Tubim me qytetarë në fshatin Plepas (ish Gërdovc) të Besianës

23 Jan 2009

Të martën duke filluar në ora 19:00 në fshatin Plepas (ish Gërdovc) të Besianës Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim me qytetarët e shumtë të interesuar për të diskutuar për situatën aktuale politike dhe sfidat që na presin në të ardhmen. Para të pranishmëve folën aktivistët Albin Kurti, Xhelal Sfeçla dhe Hysen Durmishi.


Albini iu drejtua të pranishmëve duke ua shpjeguar atyre katër sfida të mëdha me të cilat do të ballafaqohemi gjatë vitit: Negociatat me Serbinë për realizimin e 6 pikave të Ban Ki Moonit, decentralizimi si pjesë e realizimit të Planit të Ahtisaarit (si parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve lokale), privatizimi i ndërmarrjeve kryesore në Kosovë (Trepça, PTK, KEK- u dhe Aeroporti), si dhe kriza globale financiare e cila do ta godet edhe Kosovën. Albini po ashtu foli për bashkëveprimin me organizata e shoqata tjera për t’i ndalur këto projekte të dëmshme. Xhelali dhe e Hyseni folën rreth domosdoshmërisë së organizimit të qytetarëve për t’i ndalur këto projekte që e rrezikojnë të ardhmen tonë. Nëse qytetarët organizohen në demonstrata e protesta në Prishtinë por edhe në qytetet tjera, veçanërisht ata që jetojnë në vendbanimet më të rrezikuara, atëherë këto projekte mund të ndalen. Institucionet nuk po e bëjnë një gjë të tillë. Prandaj i mbetet qytetarëve të organizohen.


Debati që pasoi ishte shumë interesant. Të pranishmit ishin të shqetësuar me situatën dhe ishin të interesuar t’i diskutojnë këto çështje. Ibrahim Shabani interesohej të dinte më shumë për bisedimet me Beogradin, ndërsa Sokol Jakupi pyeti nëse janë të nevojshme zgjedhjet në Kosovë? Gafurr Shabani nuk ishte i bindur nëse 2500 pjesëtarë në FSK janë të mjaftueshëm? Sa i përket bisedimeve me Beogradin Albini tha se edhe më tutje është shumë aktuale parulla JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE! Këto bisedime, theksoi ai, po bëhen për realizimin e 6 pikave prandaj nuk duhet lejuar kurrsesi që të ndodhin sepse pasojat do t’i vuajmë ne dhe gjeneratat e ardhshme. Kërkesat për zgjedhje bëhen për të ardhur në pushtet ose për ta përforcuar pozitën në pushtet në mënyrë që ta vjedhin djersën e popullit e jo që ta përmirësojnë mirëqenien e qytetarit. Kosova ka nevojë për ushtri të saj e jo për këso lloj force që i përngjanë xhandarmërisë, tha Albini.


Ahmet Ademi pyeti nëse ka diçka të mirë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës? E mira e vetme prej kësaj shpallje është njohja ndërkombëtare prej vendeve më të fuqishme të botës. Deklaratat e njohjeve të këtyre vendeve janë më të fuqishme se vetë teksti i deklaratës së shpalljes që e bënë institucionet e Kosovës. Por Kosova më shumë se për njohje ndërkombëtare ka nevojë që ta shtrijë sovranitetin e saj në tërë territorin e saj. Blerim Dibrani interesohej rreth shtrirjes së EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ne kemi nevojë që institucionet e Kosovës të shtrihen në tërë territorin e Kosovës. Prania ndërkombëtare duhet të jetë në Kosovë në cilësinë e këshilluesit dhe ndihmuesit e jo si organ ekzekutiv me imunitet ndaj ligjit. Ruzhdi Rexhepi e pyeti Albinin se a është i mundur bashkimi kombëtar? Duhet të nisemi nga ajo se a është vullnet i yni e jo se a është i mundur. Kur është vullnet është gjithsesi i mundur. Duhet të bëjmë shumë hapa të vegjël para atij hapit final, si p.sh në shkollat gjithandej ku mësojnë shqiptarët të jetë një abetare, një libër leximi dhe një libër historie. Shteti shqiptar t’i pajisë me nënshtetësi të gjithë shqiptarët që nuk jetojnë në territorin e shtetit shqiptar; të bëhet shkëmbimi i studentëve; të organizohen ekskursione turistike të ndërsjella e shumë gjëra të tilla të vogla që i paraprijnë bashkimit kombëtar.


Në diskutim u paraqitën edhe shumë pjesëmarrës si Xhafer Jakupi, Ajet Hajdari, Nuhi Rexhepi, Sokol Jakupi, Alban Halili, Gafurr Shabani, Remzi Jakupi etj. Tubimi përfundoi duke diskutuar edhe tema tjera si varfëria, papunësia, mungesa e investimeve në ekonomi e sidomos në bujqësi e blegtori në mënyrë që të zvoglohet papunësia e kështu do të përmirësohej edhe mirëqenia e qytetarëve.


Ishte mendim i të gjithëve se kjo gjendje është e papranueshme prandaj duhet reaguar që kjo të përmirësohet. Populli është lodhur ekonomikisht dhe më nuk po i beson gënjeshtrat e politikanëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte ajo që vazhdimisht e ka paralajmëruar popullin për rreziqet dhe ka bërë çmos që t’i ndal ato rreziqe, prandaj ne do të jemi me ju u deklaruan të pranishmit.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera