Diplomohet Edita Tahiri!

20 Jul 2011

Aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndërmorren sot, më 20 korrik, para ndërtesës së Qeverisë, aksionin e radhës simbolik, me ç’rast Edita Tahirit ju nda diploma e Universitetit të Hajnisë dhe kompromiseve me Serbinë. Diplomë kjo për kursin “Negociatat dhe koncesionet marramendëse me Serbinë” për të cilin kryenegociatorja është vlerësuar me notë maksimale 10.


Në vazhdim e keni fjalën e aktivistit Frashër Krasniqi mbajtur në lidhje me aksionin:


“Nuk do shumë mend për të vërejtur se si Qeveria dhe pushtetarët e Kosovës, përveç që janë të shitur e të korruptuar, janë edhe shumë të paditur. E megjithatë, problemi kryesor nuk po na del të jetë padituria e tyre. Në fund të fundit, njeriu kur ka vullnet për të fituar dije e fiton atë. Kështu, Qeveria e Kosovës, përveç që nuk po di me zhvillu ekonominë e vendit, me shtri sovranitetin e shtetit, me rritë mirëqenien e qytetarëve, ajo as nuk po ka vullnet t’i bëjë këto.


E megjithatë, ka plot gjëra tjera për bërjen e të cilave kjo Qeveri është shumë e vullnetshme. Dhe është aq e vullnetshme sa që është bërë profesioniste. Ajo ka shumë vullnet ta pasurojë veten, duke e shitur Kosovën.


Ka kohë që në vendin tonë është themeluar një universitet i ri: ai i Hajnisë dhe Kompromiseve me Serbinë. Atyre që i ndjekin mësimet në të u mësohet për teknikat më të zhvilluara të vjedhjes së pasurisë publike, u mësohet për mënyrat më të sofistikuara të keqpërdorimit të pushtetit. Pastaj, vijuesit e këtij universiteti po ashtu trajnohen për të gënjyer pa iu dridhur zëri, për ta fshehur të vërtetën nga qytetarët pa kurrfarë druajtje, etj.


Një kurs special dhe shumë intensiv, që ofrohet në këtë universitet, i pajisë pjesëmarrësit me shprehinë e servilitetit dhe kompromiseve të vazhdueshme me Serbinë.


Rektori i këtij universiteti, kryeministri Hashim Thaçi, po kujdeset vazhdimisht që t’i edukojë në këtë frymë studentët që i ka përreth vetes dhe t’i bëjë ata sa më të përshtatshëm për t’i kryer punët e ndyta në saje të së cilave ky rektor ia ruan pushtetin vetes.


E diplomuara më e re në Universitetin e Hajnisë dhe të Kompromiseve me Serbinë është zv.kryeministrja Edita Tahiri. Kjo e fundit, me rezultat maksimal – notë 10.00 – arriti ta kalojë kursin e negociatave dhe koncesioneve marramendëse me Serbinë.


Ajo së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi, treguan zell të pashoq në përmbushjen e kërkesave të shtetit që për çdo ditë e cenon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.


Sikur ta kishin gjithë këtë zell në ndërtimin e shtetit të Kosovës, zhvillimin e vendit, mbrojtjen e interesit të përbashkët të qytetarëve, e kështu me radhë, Kosova moti do të bëhej sovrane dhe e barabartë me shtetet e tjera. E qytetarët e saj do të mund ta jetonin jetën me mirëqenie e dinjitet, pa frikën e varfërisë e të mjerimit”.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera