Tubim me banorët e Rashanit të Shalës së Bajgorës

12 Apr 2009

Të dielën, më 12 prill 2009, në orën 18.00 në shkollën fillore “Sefedin Smakolli” të fshatit Rashan të Shalës së Bajgorës në Mitrovicë, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubim dhe debat me banorët e këtij fshati. Në njërën nga klasat e stërmbushura, qytetarët u informuan për konceptin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe pikëpamjet e saj lidhur me zhvillimet aktuale politike në Kosovë.


Para të pranishmëve fjalën e mori aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, i cili tha se mbështjellësi juridik dhe politik i Kosovës është Plani i Ahtisarit që e ndan Kosovën, përpiqet ta serbizojë atë dhe ia mohon sovranitetin institucional, e për kundërshtimin e të cilit, më 10 shkurt 2007, patën rënë dëshmorë Arben Xheladini e Mon Balaj.


Pastaj Albini radhiti gjashtë padrejtësitë themelore që i përmban Plani i Ahtisarit. E para është e drejta e vetos për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, që do të thotë se asnjë vendim i rëndësishëm për popullin e Kosovës nuk mund të aprovohet në Kuvend nëse nuk e japin pëlqimin e tyre serbët që janë vetëm 5% në Kosovë: në Kuvendin e Kosovës nuk mund ta ndërrojmë as flamurin, himnin, kushtetutën apo ta bëjmë ndryshimin e kufijve administrativë të komunave. Së dyti, kemi decentralizimin sipas së cilit parashihet krijimi i 5 komunave të reja serbe si dhe zgjerimi territorial i Artanës (ish Novobërdës), të cilat do të kenë kompetenca të plota në arsim, shëndetësi, polici, gjyqësi etj. Sipas këtij plani, krijimi i komunave serbe në rajonin e Anamoravës do ta shkëpuste lidhjen territoriale të Luginës së Preshevës me Kosovën që është edhe një qëllim tjetër i Serbisë. Padrejtësia e tretë, vazhdoi Albini, është eksterritorialiteti i cili përfshin 45 zona të veçanta me mijëra hektarë tokë të cilat përveç qëllimit të gllabërimit të territorit kanë edhe një synim shumë më të keq e të sofistikuar - tendencën e Serbisë për uzurpimin e historisë sonë të mesjetës, duke u përpjekur që të na paraqesë neve si ardhacakë ose mbeturinë e Perandorisë Osmane. Po ashtu, gjithnjë sipas Planit të Ahtisaarit, FSK-ja nuk është fare ushtri ngase nuk ka të drejtë që të disponojë me kurrfarë artilerie (as të rëndë e as të lehtë) dhe, nëse vërtet është shpallur Kosova shtet i pavarur e sovran, atëherë duhet edhe të bëhet e tillë duke rritur numrin e pjestarëve të FSK-së dhe duke e armatosur atë sikurse një ushtri – kjo është nevojë e domosdoshme ngase askush nuk na mbron, si do ta mbronim ne vetveten; dëshmi për këtë është rasti i muajit shkurt të vitit 2000 kur para syve të ushtarëve të KFOR-it në veri të Mitrovicës janë vrarë 11 shqiptarë dhe janë dëbuar 11,364. Me këtë rast Albini tregoi se si shtetet e tjera po e shtojnë sasinë e buxhetit për ushtritë e tyre (madje edhe ato që janë anëtare në BE) duke u pajisur me armatim të sofistikuar; Kosova ka mjete të gatshme finaciare për ta bërë këtë: 500 milionë euro të suficitit, 300 milionë kursime të PTK-së, mbi 400 milionë euro të privatizimit dhe rreth 200 milionë euro të trustit pensional e që gjithsejt bëjnë 1.4 miliard euro – një pjesë e kësaj do të duhej të investohej në ushtri. Problemi i pestë është përfshirja e Kosovës në obligimin e likuidimit të borxhit të jashtëm të Serbisë. Para se ta pranojnë këtë, Albini tha që politikanët e Kosovës është dashur të vendosin së paku dy kushte: që Kosova së pari të jetë edhe trashëgimtare e ndarjes së pasurisë së ish Jugosllavisë, dhe gjithashtu që paraprakisht të bëhet kompensimi nga Serbia i dëmeve të shkaktuara nga lufta (14.000 njerëz të vrarë, 120.000 shtëpi të djegura, mandej dhunimet, dëbimet, torturat, burgosjet etj. dhe gjithsesi zbardhja e fatit të afër 2.000 të pagjeturve). Së fundi, si padrejtësi të gjashtë të Planit të Ahtisarit, Albini theksoi ICO-në dhe EULEX-in që kanë imunitet ndaj ligjit, që do të thotë se ata mund të bëjnë shumëçka në Kosovë dhe të mos japin përgjegjësi, pastaj kanë fuqi ekzekutive dhe bazohen edhe në Rezolutën 1244 dhe 6 Pikëshin e Ban Ki-moonit, kurse neutraliteti i EULEX-it ndaj statusit sigurisht se i levërdis aq shumë Serbisë.


Në vijim, Albini tregoi se çka mendon Lëvizja VETËVENDOSJE! se duhet të bëjmë. Arrestimi i strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, shëndrrimi i FSK-së në ushtri dhe vendosja e kontrollit mbi Policinë duke i forcuar ato, por edhe orientimi në zhvillim ekonomik duke investuar në bujqësi, duke i subvencionuar bujqit me naftë, farëra, plehra dhe sidomos ndryshimi i politikës fiskale në favor të prodhimit vendor. Për zhvillim ekonomik, theksoi Albini, Kosova ka resurse energjetike pasi që ka rezerva të mëdha të linjitit, pastaj rezervat e minierave të Trepçës etj. Për ta integruar veriun e Kosovës, Albini shpalosi disa nga pikat e VETËVENDOSJE!-s që parashohin që ato 500 familje shqiptare që jetojnë atje dhe nuk kanë siguri ne duhet t’ua punësojmë nga një pjesëtar të çdo familjeje në Policinë e Kosovës, të hapim nga një nënstacion policor në lagjet shqiptare atje si dhe të dërgojmë njësi speciale të Policisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që asnjë shtëpi e shqiptarëve ta blejë qeveria e Serbisë, mirëpo, nëse dikush dëshiron ta shes shtëpinë, atë ta blejë qeveria e Kosovës dhe ta dërgojë një familje shqiptare që dëshiron të jetojë atje. Për t’i ndihmuar Mitrovicës në zhvillim ekonomik qeveria mund të investojë në Trepçë rreth 200 milion euro e që do të hapnin 8 mijë vende të reja të punës.


Në vazhdën e krejt kësaj, potencoi Albini, ne duhet të përgatitemi të bashkohemi me Shqipërinë duke forcuar lidhjet ekonomike, kulturore, mediale etj. Sepse, si popull shqiptar në Ballkan, vetëm të bashkuar do të kishim një territor dhe popullsi më të madhe, një ekonomi më të zhvilluar dhe një ushtri të fortë – kështu do të krijohej një baraspeshë që do të garantonte stabilitet afatgjatë.


Në vazhdim, foli aktivisti Xhelal Sveçla që tha se nga problemet me të mëdha sot në Kosovë janë pikërisht strukturat paralele të Serbisë dhe shtoi se angazhimi ynë kryesor mbetet në identifikimin, denoncimin dhe luftimin e tyre. Xhelali tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përgatitur një kallëzim penal kundër 117 zyrtarëve të këtyre strukturave të Serbisë në Kosovë dhe tregoi se si disa qytetarë deri më sot kanë bërë kallëzimin penal në prokurori kundër këtyre strukturave dhe se si deri më sot asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës a ministër qeverie nuk e ka dërguar këtë kallëzim penal në asnjë prokurori. Nga hulumtimi që ka bërë Lëvizja VETËVENDOSJE! kanë dalur se 26 zyrtarë të këtyre strukturave marrin paga edhe nga qeveria e Kosovës.


Interesimi i të pranishmëve për të bashkëbiseduar dhe për të bërë pyetje ishte mjaft i madh. Mursel Suma, banor i fshatit, duke folur për brengat e tij në lidhje me aktualitetin politik veçoi përçarjen në parti politike dhe interesat personale të politikanëve brenda këtyre partive gjë që po shpie te servilizmi që ata shfaqin ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë dhe butësinë ndaj strukturve paralele. Kjo vërtetohet, tha Murseli, edhe me faktin se sa herë atyre iu thuhet (apo iu duhet) takohen në Zveçan për dreka e darka me po ata të cilët jo vetëm e kanë dëmtuar këtë popull por vazhdojnë të minojnë aspiratat e tij për sovranitet.


Më pastaj fjalë e mori veprimtari Nexhmedin Mustafa i cili shfaqi brengën e tij për tendencat për degradimin e çështjes kombëtare që në vazhdimësi po bën kjo klasë politike duke na e mohuar flamurin, himnin, bashkimin kombëtar, dhe shkeljen e amanetit të dëshmorëve e betimin e UÇK-së.


Në këtë tubim foli edhe veprimtari tjetër i çështjes kombëtare, Ali Pasoma, i cili duke kujtuar kohën e tij të hershme të aktivitetit politik në ilegale tha se çështjen e popullin shqiptar në Ballkan asnjëherë nuk e kanë lëvizur përpara partitë zyrtare politike, sepse këtë nuk e bëri as komunisti jugosllav Fadil Hoxha, as partia politike e Ibrahim Rugovës dhe s’po e bën as qeveria e Hashim Thaqit – këta po krijojnë vetëm mjegull ngase kështu iu konvenon, mirëpo ishte dhe do të jetë populli e studentët në demonstrata, minatorët dhe punëtorët në greva dhe UÇK-ja me armë në dorë ata që e trasuan dhe e vazhduan rrugën drejt lirisë dhe çlirimit. Edhe Baca Ali foli për argumentet dhe dobitë e bashkimit kombëtar, duke thënë se ne kemi një gjuhë, një kulturë, një flamur, me zakone, traditë, histori të kryengritjeve të përbashkëta, dhe akuzoi disa, siç i quajti ai agjentë antishqiptarë, që angazhohen për njëfarë kombi kosovar. Në fund të tubimin u shpreh gatishmëri nga shaljanët për angazhimin e përbashkët në rrugën tonë drejt realizimit të së drejtës për vetëvendosje.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera