Studentët e Gjakovës i besojnë organizimit

10 Mar 2009

 


Në zyrën e Shoqatës të Personave të Pagjetur dhe të Burgosurve Politikë në Gjakovë, me datën 9 mars 2009, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim me studentët e Fakultetit të Pedagogjisë. Organizimi i këtij tubimi ka ardhur si nismë e vetë studentëve dhe me angazhimin e veçantë të Vlorë Hajdarit.

Edhe pse Gjakovën si komunë nuk e prekin drejtpërdrejt procesi i decentralizimit dhe ai i eksterritorialitetit që parashihen në Planin e Ahtisaar-it, kjo komunë është në një gjendje të rëndë socio–ekonomike – ishin fjalët këto e para të Albin Kurtit drejtuar studentëve të mbledhur në këtë tubim.

Albini tha se në vitet 2009–2011, Kosovën do ta presin këto rreziqe e sfida: Plani i Ahtisaar-it, Plani 6–Pikësh, decentralizimi, privatizimi i ndërmarrjeve publike, siç janë Trepça, Aeroporti, PTK–ja dhe KEK-u), si dhe kriza globale financiare. Për t’i ndalur dhe për t’u ballafaquar me këto probleme, duhet organizuar populli si e vetmja zgjidhje për këto sfida. Duke u nisur nga disa raste të suksesshme të organizimit të popullit, siç janë fshati Cernicë në Gjilan, i cili parashihej të ishte në Komunën e Parteshit, por sot është si rezultat i organizimit të fshatit, dhe qytetarët e Rahovecit të cilët u organizuan dhe e larguan KFOR–in rus nga qyteti i tyre, populli duhet ta rikthejë vetëbesimin te forca e ndryshimit nëpërmjet mobilizimit.

Pas përfundimit të fjalës së Albinit, studentët dhe qytetarët e pranishmit ishin mjaft të interesuar për diskutim. Durim Pruthi shprehu shqetësimin e tij me frymën e shkombëtarizimit nëpër librat shkollorë, dhe në anën tjetër me përpjekjet e Qeverisë për në këtë frymë. Kurse Ilir Batusha ishte i interesuar për propozimin që ka Lëvizja VETËVENDOSE! Lidhur me integrimin e veriut të Kosovës si dhe vizionin e VETËVENDOSJE!-s për ngjalljen e ekonomisë së Kosovës.

Albin u përgjigj duke nënvizuar se kjo pavarësi e Ahtisaar-it po del më shumë si pavarësi prej Shqipërisë se sa prej Serbisë, sepse në Kosovë po ndodh kombformimi e jo shtetformimi. Përderisa kombformimi po na largon nga Shqipëria, duke na krijuar identitete e simbole të reja, në anën tjetër shtetformimi që do të na ndante nga Serbia, nuk po ndodh. Përkundrazi - vetëm sa po vinjë plane të reja, secili më i dëmshëm se tjetri, siç është Plani 6–Pikësh i Ban Ki-moon-it, i cili parashikon krijimin e një republike serbe në Kosovë. Lëvizja VETËVENDOSJE!, shtoi Albini, ka bërë një plan për integrimin e veriut të Kosovës i cili kërkon vendosjen e Policisë Speciale të Kosovës në një stacion në lagjen e Boshnjakëve, punësim në policinë e Kosovës të një anëtari nga çdo familje shqiptare në të veriut të Kosovës, transport publik falas të këtyre banorëve për në jug dhe anasjelltas, investime në shëndetësi dhe arsim, si dhe revitalizimi i Trepçës, me ç’rast do të punësoheshin së paku 8000 veta. Ndërsa sa i përket ringjalljes së ekonomisë, tha ai, duhet të mbrohen prodhimet vendore me anë të proteksionizmit dhe subvencionimit, ndalimit të hyrjes së prodhimeve serbe në Kosovë, ndaljes së privatizimit si proces i shitjes së tokës pa asnjë plan zhvillimor për ne siç po bëhet privatizimi në Kosovë, kthimi i fondit të privatizimit në Kosovë, si dhe duke iu rikthyer stimulimit të bujqësisë. Shumë nga të pranishmit shfaqën gatishmërinë për të bashkëpunuar më Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera