Takime e tubime publike në Danimarkë e Suedi

22 Jun 2009

Gjatë qëndrimit në Danimarkë, u mbajtën dy tubime publike me bashkatdhetarë, në Kopenhagë me 14 qershor dhe në shoqatën ‘Zenel Hasani’ në Ballerup me 19 qershor, në të cilat Albin Kurti prezantoi konceptin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe foli për zhvillimet aktuale politike në Kosovë. Këto tubime u organizuan nga përgjegjësi i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Danimarkë, Xhemil Zeqiri. Një tubim i ngjashëm u mbajt edhe në Malme të Suedisë me 20 qershor 2009, në lokalet e Shoqatës ‘Iliria’ me organizimin e veprimtarit Fadil Shyti.



Në këto tubime Albini theksoi se para Kosovës janë dy sfida kryesore: decentralizimi i bazuar etnikisht që e copëton Kosovën përbrenda, dhe privatizimi neoliberal që e lë Kosovën pa pasuritë e saj me ç’rast pasurohen vetëm krerët politikë. Albini sqaroi para të pranishmëve se VETËVENDOSJE! nuk është kundër prezencës së bashkësisë ndërkombëtare por kundër sundimit të saj në Kosovë. “Përderisa kemi zyrtarë ndërkombëtarë që nuk janë të votuar nga ne por të cilët kanë fuqi ekzekutive mbi politikanët vendas, këta të fundit do të jenë të dëgjueshëm e servilë ndaj të parëve” – tha Albini. Prezentimi i Albinit u pasua me diskutime me bashkatdhetarët të cilët shtruan pyetje e komente të ndryshme porse gjithnjë duke u ankuar për lirinë e mbetur përgjysmë të shqiptarëve dhe duke kritikuar elitat politike që nuk brengosen aq as për shqiptarët brenda e as ata jashtë atdheut.

Porosia e Albinit për bashkëatdhetarët ishte që përveç ndihmave të tyre financiare që i dërgojnë në atdhe, të organizohen politikisht në mënyrë që të ndryshojnë qasjen e insitucioneve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni ndaj diasporës shqiptare, por edhe të organizohen në vendet ku janë për të influencuar politikat ndaj tyre. “Duke e forcuar pozitën e saj në Danimarkë e Suedi, diaspora e forcon edhe veten edhe Kosovën” –potencoi Albini.

Aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, po qëndron në Danimarkë e Suedi me ftesën e STS International Solidarity, me ç’rast në Kopenhagë ai pati takime me kreun e kësaj organizate Vagn Rasmusen, me deputetin e parlamentit danez, Holger K. Nielsen, me deputeten e Parlamentit Evropian, Britta Thomsen, me drejtorin e institutit “Shoqëria Daneze për Politikë të Jashtme”, Klaus Carsten Pedersen, si dhe me gazetarë e analistë të ndryshëm. Mesazhi kryesor i Albinit ishte që Serbia nuk duhet të përkdhelet në llogari të Kosovës, se ajo nuk duhet lejuar të futet në BE para Kosovës e pa e pranuar Kosovën, si dhe përderisa ajo financon strukturat e saj paralele në Kosovë. Bashkëbiseduesve Albini iu tha që Kosova s’mund të përparojë gjersa institucionet e saj janë pa afat nën sundimin ndërkombëtar i cili krejt çfarë do është stabiliteti afatshkurtër e jo demokracia dhe zhvillimi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera