Arrestohen 17 protestues në Mitrovicë

22 Jul 2008

Shërbimi Policor i Kosovës prapë intervenon dhunshëm kundër qytetarëve. Kjo ndodhi në Mitrovicë sot, e martë 22 korrik, në Mitrovicë, ku qytetarët kishin dal për të protestuar kundër mbajtjes së vazhdueshme të maunave me materie helmuese afër shtëpive të tyre. Në këtë intervenim policia arrestoi dhunshëm 17 protestues paqësor.


Protesta e sotme ishte vazhdimësi e asaj të djeshmes. Të dielën në konferencën për shtyp të mbajtur nga Këshilli Organizativ i Protestave ishte bërë publik edhe orari i aktiviteteve kundërshtuese ndaj neglizhëncës së autoriteteve për ta menjanuar helmin nga Kosova. Në protest kemi deklaruar se gjatë tërë javës do të organizojmë protesta të njëjta, pra bllokim të rrugës magjistrale në kohë të caktuar. Dallimi i vetëm i protestave që do të organizoheshin në ditët në vijim ishte kohëzgjatja e tyre. Të hënën e patëm bllokuar rrugën për një orë, ndërsa sot për një orë e gjysëm. Për këtë kanë qenë të informuar të gjithë përmes mjeteve publike të informimit.


Dje policia nuk kishte intervenuar fare, përderisa sot ka intervenuar që në momentet e para të fillimit të protestës. Kjo tregon se policia kishte qenë e gatshme dhe duke pritur që të ushtrojë dhunë. Sigurisht se urdhëri ishte i tillë.


Intervenimi i policisë kundër protesuesve dërgon një sinjal të tmerrshëm për qytetarët e Kosovës – ne nuk kemi të drejtë ta ngrisim zërin e protestës madje as atëherë kur vendimet e pushtetit drejpërsëdrejti na e shkatërrojnë shëndetin tonë dhe, për më keq, atë të fëmijëve tonë. Pasi që e toleruan mbylljen hermetike të një pjese të qytetit tonë për neve banorëve të Mitrovicës, si dhe për të gjithë shqiptarët, ky pushtet tash po na e kufizon edhe lëvizjen dhe lirinë në pjesën e mbetur të Mitrovicës. Në disa rrugë nuk mund të dalim se po na arrestojnë, ndërsa në të tjerat frikësohemi të dalim se po na helmojnë. Qytetarëve të Mitrovicës u kanë mbetur vetëm hapësirat brenda shtëpive private ku mund të qëndrojnë. E edhe aty qëndrimi është i rrezikshëm për shkak se helmi nga maunat del në gjendje të gaztë dhe i përzier në ajër.


Një bllokim i tillë i rrugëve në pjesën veriore të qytetit do të tolerohej pa kurrfarë problem. Atje tolerohet madje edhe dhuna e hapur dhe vrasja e policëve. Ndërsa këtu bllokimi i rrugës ndëshkohet dhunshëm. A jemi duke jetuar të gjithë në një Kosovë dhe nën të njëjtin ligj? Duket se jo. Në njërën Kosovë tolerohet çdogjë përderisa je pjesëtarë i strukturave paralele të Serbisë ose nën komandën e tyre. Në Kosovën tjetër nuk guxon ta kundërshtosh madje as helmimin.


Ky intervenim i policisë ka për qëllim frikësimin e qytetarëve nga protestat e ardhme. Por ne ato nuk do t’i ndalim. Protestat mund t’i ndalë vetëm një gjë – largimi i menjëhershëm dhe i pakusht i mauneve nga territori i Kosovës. Përndryshe do të vazhdojmë me protesta. Ashtu siç kemi paralajmëruar.


Më poshtë i keni emrat e të arrestuarëve në protestën e sotme: Ilir Balaj, Bujar Voca, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Arbërie Krasniqi, Krenare Krasniqi, Lirim Gashi, Ardian Huli, Besnik Neziri, Kushtrim Tahiri, Lavdim Hajra, Marigonë Drevinja, Arbënor Sahiti, Gzim Rahova, Enver Voca, Shyqëri Fejzullahu.


Këshilli Organizativ i Protestave:


Banorët e lagjes “2 Korriku”, banorët e lagjes “Shupkofc”, Partia Ekologjike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Sindikata e Punëtorëve të Kombinatit Trepça”, Sindikata e pavarur e punëtorëve parapensionistë të Kombinatit “Trepça”, Bashkësia Islame, Këshilli i Studentëve të FXM-së, Këshilli i Studentëve të FSHTA-së, Këshilli Rinor i Mitrovicës, Qendra e Vëzhguesve “Trepça”, OJQ “Bregu i Veriut” dhe Radio Mitrovica.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera