Takim me bashkatdhetarët në Besianë

28 Aug 2011

Të shtunën, më 27 gusht, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë organizoi një tubim me mërgimtarë.


Në këtë tubim u diskutua për rolin dhe kontributin e shumanshëm të mërgatës shqiptare në të kaluarën, si dhe për rëndësinë që ajo vazhdon ta ketë në funksion të zhvillimit të Kosovës.


Në sallën e filmit në Besianë, para qindra bashkatdhetarëve tubimin e hapi kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Besianë, Ali Lahu. Ai paraqiti një pasqyrë të zhvillimit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë. “Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë e ka shtrirë rrjetin e saj në tërë Kosovën. Njëra nga Qendrat më të mëdha të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, është edhe ajo e Besianës. Dhe që prej themelimit të saj, Qendra jonë ka themeluar 21 pika nëpër fshatra të komunës sonë dhe nëpër lagjet e qytetit të Besianës. Sikur se edhe sot që jemi tubuar këtu me ju, Qendra jonë ka organizuar shumë tubime me qytetarë dhe aktivitetete të tjera dhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare 5000 qytetarë të komunës sonë kanë votuar për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, gjë që për neve paraqet një hap të mbarë në rrugën tonë drejt realizimit të programit tonë të drejtë”, tha Ali Lahu.


Më pas fjalën e mori Sekretari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për marrëdhënie me jashtë, Xhelal Sveçla. Ai ndër të tjera tha se “Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e sheh diasporën vetëm si pjesë tonën që na mbështet duke qenë e obliguar që të dërgojë remitancat tek familjet e tyre. Por ne diasporën e shohim si ambasador të Kosovës nëpër vendet e shoqëritë ku ata jetojnë. Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që shteti i Kosovës duhet t’i krijojë diasporës hapsirën dhe mundësinë e nevojshme, që njohuritë, kulturën, praktikat e mira të punës por edhe idetë për zhvillimin e vendit të ketë mundësi t’i sjellë në Kosovë. Ne besojmë se në këtë fushë ka mundësi dhe hapësirë për të vepruar jashtëzakonisht shumë. Por është e nevojshme sikur se presioni i brendshëm por edhe presioni nga diaspora në mënyrë që në të ardhmen promotor i zhvillimit të Kosovës të jemi ne së bashku me diasporën tonë, kurse faktorët e jashtëm të jenë përkrahës e jo determinues të këtij zhvillimi”.


Ndërsa kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti foli fillimisht për rëndësinë historike dhe aktuale të kontributit të mërgatës sonë. Ai në lidhje me këtë tha se “E kemi brezin e mërgimtarëve tonë që e kanë lëshuar Kosovën në vitet 60-a, atë në vitet e 70-a, në vitet e 80-a; i kemi edhe refugjatët e azilantët e viteve të 90-a dhe i kemi të dëbuarit gjatë gjenocidit të vitit 1999 dhe madje e kemi edhe brezin më të ri të atyre të cilët patën shpresë që pas luftës do të rregullohet situate në Kosovë, ku do të mund të jetojnë me dinjitet e me prosperitet, në Kosovën tonë pa forcat e Serbisë. Por megjithatë për shkak të trysnisë ekonomike, të mungesës së perspektivës, të papunësisë dhe varferisë së madhe, ata u detyruan që edhe pas atij që në mënyrë të popullarizuar u quajt çlirim, ta lëshojnë atdheun. Vëllimi e sasia e gjithë këtyre shqiptarëve del që është diku 1/3 e popullsisë të përgjithshme në Kosovë. Pra përveç rolit cilësor jashtëzakonisht të madh që e ka luajtur mërgata jonë edhe vëllimi i saj dhe sasia e saj është shumë më i madh se sa që mendohet dhe pranohet në Kosovë. Pa mërgatën tonë, pa bashkëatdhetarët tonë nuk do të ishte e mundshme lufta çlirimtare. Në anën tjetër paqja që e kemi sot në Kosovë nuk do të ishte e mundur pa bashkatdhetarët tonë. Janë mbi gjysmë miliardë euro në vit që neve na vinë nga bashkëatdhetarët, të cilët i sjellin paratë në familjet dhe farefisin e tyre dhe kësisoj mundësojne që ndonëse gjendja është shumë e rëndë në Kosovë megjithatë të mos shpërthejë dhe të mos degjenerojë në kaos e në anarki. Nëse vetëm tre muaj bashkëtdhetarët tonë nuk sjellin para nëpër familjet e tyre, gjendja në Kosovë shpërthen. Ata që dikur e kanë mundësuar luftën çlirimtare, sot janë kushti i paqës sociale në Kosovë”.


Albin Kurti në vazhdim shpalosi pjesë të konceptit dhe të programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilat flasin për pikëpamjet e Lëvizjes mbi rolin e mërgatës. “Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE!, në programin tonë i kushtojmë rëndësi të madhe rolit të mërgatës dhe mendojmë që është obligim, është borxh i shtetit të Kosovës ta ndihmojmë mërgatën tonë e cila vazhdimisht e ka ndihmuar dhe po e ndihmon popullin dhe shtetin e Kosovës. Kjo do të mund të bëhej në shumë mënyra. Nëpërmjet lehtësimeve dhe përparësive administrative, bankare dhe tatimore për të gjithë ata bashkëatdhetarë që duan të investojnë në Kosovë. Ndërsa në anën tjetër në aspektin politik nëpërmjet të gëzimit të të drejtave për riatdhesim, të drejtën e votës pa kurrëfar pëngesash procedurale dhe burokratike dhe njëkohësisht nëpërmjet të së drejtës për shtetësi të dyfishtë. Ata që i sjellin gjysme miliardë euro në Kosovë, të kenë këso vështirësish për të votuar në Kosovë, është e padrejtë dhe shumë e dëmshme” tha Albini.


“Prandaj mendojmë që me pushtetin e VETËVENDOSJE!-s të gjitha këto do të korrigjoheshin dhe kësisoj mërgata jonë do ta kishte peshën ashtu siç është e duhur dhe siç është e drejt”, përfundoi Albini.  


Si në çdo tubim të Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe kësaj radhe ju dha mundësia bashkatdhetarëve që gjatë debatit me aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! t’i shprehin idetë dhe propozimet e tyre për përmirësimin e situatës së rëndë në Kosovë por edhe për përmirësimin e gjendjes së diasporës në veçanti.


Mërgimtarët shprehën përkrahjen e tyre për punën dhe programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe kritikuan qeveritë e pasluftës për të cilat thanë se e kanë parë dhe po e shohin mërgatën vetëm si fuqi punëtore, e cila sjell para në Kosovë, duke anashkaluar potencialin intelektual që është zhvilluar për dekada me radhë te shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Besianë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera