Vazhdon protesta kundër helmimit

07 Jul 2008

Po të kishte treguar Bajram Rexhepi gjatë fushatës zgjedhore se do të sillte helm në Mitrovicë, asnjë qytetar nuk do t'ia kishte dhënë votën. Gjatë fushatës parazgjedhore ai u thoshte qytetarëve se, përveç që do ta bashkonte qytetin e Mitrovicës, ai do të përkujdeset edhe për mirëqenien dhe problemet e qytetarëve. Po shihet se Bajram Rexhepit dhe pushtetit qytetari iu duhet vetëm kur ata kanë nevojë për votën e tyre. Në një komunikatë të lëshuar para pak dite nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, thuhej: "Ne e ndajmë shqetësimin së bashku me popullatën". Qytetarët sot kanë nevojë që komuna t'ua largojë nga qyteti i tyre helmin që ua solli nëpërmjet maunave me acid disulfurik. Me sa dihet Kuvendi Komunal i Mitrovicës është aty që të gjejë zgjidhje për problemet elementare, e jo thjesht vetëm të ndajë shqetësimin së bashku me qytetarët.


Pra, përderisa institucionet komunale të Mitrovicës dhe institucionet qendrore nuk ua varin veshin protestave që qytetarët i organizojnë tash sa ditë kundër maunave të cilat dita-ditës rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, këta të fundit janë të vendosur që të mos i ndalin protestat deri në largimin e këtij rreziku serioz. Në vazhdën e këtyre protestave ishte edhe ajo e ditës së sotme, ku qindra qytetarë protestuan para Terminalit Doganor (afër fakultetit). Kërkesat e tyre tashmë janë shumë të qarta: largimi i këtyre maunave me helm, që po rrezikojnë shëndetin e popullates e veçanërisht të fëmijëve. Me këtë rast qytetarët bllokuan hyrjen për në terminalin doganor si dhe rrugën hyrëse për në qytetin e Mitrovicës për tridhjetë minuta. Ky bllokim i rrugës ishte edhe një mënyrë tjetër e shfaqjes së pakënaqësisë duke u zotuar se në protestën e ardhshme bllokimi do të jetë më afatgjatë. Në fund protestuesit u shpërndanë të qetë, duke paralajmëruar protestën e ardhshme nesër në ora 14:00 para Kuvendit Komunal.


Këshilli Organizativ i Protestave:Banorët e lagjes "2 Korriku", banorët e lagjes "Shupkofc", Partia Ekologjike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Sindikata e Punëtorëve të Kombinatit "Trepça", Sindikata e pavarur e punëtorëve parapensionistë të Kombinatit "Trepça", Bashkësia Islame, Këshilli i Studentëve të FXM-së, Këshilli i Studentëve të FSHTA-së, Këshilli Rinor i Mitrovicës, Qendra e Vëzhguesve "Trepça", OJQ "Bregu i Veriut" dhe Radio Mitrovica.


Këshilli Organizativ i Protestave

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera