Anamorava në rrezik!

08 Feb 2009

E vogël ishte salla e teatrit të qytetit në Gjilan për t’i zënë të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në tubimin dhe prezentimin e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Të shtunën, më 7 shkurt, para mëse 500 qytetarëve të tubuar, folën aktivistët Glauk Konjufca e Albin Kurti. Glauku në fillim theksoi se pavarësia ishte shpallur si ‘deklaratë’ pas negociatave, dhe sipas Planit të Ahtisaarit, e jo me vetëvendosje nëpërmjet referendumit. Vetëvendosja e sjell pavarësinë si të drejtë të një populli të kolonizuar, dhe jo si një dhuratë prej lart dhe nga jashtë. Kur vullneti i popullit realizohet përmes vetëvendosjes, askush nuk mund të bëjë kompromis me këtë vullnet, pa e pyet popullin. Në këtë mënyrë, permes referendum fuqizohet populli, kurse politikanët bëhen të kontrollueshëm. Kushtetuta e Kosovës është vetëm një udhëzim administrativ për Planin e Ahtisaarit. Kjo kushtetutë na e mohon sovranitetin dhe pamundëson demokracinë, na e mohon të drejtën për ushtri, i jep Planit të Ahtisaarit përparësi mbi Kushtetutën, i jep kompetenca ekzekutive EULEX-it dhe ICO-së, të cilat janë mbi ligjin, dhe e interpretojnë ligjin, Planin e Ahtisaarit, tha Glauku. Kjo kushtetutë na e mohon identitetin kombëtar dhe e mundëson ndarjen e Kosovës nëpërmjet decentralizimit etnik. Glauku në vazhdim foli edhe për EULEX–in i cili do të jetë neutral ndaj statusit dhe i bazuar në rezolutën 1244 dhe, për më keq, po shtrihet në veriun e Kosovës sipas kushteve të Serbisë vetëm pasi që është pranuar 6 Pikëshi i Ban Ki moon–it dhe për zbatimin e tij.


Albini kryesisht foli për decentralizimin e posaqërisht për rrezikun që i kanoset Anamoravës nga ky projekt dhe për sfidat që e presin popullin tonë në vitin 2009 e 2010. Serbia dëshiron që të konsolidohet në Anamoravë ashtu sikurse është tani në veriun e Kosovës, e këtë ia mundëson decentralizimi. Sfidat kryesore që e presin popullin tonë janë pikërisht decentralizimi, negociatat me Serbinë për realizimin e 6 Pikëshit mandej privatizimi i ndërrmarrjeve kryesore publike dhe kriza globale financiare. Për t’i kapërcyer ato duhet organizim dhe mobilizim i madh i popullit. Duhet të organizohen fshatrat e banuara me shqiptarë e që parashihen të jenë pjesë të komunave serbe, duhet të organizohet qyteti i Gjilanit dhe qytetet e tjera të rrezikuara, që në asnjë mënyrë të mos e pranojnë decentralizimin etnik. Kjo të bëhet përmes formave të ndryshme paqësore si peticionet, protestat e demonstratat masive në Prishtinë por edhe në të gjitha qyetet tjera theksoi Albini.


Në vazhdim fjalën e mori veprimtari, Ferid Ramadani, nga Kërçova e Maqedonisë, i cili gjithashtu tregoi për gjendjen e rëndë dhe diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve nga shteti maqedon. Ai theksoi se edhe atje decentralizimi po i ndan shqiptarët. Në debat u inkuadrua edhe Mustafë Shaqiri nga Presheva, i cili tani jeton në Gjilan, si shumë bashkëluftëtarë të tjerë të tij në pamundësi që të jetojnë në trojet e tyre. Serbia po vazhdon me dhunë e represion ndaj shqiptarëve, në mëyrë që ata të shpërngulen për në Kosovë dhe, në këtë mënyrë, më leht t’i realizojë planet e saj ekspansioniste, tha Mustafë Shaqiri – komandant Shpëtimi.


Veprimtari nga Gjilani, Ismajl Kurteshi, foli për rrezikun që i kanoset Anamoravës nga decentralizimi. Gjilanit i zvogëlohet territori, i merren pasuritë dhe burimet natyrore e nëntoksore, e në këtë mënyrë i zvogëlohen të hyrat dhe i dëmtohet ekonomia. Nëse realizohet decentralizimi i tillë sipas Planit të Ahtisaarit, atëherë Gjilani do të metet enklavë shqiptare brenda komunave me shumicë serbe. Gjilani dhe Anamorava e kundërshtuan që në fillim decentralizimin me tryeza, peticione e demonstrata dhe ky kundërshtim duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, tha Ismajl Kurteshi.


Në debat kontribuan edhe Milazim Arifi (babai i dëshmorit Skifter Arifi), Rexhep Berisha ( babai i dëshmorit Nuhi Berisha) etj.


Tubime të tilla duhet të organizohen anembanë rajoneve të Kosovës, por sidomos nëpër komunat ku po përgatitet realizimi i decentralizimit. Këto tubime duhet të shërbejnë si mundësi të reja për t’u organizuar drejt parandalimit të decentralizimit etnik në Kosovë, sepse ky është plan që vjen nga Serbia me qëllim që të ndahet Kosova, dhe që strukturat paralele që nuk e pranojnë sovranitetin e Kosovës, të pajisen me pushtet.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera