Protestë kundër asgjësimit të materieve helmuese

11 Aug 2008

Sot, në orën 14:00 në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë disa qindra qytetarë janë mbledhur për të protestuar kundër formës së përzgjedhur të shkatërrimit të materialit disulfurik në qytetin e Mitrovicës. Këshilli Organizativ i Protestave dhe qytetarët e Mitrovicës janë kundër mënyrës se si institucionet e papërgjegjëshme të Kosovës kanë vendosur ta zgjidhin problemin e shkaktuar nga maunet me material disulfurik të cilat para më shumë se dy muaj janë sjellur në qytetin e Mitrovicës. Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka premtuar se së shpejti këto maune do të largohen nga Mitrovica, ndërsa tani përveç se këto materie helmuese nuk po largohen qeveria synon ta kryej edhe një krim kundër qytetarëve duke dashur që 60 ton vaj disulfurik t’i djegë në qytetin e Mitrovicës që do të shkaktonte një dëmtim masiv të shëndetit të qytetarëve si dhe një katastrofë ekologjike.


Halil Qela, anëtar i KOP-it tha se qytetarët kanë pritur mjaft shumë deri sot që Ministria e Ambientit ta zgjidh problemin e këtyre materieve dhe ne nuk kemi pritur nga institucionet që të bëjnë plane të na vrasin duke djegur këto materie në Mitrovicë në një fabrikë të stërvjetëruar dhe e cila nuk është e destinuar për të kryer procesin e asgjësimit të këtyre materieve. Prandaj, sot jemi mbledhur për të shprehur pakënaqësinë tonë, për të treguar se jemi të gatshëm të sakrifikojmë deri në largimin e këtyre materieve që ta mbrojmë jetën dhe shëndetin e fëmijëve tonë të cilat po na i helmojnë institucionet. Halili po ashtu tha se deri më sot askush nga personat përgjegjës nuk ka dalë para përgjegjësisë si dhe tregoi se me vendim të gjykatës është liruar nga burgu pronari i Prizma Oil, Sevki Kayserli, i cili i ka sjellur këto helme në Kosovë e që është dashur të jetë në burg për të vuajtur një dënim të gjatë për këtë krim të kryer.


Pastaj qytetarët marshuan deri të fabrika e Pajimeve dhe Procesit vend në të cilin është planifikuar të asgjësohet materiali disulfurik. Gjatë rrugës duke marshuar drejt këtij vendi një xhip i UNMIK-ut me disa policë të huaj që i shkonin prapa marshit, i fyen dhe deshën ti sheklin me veturë disa qytetarë.


Pas arritjes te fabrika, Faruk Mujka iu tregoi qytetarëve se ky është vendi ku duan ta shkatërrojnë vajin disulfurik e që do të kishte pasoja të rënda për qytetarët. Qytetarët simbolikisht ju dhuruan institucioneve një stufë të vjetër, duke thënë se kjo stufë është më e mirë se vendi ku ata kanë zgjedhur ta bëjnë asgjësimin e materialit disulfurik.


Para protestuesve foli edhe një nënë e cila tregoi se si të gjithë fëmijët e saj janë helmuar dhe shtrirë në spital nga helmimi me material disulfurik dhe kërkoi që nëse këto institucione kanë vetëm pak mëshirë ateherë duhet t’i shpëtojnë nga helmi fëmijët e Mitrovicës. Në fund Xhelal Sveçla tha se qytetarët nuk do të lejojnë asgjësimin e këtyre materieve askund në Kosovë dhe tha se nëse deri të enjten në ora 15:00 nuk largohen maunet me helm nga Mitrovica, KOP-i do t’i vazhdojë protestat ditën e premtë në orën 14:00 në sheshin “Adem Jashari”. Xhelali i ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera