Trevjetori i VETËVENDOSJE!-s

12 Jun 2008

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi trevjetorin e themelimit dhe punës. Më 12 qershor 2005, dhjetëra djem e vajza aktivistë filluan aktivitetin “JO NEGOCIATA. VETËVENDOSJE!”. Ne kundërshtuam negociatat me Serbinë, duke e ditur ku çojnë ato. Pakoja e Ahtisaarit si prodhim i drejtpërdrejtë i këtyre bisedimeve ia la Serbisë nën qeverisje ¼ e territorit të Kosovës, e legalizoi ndarjen e Mitrovicës, e njohu të drejtën e rikolonizimit të Kosovës përmes “kthimit të qëndrueshëm” si dhe synon shkombëtarizimin e saj. Falë punës së vazhdueshme dhe aktivitetit këmbëngulës të VETËVENDOSJE!-s, veprimtaria jonë progresive filloi me shkrimin e parullave dhe arriti në demonstrata masive të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje.


Në oborrin ku gjendet zyrja e VETËVENDOSJE!-s janë ekzpozuar 100 fotografi nga veprimtaria e deritashme, pamje këto që tregojnë punën tonë të përditshme, aksionet, tubimet dhe demonstratat. Në konferencën për shtyp të mbajtur në orën 11:00, aktivisti Glauk Konjufca, shumë gazetarëve, dashamirëve, miqve e mbështetësve të VETËVENDOSJE!-s që kishin ardhur në këtë ngjarje, u tha se nëse Lëvizja nuk ka arritur t’i ndalë proceset politike që po çojnë drejt ndarjes së Kosovës, atëherë ajo me siguri që në luftën e saj ka fituar disa beteja. Glauku përmendi fshatin Cernicë që nuk gjendet në procesin e decentralizimit pikërisht për shkak të punës së palodhshme të VETËVENDOSJE!-s së bashku me fshatarët e organizuar dhe të vendosur të Cernicës për të mos hyrë në komunën serbe të Parteshit. Kjo ka shpërfaqur një mësim shumë të vlefshëm: që e ardhmja e Kosovës shumë më shumë varet nga puna dhe organizimi i vetë popullit se te fuqia e pushtetit.


Përgjatë tre vjetëve prej kur ekzistojmë, ne kemi organizuar 250 tubime nëpër fshatërat e Kosovës, qindra aksione kundër UNMIK-ut e IPVQ-ve si dhe dhjetëra demonstrata kundër negociatave me Serbinë, Pakos së Ahtisaarit Grupit Negociator e eksterritorialitetit, të cilat janë zhvilluar jo vetëm në Kosovë, por edhe New York, Gjenevë, Stokholm etj, tha Albin Kurti. Ai shpjegoi situatën e rëndë politike nëpër të cilën po kalon Kosova me UNMIK-un që po rrin dhe EULEX-in që po vjen. Kosovës po i shtohen padronët, kurse Serbisë edhe më shumë po i lirohen duart për veprime të papenguara brenda Kosovës. Kjo është arsyeja pse veriu i Kosovës është bërë edhe më i pavarur se ç’ka qenë para 17 shkurtit. Albini shpjegoi edhe tri drejtimet e ardhshme të veprimtarisë së VETËVENDOSJE!-s:


    * Pamundësimi i realizimit të decentralizimit etnik të Ahtisaarit në terren


    * Luftimi i misionit antidemokratik të ICO/EULEX-it që vetëm do ta zëvendësojë UNMIK-un


    * Organizimi i pakënaqësisë socio-ekonomike drejt mirëqenies për të gjithë dhe secilin


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera