VETËVENDOSJE!-a në Rakosh dhe Uçë

09 Mar 2009

 


Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdën e takimeve me qytetarë me qëllim të sqarimit të situatës politike dhe organizimit të qytetarëve, më 8 mars 2008, në fshatin Rakosh dhe Uçë ka mbajtur tubime me qytetarë, në lokalet e shkollës ‘Ndre Mjeda’, përkatësisht ‘Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe’. Komuna e Burimit është një ndër komunat me të rrezikuara në Kosovë nga planet e Serbisë për zgjerim të veriut të Kosovës në veri-përendim, përmes krijimit të komunave të Osojanit në Burim, Binçës në Klinë dhe Gorazhdevcit në Pejë. Në takim të pranishëm ishin aktivistët nga Qendra e Burimt si dhe Albin Kurti nga Prishtina e Dardan Molliqaj nga Deçani. Albini foli për problemet me të cilat do të ballafaqohemi gjatë dy viteve të ardhshme. Plani i Ahtisaarit i cili është pranuar si çmim për pavarësi nuk u pranua nga Serbia, kurse institucionet vendore po vazhdojnë ta zbatojë atë. Decentralizimi po fillon të zbatohet pa u shpërbë strukturat paralele, gjë që do të thotë se pushteti nuk po shkon te qytetari, por nëpërmjet strukturave paralele serbe, po i shkon Serbisë.

Më tej ai theksoi që për shak se Serbia nuk e pranoi Planin e Ahtisaarit, bashkësia ndërkombëtare u detyrua t’ia ofrojë Serbisë një zgjidhje të cilën ajo e pranon. Dhe erdhi Plani 6-Pikësh i Ban Ki-moon-it i cili është avancim i Planit të Ahtisaarit, në kuptimin e rritjes së kompetencave së komunave serbe në Kosovë, me qëllim përfundimtar - krijimin e një republike serbe ngjashëm sikur ajo në Bosnje. Kriza financiare globale do ta prek edhe Kosovën, shtoi Albini, dhe tha se gjendja ekonomike edhe ashtu e rëndë e familjeve do të përkeqësohet edhe më shumë, edhe për shkak se diaspora jonë po goditet nga vendet e punës të cilat po shkurtohen në vendet perëndimore për shkak të kësaj krize, kështu që do të reduktohen edhe të ardhurat e këtyre familjeve që vijnë nga bota e jashtme.

Ndërsa aktivisti Dardan Molliqaj, foli për mundësinë e krijimit të komunës së Osojanit, edhe pse Plani i Ahtisaarit nuk e përfshinë ketë komunë në mesin e 10 komunave të reja që do të mund të krijohen sipas Planin e Ahtisaarit. Mirëpo, në aneksin për decentralizim Ahtisaari e la të hapur çështjen e procesin e decentralizimit të mëtutjeshëm, meqë njëra prej pikave thotë se në një territor të caktuar prej pesëmijë banorësh, 75% prej të cilëve i takojnë një etnie të caktuar, kanë të drejtë të hyjnë në negociata me Qeverinë e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare Civile për krijimin e komunës së re.

Qytetarët në këto tubime ishin të gatshëm për të kundërshtuar krijimin e komunës së Osojanit pa u shpërbërë strukturat shtetërore të Serbisë në Kosovë. Po ashtu, ata e theksuan se disa serbë, të cilit kishin bërë krime të shumta gjatë luftës, po lëviznin lirshëm nëpër fshatra me vetura me tabela serbe ose edhe pa to fare. Një rast i freskët ishte edhe ardhja e Sllobodan Petkoviqit në fshatin Rakosh me veturë pa tabela, një serb nga koha e Milosheviqit, që kishte qenë në pozita udhëheqëse në këtë anë gjatë asaj kohe.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera