Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e të gjithë përgjegjësve për helmimim nga maunet

30 Jul 2008

Të martën, rreth orës 14:00, para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicë ka vazhduar protesta e qytetarëve të Mitrovicë me kërkesën për largimin e menjëhershëm nga Kosova të mauneve me helm. Pas ndëshkimit të dy prej përgjegjësve për hyrjen e mauneve me helm dhe qëndrimit të tyre në Kosovë, Këshilli Organizativ i Protestave kërkon dorëheqjen dhe ndëshkimin edhe të përgjegjësve të tjerë lidhur me dëmet që po shkaktojnë maunet me helm dhe moslargimit të tyre të menjëhershëm nga Kosova. Halil Qela, anëtar i KOP-it tha para qytetarëve të pranishëm në protestë se KOP-i kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Ambietit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar, shefit të protokolit të qeverisë, Bekim Qollakut, si person i involvuar drejtprdrejt në këtë çështje, si dhe menaxherit të Trepçës, Nazmi Mikullovci, i cili është përgjegjës për vendosjen e mauneve me helm në Parkun Industrial “Trepça”, për të cilët ekzistojnë fakte që vërtetojnë bashkëpunimin e tyre në këtë krim. Po ashtu kërkohet përgjegjësi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti për intervenimin e dhunshëm kundër protestuesve gjatë protestave kundër mauneve me helm. Ndërsa, Basri Kajtazi anëtar i KOP-it tha se institucionet deri më sot nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për largimin e mauneve me helm të cilat po qëndrojnë që gati dy muaj në Mitrovicë e për të cilat që nga atëherë është premtuar gati çdo ditë se do të largohen së shpejti. Duke folur për pasojat që po shkaktojnë maunet me helm, Bastri Kajtazi akuzoi institucionet qendrore, e sidomos ato locale, duke përmendur Drejtorinë e Shëndetësisë e cila as deri më sot nuk ka dalur me një raport publik para qytetarëve për të treguar numrin e saktë të qytetaëve që janë helmuar nga maunet toksike, pastaj Drejtorinë e Bujqësisë e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të evidentuar dëmet e tokave bujqësorë të fshatrave Shupkovc, Rekë dhe lagjeve përreth qytetit, kopshtet dhe tokat e punueshme të të cilave janë shkatërruar nga helmi që po lëshojnë maunet. Po ashtu Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim nuk ka marrë asnjë hap për të vizituar firmat prodhuese përreth vendndodhjes së këtyre mauneve, punëtorët e të cilave janë helmuar duke i anashkaluar dëmet që u janë shkaktuar këtyre ndërmarrjeveve nga pamundësia për të punuar në kushtë të tilla. Ai përmendi edhe Inspektoratin e Veterinës i cili, edhe pse i informuar nga mediat dhe qytetarët, deri më sot nuk ka vizituar këto fshatra dhe lagje për të marrur mostrën e shpezëve të egra që kanë ngordhur masivisht nëpër këto vendbanime si pasojë e helmimit nga vaji disulfurik i mauneve. Ai tha se papërgjegjësia e këtyre institucioneve ka si pasojë të gjitha këto dëme të shkaktuara dhe këto institucione duhet të japin përgjegjësi ligjore, morale dhe politike. Duke i falënderuar qytetarët për pjesëmarrje në protestë KOP-i i thërret që nesër, në orën 14:00 para objektit të kuvendit komunal në Mitrovicë të vazhdojnë protestat deri në realizmin e të gjitha kërkesave.


Këshilli Organizativ i Protestave:


Banorët e lagjes “2 Korriku”, banorët e lagjes “Shupkofc”, Partia Ekologjike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Sindikata e Punëtorëve të Kombinatit Trepça”, Sindikata e pavarur e punëtorëve parapensionistë të Kombinatit “Trepça”, Bashkësia Islame, Këshilli i Studentëve të FXM-së, Këshilli i Studentëve të FSHTA-së, Këshilli Rinor i Mitrovicës, Qendra e Vëzhguesve “Trepça”, OJQ “Bregu i Veriut” dhe Radio Mitrovica.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera