Demonstratë në Mitrovicë kundër maunave toksike

04 Jul 2008

Këshilli Organizativ i Protestave për kundërshtimin e mauneve toksike vlerëson të suksesshme protestën e sotme kundër vendosjes dhe lejimit të qëndrimit të mauneve me acid disulfurik në qytetin e Mitrovicës. Para qindra protestuesve të të gjitha moshave së pari fjalën e mori Fehmi Ferati, i cili foli për rëndësinë e vetëdijee së lartë të qytetarë të pranishëm, të cilët edhe përkundër shiut, me vendosmëri protestuan e kundër mauneve helmuese që rrezikojnë shëndetin e banorëve të Mitrovicës. Me këtë rast, të gjithë protestuesit vendosën maskat për të treguar nivelin e rrezikshmërisë për jetën e njerëzve të këtushëm, për të cilin përgjegjëse kryesore janë institucionet e Kosovës. Në emër të Këshillit Organizativ të Protestave (KOP) kërkesat ultimative i lexoi Faruk Mujka. Këto janë:


    * Largimi i menjëhershëm i materialit toksik nga territori i Kosovës dhe që ky veprim të jetë i verifikueshëm.


    * Të paraqitet raporti zyrtar mbi përmbajtjen e saktë të mauneve.


    * Të identifikohet përgjegjësi direkt i sjelljes së mauneve në Kosovë dhe në Mitrovicë në veçanti, në mënyrë që ta dimë kujt t’i kërkojmë llogari për rrënimin e shëndetit tonë.


Faruk Mujka tha para demonstruesve se sikur të mos mjaftonte dëmtimi i shëndetit të qytetarëve nga tymi e pluhuri i termocentraleve, plumbi, cianidi, piriti e hekuri radioaktiv i gjithpranishëm në Mitrovicë e rrethinë, barnat e pakontrolluara si dhe ujërat e ndotura, tash institucionet na sollën edhe mauna toksike me materiale kimike të kontrabanduara.


Në protestë mbizotëruan parullat:


    * 9 vjet manipulim, tash edhe helmim


    * Nga veriu po na dëbojnë, në jug po na helmojnë


    * 1990 na helmoi Serbia, 2008 Qeveria


    * Duam gjelbrim, jo helmim


Si demonstrim i kësaj kërkese, protestuesit i dhanë komunës disa fidane, me shpresën se ata nuk do të vazhdojnë t`ua kthejnë me helm. Mbizotëroi zotimi se në rast se nuk përmbushen kërkesat e parashtruara nga demonstruesit, protesta do të vazhdojë qysh të hënen, më 7 korrik 2008, me fillim në orën 09:00, mbi baza të përditshme, deri në zgjidhjen definitive të problemit.


Këshilli Organizativ i Protestave, Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera