Po rritet numri i demonstruesve kundër 6 pikëshit dhe EULEX-it

02 Dec 2008

40 mijë qytetarë të Kosovës iu përgjigjën demonstratës së organizuar nga mbi 20 organizata shoqërore. Kjo demonstratë ishte kundër 6 pikëshit që po i imponohet Kosovës dhe kundër EULEX-it i cili po zbarkon kundër vullnetit të popullit të Kosovës.


Demonstrata filloi në ora 12:00 nga Biblioteka Kombëtare, ashtu siç ishte planifikuar. Demonstruesit e mbledhur aty u nisën nëpër rrugën Nëna Tereze për të arritur te ndërtesa e selisë së UNMIK-ut/EULEX-it. Këto janë dy institucione që po ia zgjasin jetën Rezolutës 1244 dhe po e mbajnë gjallë Serbinë brenda Kosovës. Këtu folën Xhafer Xhaferi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Albin Kurti nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Demonstruesit e mbledhur ia refuzuan vizën hyrëse EULEX-it në Kosovë dhe e shpallën PSSP-në Lamberto Zannier persona non grata. Ndërkohë që të gjithë së bashku brohoritën JASHTË, duke kërkuar përjashtimin e EULEX-it dhe UNMIK-ut. Njëkohësisht në murin e UNMIK-ut kemi shkruar: UNMIKOLONIALIZËM dhe EULEX Made in Serbia.


Pastaj demonstrata vazhdoi rrugës Luan Haradinaj për të arritur te ndërtesa e Kuvendit dhe ajo e Qeverisë së Kosovës. Aty foli Naser Shatri, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe Avni Zogiani nga Organizata ÇOHU. Gjatë fjalimit të Avniut masa e njerëzve i ishte drejtuar institucioneve dhe brohoriste PO RRENI!. Me këtë qytetarët e Kosovës e dëshmonin se rrenat e politikanëve nuk funksionojnë dhe se populli i Kosovës është kundër tyre. Krahas brohoritjeve demonstruesit u binin pipave duke simbolizuar fundin e lojës për këta politikanë.


Këtë herë numri i demonstruesve ishte edhe më i madh se në demonstratën e 19 nëntorit. Përkundër rrenave dhe thirrjeve nga krerët institucional të Kosovës për të mos dalur në demonstratë, qytetarët e Kosovës e dëshmuan edhe një herë se janë për këtë vend dhe do t’i mbesin besnik vullnetit të tyre politik. Qytetarët e Kosovës janë të vendosur ta jetësojnë vullnetin e tyre në mënyrë aktive. Deri sa Kosova të bëhet e pavarur, sovrane dhe me integritet territorial.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera