Tubimi në Artanë

03 May 2009

Artana, një qytëzë me pak popullsi por shumë territor, është njëra nga shënjestrat e Serbisë në regjionin e Anamoravës. Kalaja antike e tërheqëse për vizitorë, terreni pitoresk malor dhe i përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, janë resurse nga të cilat do të mund t’i kthehej gjallëria dhe shpresa kësaj qyteze të varfër. Miniera e Artanës e cila punon me një kapacitet shumë të kufizuar, është pothuajse i vetmi burim prej nga e nxjerrin bukën banorët e varfër të kësaj zone, që po zbrazet çdo ditë e më shumë.


Qytetarët e varfër e të harruar të kësaj qyteze krahas problemeve të mëdha ekonomike janë të rrezikuar edhe nga politika. Mbase këtu mund ta gjejmë edhe arsyen pse kjo zonë mbetet e pazhvilluar dhe e braktisur nga qeveria. Artana është pjesë e pazarit të Vjenës sa i përket procesit të decentralizimit, proces ky që është bërë jo vetëm programi kryesor i qeverisë Thaçi, por edhe arsyeja e qenies së saj në pushtet. Me qëllim që të diskutojmë për këto dhe probleme tjera, dje ne e vizituam këtë qytezë.


Të mbledhur në Shtëpinë e Kulturës të kësaj komune në praninë e rreth 50 qytetarëve tubimin e filloi aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hysen Durmishi. Hyseni përshendeti të pranishmit duke i falënderuar për pjesëmarrjen në debat. Pastaj filloi prezantimin, duke i njoftuar banorët me historikun e decentralizimit. “Ky proces ka nisur qysh nga koha e Milosheviqit. Atëbotë ai krijoi komunën e Zvçanit sepse serbët në Mitrovicë ishin pakicë, dhe e njejta gje ndodhi me formimin e Shtërpcës, që deri atëherë ishte pjesë e Ferizajt”, tha Hyseni. Ai shtoi se “zgjerimi i komunës së Artanës me fshatra serbe ka për qëllim ndërlidhjen territoriale të komunave me shumicë serbe që nga Graçanica e cila ndodhet në periferi të Prishtinës e deri në Ranillug, kufi me Serbinë. Prandaj është e rëndësishme organizimi për kundërshtimin dhe ndaljen e këtij procesi” theksoi në përmbyllje të fjalës së tij aktivisti i VETËVENDOSJE!-s.


Më pas fjalën e mori Albin Kurti, i cili u fokusua në dëmet konkrete që ia ka sjellur ky proces banorëve të kësaj zone, si dhe foli për rëndësinë e organizmit kundër. “Me formimin e komunës së Artanës, ashtu siç parashihet në Planin e Ahtisaarit, kryetari i komunës, komandanti i stacionit policor, departamentet e arsimit dhe shëndetësisë, do të jenë në duart e strukturave paralele”, paralajmëroi Albini. Ai gjithashtu njoftoi qytetarët e Artanës se ata janë shumë të rëndësishëm, meqë mund ta ndërpresin vazhdimësinë territoriale që mëton ta krijojë Serbia. Gjithashtu u përmend edhe përgatitja që po bën pushteti për organizimin e zgjedhjeve lokale. “Dalja në zgjedhjet e ardhshme lokale, pavarësisht për cilën parti do të votoni, në radhë të parë është votë për decentralizimin” u shpreh Albini, duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore pse nuk bën të dilet në këto zgjedhjet. Albini tha se varfëria e madhe që ka kapluar këtë komunë dhe mungesa e investimeve, është trysni për banorët shqiptarë që t’i lëshojnë këto troje.


Në vazhdim filluam një diskutim me qytetarët e pranishëm në sallë. I pari që e mori fjalën ishte Sherif Kllokoqi, përrfaqësues i OVL të UÇK-së dhe njëherit kryetar i bashkësisë lokale të Artanës. Sherifi përshendeti organizimin e debatit për këtë çështje mjaft të rëndesishme dhe tha: “Unë jam i sigurt se jo vetëm Llabjani por të gjithë shqiptarët në komunën e Artanës janë kundër decentralizimit”. Pas tij fjalën e mori Arbenita Llapashtica, përfaqësuese e organizatës rinore “Youth Voice”. Ajo përshendeti nismën e ndërmarrur me organizimin e peticionit në Llabjan e Pasjak, dhe u shpreh e gatshme që bashkë me Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në Artanë, të organizohen për kundërshtimin e decentralizimit.


Debatin e vazhdoi Ferid Maksuni, i cili, duke shprehur dyshimin në suksesin e këtyre kundërshtimeve, deklaroi: ”Prapë se prapë po vendosin këta të huajt, prandaj unë jam pesimist”. Por Albini ia shpjegoi se fshati Cernicë, i cili gjendet në komunën e Gjilanit, ka qenë gjithashtu i paraparë të futet në komunën e Parteshit gjatë zhvillimit të negociatave në planin 5+1. Mirëpo, pas organizimit të peticionit me 1294 nënshkrime dhe gatishmërisë së rinisë së këtij fshati që me ç’do kusht ta ndaloj këtë proces, në dokumentin përfundimtar të Ahtisaarit Cernica nuk figuron më në komunën e re të Parteshit. Pas dy orë diskutimi miqësor u ndamë nga njerzit e kësaj komunë të sigurt nga zotimet e tyre se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë zbatimin e këtij procesi të dëmshëm për interesin e Kosovës..


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera