Takim me bashkatdhetarët në Prizren

10 Aug 2011

Të mërkuren më 10 gusht, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren mbajti një takim me bashkatdhetarë nga diaspora .


Në këtë tubim u fol për rolin dhe kontributin e shumanshëm të mërgatës shqiptare në të kaluarën, si dhe rëndësinë që vazhdon ta ketë ajo në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.


Tubimin e hapi kryetari i qendrës së Prizrenit, Arbër Rexhaj, i cili pas fjalës përshëndetëse, vuri theksin tek anashkalimi institucional që iu bëhet mërgimtarëve, vështirësitë burokratike që i hasin ata gjatë qëndrimit në Kosovë si dhe plaçkitja që iu bëhet atyre nga qeveria e vendit të tyre, duke i detyruar ata të paguajnë sigurimin shtesë për automjetet  me të cilat hyjnë në Kosovë.


Pastaj, të pranishmëve iu drejtua Afrim Kasolli, i cili u përqendrua tek mungesa e përfaqësimit adekuat në institucione të kësaj kategorie shoqërore. Ai theksoi se krijimi i Ministrisë së Diasporës pa një përfaqësues nga diaspora është tregues se kjo ministri e krijuar nuk është në funksion të përmbushjes së nevojave të bashkatdhetarëve por në funksion të pazareve politike të koalicionit qeveritar. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të përfshihet edhe përfaqësimi institucional i diasporës nëpërmjet vendeve të garantuara në Kuvend.


Ndërsa Visar Ymeri, duke folur më tepër për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, theksoi se nuk ishte policia ajo që dështoi në veri, por ishte politika ajo që e dështoi policinë nëpërmjet veprimeve të pamenduara dhe paplanifikuara më parë, të cilat si rrjedhojë sollën edhe zmbrapsjen. Ai theksoi se prania e KFOR-it në veri pa institucionet e vendit nuk është e mjaftueshme për shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të vendit, sepse shtrirja e sovranitetit shtetëror dhe ruajtja e integritetit territorial është obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës.


Krejt në fund u hap debati me të pranishmit, me ç’rast  bashkatdhetarët patën rastin të shprehin brengat e tyre për gjendjen politike e ekonomike në Kosovë.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prizren

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera