Një zhvillim i mundshëm i sistemit pensional

24 May 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot organizoi një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua sistemi aktual i pensioneve në Kosovë si dhe mundësitë për përmirësimin e tij. Qëllimi i kësaj tryeze ishte të shpaloset një ide fillestare me qëllim të nxitjes së diskutimit rreth kësaj çështje tejet të rëndësishme sociale, politike por edhe ekonomike.


Përpos aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dardan Sejdiu dhe Visar Ymeri të cilët prezantuan platoformën për evoluimin e sistemit pensional, në këtë tryezë si panelistë morrën pjesë edhe përfaqësues nga sindikatat, shoqëria civile dhe nga subjekte të ndryshme politike.


Gjatë prezantimit u tha se sistemi pensional radhitet në njërën prej pikave më të rëndësishme të politikave publike, dhe si i tillë ai duhet të jetë i mirëmenduar dhe mirëdiskutuar, përveç se i zbatuar me kujdes. Ky në Kosovë ka qenë i imponuar, qoftë nga rrethanat, apo nga vullneti i një grupi të caktuar njerëzish. Si i tillë ai ka shumë mangësi. Më e theksuara nga të cilat mbetet statusi i pensionistëve aktual, si dhe nëpërkëmbja e të drejtave të tyre nga sistemi i zbatuar në Kosovë. Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se pensionet janë e drejtë e garantuar që e gëzon qytetari e jo favor i pushtetit ndaj qytetarit. Dhe sistemi pensional duhet ta garantojë mirëqenien e të gjithëve e jo të bazohet në sakrifikimin e njërës apo tjetrës gjeneratë.


Në këtë drejtim konsiderojmë se çfarëdo ndryshimi e plotësimi i sistemit pensional në Kosovë duhet doemos t’i plotësojë 3 kritere kryesore:


•    Mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe garantimin e mirëqenies për punonjësit aktual


•    Mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe garantimin e mirëqenies për pensionistët aktual


•    Mobilizimin e kursimeve pensionale në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.


Këot 3 kritere e garantojnë edhe plotësimin e dy komponentave të rëndësishme që e përbëjnë sistemin pensional: atë sociale dhe ekonomiko financiare. Por këto kritere edhe e mundësojnë institucionalizimin dhe formalizimin e solidaritetit e kohezionit shoqëror, që është tejet e rëndësishme për çfarëdo zhvillimi shoqëror, politik  e ekonomik të vendit tonë. Kriteret e propozuara mësipër janë dëshmuar të jenë qenësore në secilin sistem të shëndosh dhe të qëndrueshëm pensional.


Është evidente se ato që sot quhen pensione bazë në Shtyllën e parë të sistemit pensional të Kosovës, që financohen nga Buxheti i Kosovës, pra nga tatimet e qytetarëve, nuk i përmbushin as kriteret e pensionit, si status i caktuar shoqëror, e as nevojat financiare për sigurimin e një jete të dinjitetshme për pensionistin. Ndryshimi dhe plotësimi i këtij sistemi do të nënkuptonte përmbushje të këtyre dy kritereve përmes rritjes së bazës së financimit të pensionit duke e futur kontributin si burim i financimit në Shtyllën e parë, dhe përmes rritjes së përshkallëzimit të nivelit të pensionit bazuar në përvojën e punës dhe pastrimit të listave të pensionistëve. Kjo do t’ia mbronte kontributin e deritashëm punonjësve aktual, do ta qartësonte statusin juridik të tatimeve dhe kontributeve, si dhe do t’ua mundësontë pensionistëve aktual një pension më të lartë dhe më stabil. Përgjithësisht ky sistem pensional do të fitonte qëndrushmërinë sociale por edhe atë financiare.


Ndërsa kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi vlerësoi se është krim që edhe dymbëdhjetë vjetë pas luftës shteti ynë ende nuk ka ligj për pensionet dhe shprehu bindjen se punëtorët janë të gatshëm të kontribuojnë për gjeneratën aktuale të pensionistëve pasi që të miratohet një ligj i mirë për sistemin pensional.


Përfaqësuesit e partive të pensionistëve kritikuan Qeveritë e pasluftës të cilat nuk kanë marrë asnjë hap konkret për kthimin e fondit pesnional të grabitur nga Serbia. Ata theksuan ndër të tjera se edhe projektligji për sistemin pensional, që pritet që Qeveria ta sjellë në Kuvendin e Kosovës është diskriminues për pensionistët aktual sepse i përjashton ata si dhe në shpërputhje me konventat ndërkombëtare.


Kjo tryezë u vlerësua si hapi i parë drejt krijimit të një platforme të përbashkët për krijimin e një sistemi pensional, i cili përmirëson gjendjen e pensionistëve aktual por edhe të qendruëshëm për gjeneratat e ardhshme.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera