Të zinjtë u skuqën

12 May 2011

Përmes protestave të sotme, Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njiherë rikonfirmoi kundërshtimin e saj për negociatat e padrejta e të dëmshme, joparimore dhe jotransparente që po zhvillohen në mes të qeverisë së Kosovës dhe asaj së Republikës së Serbisë.  Sot në Kosovë, në qendër të Prishtinës dhe me pritje të nivelit më të lartë të qeverisë Thaçi, ka qëndruar përfaqësuesi i qeverisë së Serbisë, Borko Stefanoviq. 


Në vend se Borko Stefanoviq dhe shefi i tij, Tadiq, të kërkojnë falje ndaj shqiptarëve për krimet e kryera në Kosovë, në vend se t’i arrestojnë kriminelët që i kanë kryer këto krime, në vend se Kosovës t’ja paguajnë dëmin e shkaktuar gjatë luftës, në vend se familjeve kosovare t’ju tregojnë se ku janë të zhdukurit, dhe në vend se të ndërpresin financimin e strukturave paralele në Kosovë, ata sot në mes të Prishtinës, në prani dhe pritje të qeverisë Thaqi, ripërsëriten qëndrimet e tyre kundër pavarësisë së Kosovës. 


Përderisa, nuk ka pas as nevojën më të vogël që Stefanoviq ta vizitojë Prishtinën, kjo mund të konsiderohet veçse një provokim dhe ofendim për qytetarët e Kosovës.  Këtij ofendimi sot ju bashkangjit edhe qeveria e Kosovës. 


Sot, Republika e Serbisë, nuk është vetëm një shtet që nuk e njeh shtetin e Kosovës.  Republika e Serbisë është kundërshtari më i madh i Republikës së Kosovës.  Shteti i Serbisë në krye me presidentin Tadiq, shpenzon miliona euro për ta penguar Kosovën, duke ia bllokuar mallërat, duke ia bllokuar njerëzit që të udhëtojnë, duke e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, BERZH e shumë e shumë institucione të tjera, duke i bllokuar sportistët e Kosovës e deri të bllokimi i pjesëmarrjes në festivale muzikore.  Borko Stefanoviq është përfaqësues i këtij shteti që e ka prioritet zhdukjen e shtetit të Kosovës. 


Sot, në vend se të mbrohet shteti i Kosovës nga Serbia, u mbrojt shteti i Serbisë nga deputetët e Republikës së Kosovës.  Në mesin e protestuesve që u sulmuan nga policia, pa provokim nga protestuesit, ishin edhe deputetët, Albin Kurti, Glauk Konjufca e Liburn Aliu.  Udhëheqësia politike e Policisë së Kosovës, në krye me Bajram Rexhepin dhe Hashim Thaçin, më përpara japin urdhër për të sulmuar deputetë sesa për të zhbërë struktura paralele serbe. 


Kjo politikë e zezë sot kishte nevojë të skuqet.  Ky poshtërim ndaj qytetarëve të Kosovës kishte nevojë të ndalet.  Kjo për t’i treguar pushtetarëve tonë se qytetarët e Kosovës nuk do të heqin dorë aq lehtë nga pavarësia, sovraniteti dhe dinjiteti për të cilin sakrifikuan gjenerata të tëra. Të flitet sot për dëm material minimal që është shkaktuar nga protestuesit, kur dëmi politik i shkaktuar nga bisedimet është mijëra herë më i madh, kur hajnitë dhe korrupcioni i qeveritarëve janë po ashtu me mijëra herë më të mëdha është ikje nga përgjegjësia që na takon secilit prej neve për ta mbrojtur shtetin tonë.  


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera