Përdorni maska – Ferronikeli po na vret!

13 Sep 2011

Fabrika e  “Feronikelit” në Drenas nuk paraqet më mundësi për zhvillim ekonomik dhe social, por rrezik serioz dhe real. Kjo fabrikë nuk rrezikon vetëm shëndetin dhe jetën e punëtoreve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të Drenasit. Ndotja në masë të madhe e ambientit dhe shpërthimet e fuqishme të herëpashershme në furrat e “Ferronikelit” përbejnë shqetësimin kryesor tek qytetarët e komunës sonë.


Komuna e Drenasit, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse po lejojnë që “Ferronikeli” të jetë mbi çdo ligj të aplikuar në vendin tonë. Për me keq Komuna e Drenasit në vend që të bëj presion tek “Ferronikeli” ajo bën presion ndaj qytetarëve që organizojnë protesta dhe forma tjera të qytetarisë aktive. Në çdo protestë që kanë organizuar qytetarët deri më tani për problemin e “Ferronikelit”, kryetari i komunës sonë Nexhat Demaku dhe zyrtarë të  tjerë të lartë në mënyra të ndryshme kanë shantazhuar  organizatorët me qëllim të ndërprerjes së protestave. Kjo lë të kuptohet që zyrtarët e komunës përfitojnë materialisht nga “Ferronikeli” në kurriz të qytetarëve.


Në një situatë të tillë ku mungon përgjegjësia politike e publike e institucioneve lokale dhe qendrore, qytetarëve të Drenasit nuk iu mbetet rrugë tjetër, përveç mobilizimit dhe organizimit të protestave masive. Protestat duhet të jenë të qëndrueshme në kohë dhe koherente në kërkesa.  Duke vepruar me vendosmëri qytetare mund të evitojmë të keqen që vjen nga “Ferronikeli.”


Lëvizja VETËVENDOSJE në  Drenas përkrah fuqishëm kërkesat e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar. Për më tepër Lëvizja jonë me kapacitetet njerëzore dhe teknike që ka do t’i ndihmojë qytetarët e komunës sonë në të gjitha format formale demokratike. Aksioni i sotëm i aktivistëve tanë, ku u vendosën posterë me mbishkrimin “PËRDORNI MASKA! – FERRONIKELI PO NA VRET” në rrethojen e “Ferronikelit”, në hyrje të objektit të Komunës dhe në sheshin e qytetit,  ka për qëllim që të sensibilizojë qytetarët por edhe institucionet për nevojën e reagimit të menjëhershëm  qytetar e institucional.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra  Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera