Tubim me qytetarë në Druar

29 Mar 2009

Të dielen, më 29 mars 2009 në orën 17:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim në fshatin Druar të komunës së Vushtrrisë. Në këtë tubim që u mbajt në shkollën fillore “Avdyl Frashëri”, morën pjesë rreth 40 qytetarë. Në fokus të këtij tubimi ishte gjendja aktuale në Kosovë dhe sfidat që na presin në muajt vijues.


Tubimin e hapi Albin Kurti, i cili fillimisht foli për rëndësinë e informimit të duhur të qytetarëve, sepse zgjidhjet e problemeve në Kosovë janë të natyrës politike. Gjithashtu, ai identifikoi katër sfida kryesore që na presin gjatë viteve në vijim: decentralizimi, 6 Pikëshi, privatizimi dhe kriza finaciare botërore që e godet edhe Kosovën. Ja se çfarë tha Albini për këto katër çështje:


    * Decentralizimi në Kosovë është etnik e jo qytetar. Ai paraqet rrezik nëse bëhet para sovranitetit dhe integritetit territorial. Që nga koha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët kanë humbur gjysmën e territoreve. Shqiptarët kanë dendësinë më të madhe në Ballkan pikërisht për shkak të humbjes së territoreve. Decentralizimi është një projekt i cili u dedikohet vetëm serbëve të cilët, siç e dimë, vazhdojnë të dirigjohen nga Beogradi, prandaj ai do të rezultojë me tkurrjen e mëtejme të territoreve të banuara me shqiptarë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.


    * 6 Pikëshi sjell koncesione të reja për Serbinë. Përveç krijimit të komunave serbe të cilat janë përfshirë në Pakon e Ahtisaarit, 6 Pikëshi shkon edhe një hap me tutje duke e shndërruar secilin fshat serb në një ambasadë të pakontrollueshme, duke e riprodhuar situatën që është në veri të Kosovës gjithandej ku është edhe vetëm një fshat a një lagje e banuar me serbë. Kjo nënkupton se aty do të përfundojnë të gjitha kompetencat e shtetit të Kosovës. Nëse një kriminel futet brenda një fshati të tillë, policia e Kosovës nuk ka kompetenca që të hyjë e ta arrestojë aty pa e marrur pëlqimin prej komandantit të stacionit a nënstacionit që do të jetë serb në atë vendbanim dhe i kontrolluar nga Beogradi.


    * Në vazhdën e procesit të privatizimit, Qeveria i ka vënë në radhë ndërmarrjet e mëdha si KEK-u, PTK-ja, Trepça dhe Aeroporti i Prishtinës pikërisht në kohën më të papërshtatshme, kur kriza financiare e ka kapluar botën. Kjo gjithsesi nënkupton shitjen e tyre me çmim shumë të ulët. Që nga fillimi, procesi i privatizimit ka qenë i gabuar, meqë është bërë para dekolonizimit. Privatizimi i këtillë është plaçkitje, më ç’rast përmes shitjes së pasurisë së Kosovës, po pasurohet një grup i vogël njerëzish.


    * Kriza financiare botërore ka nisur ta prekë edhe Kosovën. Zvogëlimi i parave që vijnë nga diaspora është vetëm shenja e parë. Kjo do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen edhe ashtu tejet të keqe ekonomike të familjeve tona.


Fjalën e mori edhe Xhelal Sveçla i cili foli më gjerësisht për strukturat paralele dhe organizimin e tyre. Ai tha se momentalisht veprojnë 25 komuna paralele brenda dhe jashtë territorit të Kosovës (sepse disa prej tyre edhe në Serbi), të cilat organizohen me qëllim për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. “Ekziston edhe asociacioni i këtyre komunave që shumë lehtë do të mund të shndërrohej në një parlament të komunave serbe dhe në rastin e volitshëm ta shpallin pavarësinë e tyre nga shteti i Kosovës. Strukturat paralele nuk integrohen në Kosovë. Atyre duhet t’ua kundërvëjnë mekanizmat shtetërorë dhe ligjin. Shembulli më i mirë për këtë është ministri Goran Bogdanoviq në të cilin Qeveria e Kosovës ka investuar gjatë duke e punësuar edhe në Qeveri, dhe sot ai vazhdon të punojë kundër Kosovës, në kuadër të Qeverisë së Serbisë, respektivisht në Ministrinë e Serbisë për Kosovën. Gjersa Kosova ka struktura paralele, këtu s’do të ketë investime serioze nga të cilat do të përfitonin qytetarët, sepse vendet pa stabilitet politik nuk mund të kenë qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik” – tha Xhelali.


Edhe të pranishmit shfaqën shqetësimet e tyre për sa u tha më lart, e ndër të pranishmit që e morën fjalën ishtë edhe Halil Haziri i cili e kritikoi pushtetin që s’po ndërmerr asgjë për çështjen e të pagjeturve, duke dashur që edhe më shumë të thellohej në gjetjen e arsyeve të vërteta se pse nuk po punohet më shumë për ta zgjidhur këtë problem që si një plagë e rëndë po e mundon gjithë kombin, e posaçërisht familjarët e të pagjeturve ndër të cilët bëntë pjesë edhe ai. Ndërkaq, Sami Ibishi, ish pjesëtar i TMK-së, u interesua se si duhet të vazhdohet më tutje. Tubimin e përmbylli Albin Kurti duke thënë se rruga drejt zgjidhjes është mobilizmi i qytetarëve për sovranitetin që i mungon Kosovës, por edhe për problemet e tyre konkrete socio-ekonomike, me ç’rast ai përmendi organizimin e demostratave si ato në fund të vitit të shkuar kundër 6 Pikëshit.


Gjysmë ore para se tubimi të fillonte, një veturë e policisë me targa 093 KS 493 me tre police, njëri prej tyre pa uniformë, u parkuan mu para hyrjes së shkollës ku u mbajt tubimi. Prej tyre fshatarët identifikuan Kemajl Rashicën. Ishte ky një veprim i thjeshtë policor për ta rritur trysninë e qytetarëve për mospjesëmarrje, duke i shantazhuar ata me përcjellje. Por dështuan edhe kësaj radhe.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Vushtrri

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera