Mitrovica vazhdon të protestojë kundër helmimit

08 Jul 2008

Edhe sot qytetarët protestuan për të kërkuar heqjen e mauneve me helm nga qyteti i Mitrovicës. Qindra qytetarë nga Mitrovica u tubuan në ora 14:00 para ndërtesës së Kuvendit Komunal. Në këtë protestë para qytetarëve foli përfaqësuesi i Bashkësisë Islame i cili në emër të Këshillit Organizativ i falenderoi qytetarët për pjesëmarrje në këtë protestë.


Pas bllokimit 30 minutësh të ndërtesës së kuvendit qytetarët vendosën maskat kundër helmimit dhe vazhduan marshimin drejt Parkut Industrial "Trepça", ku janë të vendosura maunet me helm. Gjatë marshimit qytetarët brohoritën parulla të ndryshme si: duam gjelbërim jo helmim, nga veriu po na dëbojnë në jug po na helmojnë, duam bashkim jo helmim si dhe helmin ta merr qeveria jo populli. Pas arritjes në afërsi të terminalit doganor me kërkesën e qytetarëve u bllokua për 15 minuta rruga magjistrale Mitrovicë-Prishtinë. Pas përfundimit të kohës së përcaktuar për bllokimin e rrugës me kërkesën e qytetarëve Këshilli Organizativ vendosi që protesta të vazhdojë nesër nga ora 14.00 me bllokimin e rrugës magjistrale Mitrovicë-Prishtinë për një orë në të njejtin vend.


Këshilli Organizativ i Protestave dhe qytetarët e Mitrovicës do të vazhdojnë protestat e për çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave.


Këshilli Organizativ i Protestave:Banorët e lagjes "2 Korriku", banorët e lagjes "Shupkofc", Partia Ekologjike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Sindikata e Punëtorëve të Kombinatit "Trepça", Sindikata e pavarur e punëtorëve parapensionistë të Kombinatit "Trepça", Bashkësia Islame, Këshilli i Studentëve të FXM-së, Këshilli i Studentëve të FSHTA-së, Këshilli Rinor i Mitrovicës, Qendra e Vëzhguesve "Trepça", OJQ "Bregu i Veriut" dhe Radio Mitrovica.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera