Tubim publik në Arbëresh (Vitomiricë) të Pejës

14 Jul 2009

Të hënën, me 13 korrik, në shtëpinë e kulturës, në Arbëresh (Vitomiricë) të Pejës, duke filluar nga ora 18:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një tubim publik me banorët e këtij lokaliteti. Të pranishëm ishin shumë qytetarë vendas, shqiptarë dhe boshnjakë.


Para pjesëmarrësve të këtij tubimi foli Albin Kurti i cili shpjegoi konceptin e VETËVENDOSJE!-s dhe zhvillimet politike në Kosovë. Meqë pavarësia nuk u arrit përmes së drejtës së vetëvendosjes së popullit tash duhet që pavarësisë post festum t’ia shtojmë sovranitetin i cili i mungon asaj, tha Albini. Në njërën anë nuk e kemi vetëvendosjen e brendshme (nuk i kontrollojmë resurset natyrore, s’kemi integritet territorial për shkak të strukturave të Serbisë dhe as fjalën e fundit në vend për shkak të Pieter Feithit e Yves de Kermabonit) kurse, në anën tjetër, nuk e kemi as aspektin e jashtëm të së drejtës për vetëvendosje (6 Pikëshi i Ban Ki-moonit po zbatohet në vendbanimet me shumicë serbe ndërkohë që vlen neni 1.3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që nuk na e lejon bashkimin me Shqipërinë), theksoi Albini. Ai shpjegoi që në Kosovë nuk po vendos populli i Kosovës anipse ajo është bërë e pavarur – disa burokratë ndërkombëtarë bashkë me krerët politikë vendorë të korruptuar marrin vendime arbitrare në përputhje me interesa personale të tyre dhe të korporatave të huaja. Në Kosovë nuk pati referendum asnjëherë për asnjë gjë përfshirë këtu edhe cështjet kapitale si flamuri, himni, kushtetuta, decentralizimi e privatizimi, shtoi Albini. Këto dy të fundit janë projektet më të rrezikshme në të cilat e kanë futur Kosovën: i pari na e copëton territorin ndërkaq i dyti i shet pasuritë e Kosovës, potencoi Albini. Në fund, ai sugjeroi që organizimi dhe mobilizimi në bazë për çështjet politike dhe socio-ekonomike nuk ka zëvendësim, aq më tepër kur kemi këso elitash super të pasura në Kosovën e varfër si asnjëherë më parë.


Pas Albinit, të pranishmëve iu drejtua përgjegjësi i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Pejë, Bajram Binaku, i cili foli për obstruksionet e strukturave të Serbisë në komunën e Pejës, për stagnimin e ekonomisë vendore dhe papunësinë që e ka pllakosur Pejën, për kontestet kufitare me Malin e Zi që janë peshqesh nga Marrëveshja e Kumanovës, si dhe për zonën e veçantë të Patrikanës së Pejës që pengon lirinë e lëvizjes, turizmin, të drejtën e pronës përveçqë serbizon trashëgiminë kulturore ortodokse dhe uzurpon afër 300 hektarë tokë.


Në këtë tubim foli edhe përgjegjësi i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s për Gjermani, Bashkim Osmanaj, i cili po ashtu është nga Peja. Ai u fokusua në gjendjen e diasporës shqiptare dhe iu bëri thirrje të gjithë atyre që jetojnë e punojnë në Gjermani ose kanë të afërt atje, të inkuadrohen në VETËVENDOSJE!.


Pasoi një debat i hapur me përplot zemërim për politikanët e Kosovës pa dallim partie e krahine dhe shumë prej banorëve të Arbëreshit, pjesëmarrës në tubim, shfaqën interesimin e tyre që të kontribuojnë në aktivitetet e Lëvizjes. Me këtë rast, detyrën e personit kontaktues të VETËVENDOSJE!-s për Arbëreshin (Vitomiricën) e Pejës e mori i riu Dardan Lajçi.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Pejë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera