Lopa

13 Jun 2009
Sot aktivistët e VETËVENDOSJE!-s në orën 12:00 e shetitën nëpër kryeqytet lopën në të cilën shkruhej “SADRI FERATI” (në anën e majtë) dhe “UNË VETËM ZBATOJ LIGJIN” (djathtas). Lopa u ndal përpara hotelit GRAND dhe e dha një konferencë shtypi. Lopën e panë shumë qytetarë, të cilët nëpërmjet reagimit tregonin se po pajtoheshin me aksionin.

Gjatë aksionit u lexua ky tekst:

Lopa veç bindet
Ajo bën gjithçka i thonë
Nuk kundërshton
Nuk ka mendim të vetin
Lopa vetëm i zbaton urdhrat

Lopa i zbaton urdhrat pavarësisht çfarë urdhri
Dhe pavarësisht kush ia jep urdhrin
Sepse lopa kurrë nuk është e pavarur
Lopa e varur nuk mund ta ndërtojë pavarësinë
Lopa ta prishë pavarësinë

Sadri Ferati thotë se duhet ta zbatojë decentralizimin
Thotë se kështu e obligon Plani i Ahtisarit
Atij nuk i intereson përmbajtja e këtij plani
As ku çon ky projekt
Ai vetëm i zbaton urdhrat e Pieter Feithit, atij që e tërheq për kërpeshi

Lopa po endet nëpër komunat e ndryshme të Kosovës
Aty ku po përpiqet ta fillojë decentralizimin
Gjithkah nëpër Kosovë ajo po bën bajga
Qytetarët e Kosovës e mblodhën plehun
Dhe ia dërguan aty ku e ka vendin
Përpara ahurit të lopës –
Përpara Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal

Do të mund ta kemi ofenduar këtë lopën?
Na falni!

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera