Kundër Yves De Kermabon-it

13 Oct 2008

Objektivat e EULEX-it janë përshkruar në Veprimin e Përbashkët të Këshillit të BE-së (VPKBE) 5928/08, përderisa kompetencat e tij ekzekutive rrjedhin nga Aneksi IX i Planit të Ahtisaarit. EULEX-i do të operojë në gjyqësi, polici, kontroll të kufirit, dogana dhe shërbime korrektuese duke pasur edhe pushtetin ekzekutiv korrektues ndaj institucioneve të Kosovës. EULEX-i është themeluar si ‘operacion për menaxhimin e krizave’ që do të thotë se kriza mbetet por ajo vetëm duhet të menaxhohet.


Gjenerali francez, Yves de Kermabon, është emëruar si Kryesues i Misonit të EULEX-it, në bazë të VPKBE-së, me datë 4 shkurt 2008. Pra, ai është emëruar si kreu i EULEX-it para shpalljes së pavarësisë dhe EULEX-i do të jetë neutral karshi statusit të Kosovës (thuajse ai nuk është përcaktuar ende). Duke qenë neutral ndaj statusit (dhe jo neutral ndaj pavarësisë!), EULEX-i, në fakt, është kundër pavarësisë.


Yves De Kermabon është ushtaraku i shndërruar në burokrat. Ai është ushtaraku që e ftoi dhe e priti në Prishtinë gjeneralin serb Dragan Paskash në vjeshtën e vitit 2005, dhe i cili tash u shndërrua në burokrat që do të sundojë me Kosovën në mënyrë jodemokratike duke mos i dhënë llogari as institucioneve e as popullit të Kosovës.


Prandaj, Yves De Kermabon është i denjë për ta kundërshtuar me “J’accuse...!” të përdorur nga Emil Zola para 110 vjetëve lidhur me aferën Dreyfus. Në këtë poster shihet edhe fotografia e përbashkët e Kermabonit me Dragan Paskashin dhe arsyetimi për kundërshtimin e tij. Sot filloi ngjitja e posterëve kundër Yves De Kermabonit në Prishtinë e cila u parapri nga sqarimi i Albin Kurtit para mediave. Aktivstët e VETËVENDOSJE!-s përshkuan rrugët ”Nëna Tereze”, ”UÇK” dhe ”Luan Haradinaj” ku qytetarët shprehnin përkrahjen për aktivitetin tonë. Në ditët e ardhshme aksioni do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Janë mbi 3.000 posterë gjithsej që do të ngjiten gjithandej nëpër Kosovë.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera