Me diasporën

15 Jul 2008

Të shumtë ishin bashkatdhetarët e diasporës që ditën e martë, me 15 korrik, kishin mbushur sallën e konferencave të hotelit Grand, për t’iu bashkuar tubimit të VETËVENDOSJE!-s me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Në këtë konferencë të paraparë enkas për diasporën tonë të fuqishme gjithandej vendeve të perëndimit, bashkatdhetarët e pranishëm së bashku me shumë aktivistë të Lëvizjes biseduan gjerë e gjatë për situatën politike, hallet e qytetarëve si dhe gjendjen e rënduar ekonomike të Kosovës. Në krejt këtë mes u theksua sidomos rëndësia që diaspora ka pasur dhe ka në krejt procesin politik nëpër të cilin kemi kapërcyer si popull.


Aktivisti i VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, në fjalën e tij “Kah po shkojmë?”, vuri në pah perceptimin e padrejtë mbizotërues për diasporën shqiptare vetëm si instrument material dhe shfrytëzim financiar, gjë që e ka lodhur atë. Institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kurrfarë strategjie jo vetëm për ndalimin e fluksit të madh të rrjedhjes së trurit, por as që kanë ndonjë plan për thithjen e kapacitetit intelektual të diasporës sonë në të mirë të zhvillimit të Kosovës. Glauku tha që Kosova i është nënshtruar një odiseade kompromisesh që nuk kanë të ndalur as pas shpalljes së pavarësisë së Ahtisaarit më 17 shkurt. Fillimisht na futën në negociata, pastaj na e sollën kompromisin. Tash Serbia edhe i ka fituar koncesionet, edhe nuk po i pranon ato. I ka të sigurta, prandaj po lyp më shumë. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka shkop për Serbinë, prandaj, po pasojnë karrotat. Karrota e parë është qëndrimi i UNMIK-ut në Kosovë dhe letra e Ban Ki-moon-it. Serbisë po i bëhen edhe më shumë koncesione në polici, gjyqësi e dogana, krejt kjo në kurriz sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Dhe në mënyrë që të realizohet ky projekt, ka filluar procesi i dobësimit konstant të elementit shqiptar përbrenda Kosovës – shkombëtarizimi: heqja e flamurit tonë kombëtar, simbolit identitar dhe historisë së sakrificës kolektive; sanksionimi konstitucional i ndalimit për t’u bashkuar; suspendimi, pra serbizimi i kulturës sonë mesjetare ortodokse përmes eksterritorialitetit. Paralelisht me procesin politik negativ, Kosova po përjeton një rënie të përshpejtuar ekonomike. Aktivisti Visar Ymeri tregoi që 45% e popullit janë të varfër, kurse 16% jetojnë me më pak se 0.92 centë në ditë. Ky trend i varfërimit është gjithnjë në rritje, pasi kemi një ngritje të çmimeve prej 4.2%, përderisa të ardhurat e qytetarit të Kosovës kanë mbetur të njëjta. Në të njëjtën kohë në Kosovë hyjnë në tregun e punës shumë më shumë të rinj se që ka krijime të vendeve të reja të punës. Kosova shpenzon më shumë se shumica e vendeve tjera evropiane në shërbime publike, kurse më së paku në arsim, shëndetësi, banim dhe mbrojtje sociale. Kjo tregon se i kujt është pushteti politik dhe për çka shfrytëzohet ai, tha Visari. Pikërisht për shkak të kësaj prirjeje të institucioneve, kemi Kosovën si një vend shumë më të pasur me burime natyrore e njerëzore sesa shumica e vendeve evropiane, por me popullin e saj të varfër. Kemi një grusht njerëzish të politikës që po i shesin pasuritë natyrore dhe burimet publike ekonomike të Kosovës, por prej të cilave kanë përfitime vetëm një numër politikanësh servilë, dhe po aq pak korporatash të huaja.


Politika fiskale, vështirësitë elementare infrastrukturore dhe problemet e shumta procedurale në Kosovë janë kundër krijimit të ambienteve investuese për biznesin e interesuar. Prandaj, për të udhëhequr afarizëm të suksesshëm në Kosovë, duhet të varesh krejtësisht në kapitalin vetanak financiar me rrezikun permanent të kostos së lartë në investim, për arsye se ndihma e shtetit dhe lehtësimet që do të duhej t’ia bënte shteti biznesit, nuk ndodhin fare. Kështu u shpreh Fatmir Zymberi, udhëheqësi i kompanisë Scan Color/JYSK, i cili tregoi për vështirësitë dekurajuese që imponon strategjia e institucioneve politike karshi ndërmarrjeve biznesore. Të gjitha duhet t’i bësh vetë: që prej ujit e deri te energjia elektrike, sepse nuk mund të varesh në shërbimet e shtetit të Kosovës. Të gjitha këto probleme krijojnë një ambient të papërshtatshëm infrastrukturor për investuesit e jashtëm, por edhe për diasporën tonë, ngaqë kostoja e investimit pa asnjë lehtësim, është shumë e lartë, tha ai.


Albin Kurti iu drejtua të pranishmëve me fjalën e tij që vuri në thumb qeverinë e Kosovës, e cila diasporën e ka vetëm çështje retorike, por e cila nuk u ka krijuar emigrantëve shqiptarë madje as lehtësirat elementare, duke filluar që nga nxjerrja e dokumenteve të udhëtimit si dhe ato të identitetit. Ai tha që një qeveri e cila nuk është e mirë për popullin brenda, s’ka si të jetë e dobishme as për diasporën. Albini shpjegoi se si kriza politike dhe ekonomike është reflektuar edhe në shoqëri e cila është dobësuar shumë pikërisht në emër të shoqërisë civile me mijëra e OJQ-të e saj që zbatojnë politikat e donatorëve të ndryshëm. Ai tha se ngjashëm sikurse që kemi pavarësi pa sovranitet kemi edhe shoqëri pa qytetarë në kuptimin që shumica e njerëzve janë pasivë gjë që buron nga mungesa e vetëbesimit, vetërespektit apo të dyja këto. Organizimin e qytetarëve si forcë shoqërore për ndryshime Albini e parashtroi si çështje të domosdoshme dhe të realizueshme. Në fund, ai potencoi rëndësinë e afrimit me Shqipërinë si mënyrë për të zbrapsur apetitet në rritje të fqinjëve agresivë të shqiptarëve.


Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Norvegji dhe Irlandë, Vlora Haxhimehmedi dhe Adem Bërnica, prezentuan aktivitetet e Lëvizjes në Evropën Perëndimore dhe në SHBA si dhe mënyrat se si bashkatdhetarët do të mund ta ndihmonin veten dhe Kosovën me ç’rast gjithmonë do të mund të llogarisnin në potencialin dhe gatishmërinë e Qendrave të VETËVENDOSJE!-s në diasporë.


Shumë bashkatdhetarë u inkuadruan në diskutimet që pasuan prezentimet e veçanta duke shprehur brengosjen me situatën politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë. Ata theksuan moskokëçarjen e pushtetit vendor e ndërkombëtar për qytetarët e diasporës të cilët maltretohen për çështjen e dokumenteve duke paguar njëkohësisht shuma të pazakonshme parash për nxjerrjen apo vazhdimin e tyre. Një tjetër shqetësim i bashkatdhetarëve ishte edhe mungesa e llogaridhënies së të gjitha qeverive për kontributet e tyre të mëdha për Kosovën para, gjatë dhe pas luftës.


Veprimtari nga Zvicra, Xun Çetta, tha se bashkatdhetarët vazhdimisht po ftohen nga ata që nuk iu kanë borxh atyre (në këtë rast Lëvizja VETËVENDOSJE!) dhe jo nga ata që iu kanë borxh bashkatdhetarëve (elita politike në Kosovë). Bashkatdhetari tjetër Fatmir Haziri nga Gjilani, rrëfeu se si është kthyer nga diaspora dhe tash po merret me blegtori në Kosovë me mjaft sukses. Ai iu bëri thirrje bashkatdhetarëve që jo vetëm të ndihmojnë familjet e tyre në Kosovë me para që shkojnë në konsum por edhe të investojnë në Kosovë.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera