Qytetarët protestojnë kundër pushtetit që po ua helmon jetën

28 Jul 2008

Të hënën në orën 14:00, para ndërtesës së kuvendit komunal në Mitrovicë ka vazhduar protesta e qytetarëve të Mitrovicës me moton - ta mbrojmë jetën dhe shëndetin nga institucionet të cilat po kontrabandojnë maune me helm me qëllim të përfitimeve personale të politikanëve. Protesta ka filluar me një aksion simbolik kur qytetarët hodhën në oborrin e kuvendit komunal tri boca me material disulfurik të improvizuar të sjellur nga banorët e fshatit Shupkovc, me qëllim që këto institucione të ndërgjegjësohen për helmimin dhe shkatërrimin e shëndetit që këto maune me helm po u shkaktojnë qytetarëve të Mitrovicës. Në këtë protestë foli Xhelal Sveçla, anëtar i KOP-it i cili tha se protestat do të vazhdojnë deri sa të realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe tregoi se si këto institucione po përpiqet të krijojnë huti te populli, duke dhënë premtime të rrejshme për largimin e mauneve herë duke thënë se do të largohen me 4 gusht, tjetri me 10 gusht e një tjetër pas përfundimit të procedurave të tenderit. Krejt kjo me qëllim të mashtrimit të qytetarëve për kinse largimin e shpejtë të këtyre mauneve me helm. Xhelal Sveçla po ashtu përmendi edhe dhunën e ushtruar nga njësitet e SHPK-së kundër protestuesve paqësor ditëve të kaluara dhe bëri një krahasim me rastin e fshatit Suhodoll, ku banorët serbë bllokojnë rrugët dhe ndërprejnë punën e institucioneve, dhe kjo nuk pasohen asnjëherë me intervenimin e policisicë. Kjo shpjegon se si në Kosovë aplikohen standarde të dyfishta e gjithëherë të diskriminuar mbeten shqiptarët. Mirëpo kjo nuk do të na ndalë asnjëherë në realizmin e qëllimeve dhe kërkesave tona, tha Xhelali.


Në këtë protestë fjalën e morën edhe disa qytetarë. Një nënë e fshatit Shupkovc, znj. Kadrie Kajtazi tregoi se si vetëm gjatë natës së kaluar fëmija i saj kishte vjellur 12 herë gjatë natës dhe kjo situatë për të dhe banorët e Mitroviës është bërë e padurueshme. Ajo i ftoi të gjitha nënat dhe fëmijët që të bashkohen edhe ditëve të ardhshme në protesta. Para protestuesve foli edhe minatori i Trepçës, Ramadan Beqiri, i cili tha se sakrifica e minatorëve të Trepçës dhe e popullit të Kosovës nuk ka qenë që të vijnë ditë të tilla kur institucionet politike të helmojnë popullin për qëllime të fitimeve personale. Ai tha se këto institucione janë të papërgjegjshme dhe se populli nuk mund të presë ditë më të mira prej sundimit të tyre. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve të Kosovës dita-ditës po bëhet më e vështirë nga rruga e gabuar nëpër të cilën po na shpiejnë këto institucione, prandaj është koha e ngritjes së ndërgjegjes së secilit prej nesh veç e veç që të bashkohemi për ta mbrojtur jetën, shëndetin dhe mirëqenien kolektive.


Këshilli Organizativ i Protestave:


Banorët e lagjes “2 Korriku”, banorët e lagjes “Shupkofc”, Partia Ekologjike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Sindikata e Punëtorëve të Kombinatit Trepça”, Sindikata e pavarur e punëtorëve parapensionistë të Kombinatit “Trepça”, Bashkësia Islame, Këshilli i Studentëve të FXM-së, Këshilli i Studentëve të FSHTA-së, Këshilli Rinor i Mitrovicës, Qendra e Vëzhguesve “Trepça”, OJQ “Bregu i Veriut” dhe Radio Mitrovica

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera