KUNDËR HAJNISË

22 Jun 2011

Rreth 10 mijë qytetarë sot ju përgjigjën thirrjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për protestën“Kundër Hajnisë”! Edhe pse pushteti kishte tentuar ta pengonte këtë protestë, duke bërë presion psikologjik mbi qytetarët e Kosovës me anë të shtimit të forcave policore qysh disa ditë para protestës, si dhe provokimin e fundit duke e vjedhur binën, për vendosjen e së cilën paraprakisht ishin pajtuar, kjo nuk i ndaloi qytetarët që të dalin në masë të madhe, për ta thënë fjalën e tyre mbi hajninë që po i bëhet vendit nga kjo klasë politike e korruptuar.


Marshi protestues i përcjellur nga parulla e brohoritje të shumta si “Hajnat në burg!”, “Poshtë Qeveria!” u nis pas orës 12.00 nga Biblioteka Kombëtare për të përshkuar rrugën deri te ndërtesa e Qeverisë. Gjatë tërë rrugës qytetarë të shumtë ju bashkuan marshit protestues, në shenjë solidarizimi.


Me të arritur para Teatrit Kombëtar, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e montuan një binë tjetër, me ç’rast i bënë me dije pushtetit se fjala e popullit nuk mund të ndalet.


Fillimisht protestuesit i përshëndeti përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të fabrikës “Sharr-Cem” Xheladin Laqi, i cili në mes tjerash tha se privatizimi i egër që po ju bëhet ndërmarrjeve publike është hajni e pronës së popullit të Kosovës. Ai e përshëndeti protestën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! duke porositur se duhet t’i themi sot “Stop hajnisë!”, nesër do të jetë vonë.


Më pas protestuesve ju drejtua aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Shpend Ahmeti. Ai i përkujtoi të pranishmit se përkundër dëshirës së mirë, vendi ynë është më i i varfëri, më i korruptuari dhe me papunësinë më të madhe në Europë.


“Për këtë, nuk kemi faj ne. Kanë faj qeveritarët të cilët në vend se të turpërohen për atë se çka po i bëjnë vendit tonë, ata po krenohen. Sa më të varfër qytetarët e Kosovës, aq më të shtrenjta po bëhen makinat e tyre. Sa më e madhe papunësia, aq më të mëdha po bëhen shtëpitë e tyre.  Sa më i lartë korrupsioni aq më të mëdha llogaritë bankare të tyre”.  


Fjalën përmbyllëse e mbajti Albin Kurti,. Albini tha se “Ky pushtet e ka vjedhur shtetin dhe ne duhet që shtetin ta çlirojmë prej këtij pushteti. Këta pushtetarë i kanë vjedhur votat për të vjedhur para, që me to të paguajnë vota, që të vjedhin edhe më shumë para.”


‘Hajnia në Kosovë është e trefishtë’, theksoi Albini. “Po e vjedhin buxhetin e Kosovës nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet manipulimit me tendera, ku tenderat ua japin miqve të tyre biznesmenë qe ua kanë financuar fushatat e tyre parazgjedhore  e që tash po ua paguajnë me buxhetin e Kosovës. Mënyra e dytë se si po vjedhin këta hajna, është nëpërmjet shitjes se ndërmarrjeve publike të Kosovës siç janë: PTK, KEK-u dhe Trepça.  Po ashtu edhe përmes negociatave që po i zhvillojnë me Serbinë në Bruksel janë duke ja vjedhur territorin Kosovës”.


Arsyeja pse Qeveria e Kosovës shkon në bisedime është, sepse është e korruptuar edhe e ka bishtin e zënë me derë”, sqaroi Albin Kurti. “Këta politikanë, që janë bërë njerëzit më të pasur të Kosovës, sepse jane ditën politikanë e natën biznismenë, janë politikanë që po e hajnë shtetin, po e japin territorin e Kosovës, po i japin pasuritë publike e kombëtare të Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të marrin edhe ndonjë dite më shumë pushtet”.


 “Mos harroni që ne për asnjë ditë për asnjë gjë nuk mund të llogarisim në ndërgjegjen dhe moralin e këtyre politikanëve. E vetmja gjë që mund të llogarisim është trysnia jonë si qytetarë të këtij vendi. Me zërin tonë ne Kuvendin e Kosovës dhe me protestat e me demonstratat tona, jemi ne ata që duhet ta ndrrojmë këtë pushtet në mënyrë qe ta transformojmë shtetin e Kosovës”, porositi Kurti.


Ne nuk jemi përgjegjës se si e kemi gjetur Kosovën kur kemi arritur moshën madhore. Por, ne jemi përgjegjës se çfarë Kosove ua lëmë brezave që vijnë. Kjo varet nga puna jonë, nga angazhimi jonë, nga solidariteti që kemi me njeri tjetrin dhe nga konsistenca e konceptit tonë”.


Ne e duam një Kosovë tjetër, ne e duam një Kosovë të re, në të cilën politikanët e ndershëm qe iu shërbejnë qytetarëve janë në majet e institucioneve të sistemit, ndërkaq politikanët hajna shkojnë në burg. Kjo ndërtesë e qeverisë, me njerëzit që janë aty në majat e këtyre institucioneve, pra kjo ndertesë e  qeverisë me këta politikanë kryesorë që e kanë bërë këtë pushtet pushtet-hajn, e bëjnë këtë qeveri të duket jo si qeveri demokratike e Republikës së Kosovës, por si VIP pavijion i burgut te Dubravës.


Prandaj, bëhuni bashkë gjithmonë flisni të vërtetën, gjithmonë angazhohuni, tërë kohën duhet me qenë aktivë, sepse vetëm për njerëzit që janë aktivë, ka drejtësi, tha në fund Albin Kurti.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera