkotoji produktet e Serbisë!


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera