Takim me bashkatdhetar në Gjilan

30 Jul 2011

Të shtunën më 30 korrik, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Gjilan, organizoi takim me bashkatdhetar. Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Kryesisë së Qendrës së Gjilanit, si dhe Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.


Takimin e hapi Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Ismajl Kurteshi, i cili falenderoi bashkatdhetarët për kontributin e vazhdueshëm që po e japin për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Ai foli për problemet e qytetarëve të komunës së Gjilanit, si dhe për tkurrjen e kësaj komune përmes decentralizimit mbi baza etnike.


Pas tij, fjala iu dha Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit. Ai prezantoi para bashkatdhetarëve shtrirjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër Kosovë e mërgatë si dhe strukturimin e saj përmës zgjedhjeve të brendshme.  Përveç tjerash, Albin Kurti falenderoi të gjithë bashkatdhetarët për kuntributin e madh financiar, material, fizik, intelektual e moral që i kanë dhënë e po i japin Kosovës. “Pa mërgatën nuk do të mund të bëhej lufta çlirimtare dje, e as paqja sociale sot. Vetëm nga bashkëatdhetarët, Kosova ka të hyra mbi gjysmë miliard euro në vit. Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes programit të saj politik, angazhohet që shteti i Kosovës përmes përfaqësive të tij ta ndihmojë dhe bashkërendojë organizimin e mërgatës shqiptare në vendet ku ata jetojnë, që edhe aty të organizuar ta kenë peshën politike, dhe shumëfishimin e mundësive për avansim të interesit të tyre. Mërgata e organizuar ka më shumë mundësi ta përmirësojë pozitën e vet shoqërore e politike, dhe pastaj e ndihmuar nga Kosova, ta ndihmojë Kosovën”, u shpreh ai.


Lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, Kurti theksoi se tani më shumë se kurrë populli i Kosovës duhet të jetë unik dhe i organizuar, ngase po kalojmë në momentet më vendimtare për të ardhmen e vendit tonë. “Populli dhe institucionet e Kosovës tash duhet të jenë vigjilentë dhe të organizuar për ta mbrojtur Kosovën, organizimi i përbashkët i popullit, institucioneve dhe subjekteve politike e shoqërore do ta përshpejtonte dhe lehtësonte fitoren. Janë momente shumë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë. Çdo zmbrapsje tash, do të na hakmerret në vitet por dhe dekadat e ardhshme. Pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial, para së gjithash dhe mbi të gjitha maten karshi Serbisë. Prandaj, aktivizimi shtetëror  i institucioneve në këtë drejtim dhe i gjithë qytetarëve është i domosdoshëm”.


Në fund pati debat të hapur, ku bashkatdhetarët shprehen brengat e tyre për gjendjen politike e ekonomike në Kosovë, me theks të veçant në negociatat e dëmshmë që po mbahen në Bruksel, si dhe privatizimin neoliberal të ndërmarrjeve publike fitimprurëse.


Ky takim ishte caktuar 2 javë më parë, në vazhdën e takimeve që po mbanë Lëvizja VETËVENDOSJE! me bashkëatdhetar anekënd Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera