Bërllokun në kontejnerë – për ta pastruar Kosovën

10 May 2008

Kumtesë nga demonstrata kundër zgjedhjeve të Serbisë më 9 maj


Qytetarët pjesëmarrës në demonstratë, dhe ata që e vëzhgonin atë nga anash, u aplaudonin me ëndje qeseve të bërllokut që fluturonin për të rënë në oborrin e selisë së UNMIK-ut në Prishtinë. Policët e ShPK-së tregonin huti, dhe ngurrim për të qëndruar aty. Pushteti i kishte urdhëruar të dalin para, por nuk mund t’ua kushtëzonte moskënaqjen me atë që e shihnin. Qytetarët e Kosovës po ia kthenin bërllokun UNMIK-ut, bërllok ky që UNMIK-u e kishte prodhuar tash e tetë vite. Derisa bërlloku hidhej në kontejnerin më të ri, dhe më të madh në Kosovë, ndërtesa e UNMIK-ut spërkatej nga aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me ujëra të zeza, të cilët kishin të shkruar në masakat e tyre kundër kundërmimit “…sepse UNMIK-u dhe Qeveria po qelben…”. Më 9 maj qytetarët e Kosovës po e pastronin vendin e tyre, duke e kthyer bërllokun në vend. E kush mund të jetë kundër kësaj? Përveç atyre që ishin brenda në kontejnerë – ata që ishin në anën e bërllokut dhe prodhues të tij.


Kështu filloi demonstrata e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Demonstruesit kishin vendosur që më 9 maj t’i thonë JO planeve të Serbisë për kantonizim të Kosovës, si dhe t’u dërgojnë një sinjal të gjithë atyre që po i konsiderojnë këto plane, se ato janë të papranueshme. Këto zgjedhje synojnë t’i legalizojnë dhe përforëcojnë me fuqinë e votës, strukturat kriminele dhe ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Mos pengimi i mbajtjes së tyre nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës nënkupton pranim indirekt tëi rezultateve të tyre, pranim ky i cili do të formalizohet më vonë, kur të fillojnë negociatat me po këto struktura të dala nga po këto zgjedhje. Këto zgjedhje janë hapi më gjigant drejt zbatimit të planit të qeverisë së Serbisë për ndarjen funksionale të Kosovës. Mos kundërshtimi aktiv i tyre nënkupton pajtim me këtë ndarje. Ky pajtim i heshtur i erdhi Serbisë nga UNMIK-u dhe Institucionet e Kosovës. Por jo edhe nga qytetarët e Kosovës. Ata demonstruan aktivisht kundër këtij plani, dhe kundër pajtimit të heshtur.


Qeveria e Kosovës, njëjtë sikur UNMIK-u, po u bëjnë bëmave të Serbisë sehir duke u arsyetuar se nuk ka çfarë të bëjnë. Në fjalën e tij para hedhjes së bërllokut dhe ujërave të zeza te ndërtesa e UNMIK-ut, aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti u tregoi katër hapat të cilat kanë mundur t’i ndërmarrin këto institucione, po qe se e kanë pasur ndërmend ta ndalin mbajtjen e zgjedhjeve. Albini tha se ata është dashur që “ShPK-ja ta ndalojë dhe pengojë ardhjen e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë; t’i arrestojë zyrtarët e Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë të cilët gjendet në territorin e Kosovës; të konfiskojë çdo material logjistik, politik, propagandistik zgjedhor nga Serbia; të kontrollojë objektet publike përbrenda Kosovës, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në pika vendvotimi për zgjedhjet e Serbisë. Për shkak se asnjëri nga këta hapa nuk është ndërmarrur, UNMIK-u por edhe Qeveria e Kosovës, është shndërruar në një konteiner masiv që prodhon bërllok. Ky bërllok po e mbyt Kosovën.”(Fjalimin e Albinit në tërësi e keni të bashkëngjitur) Pasi që përfundoi hudhja e bërllokut, aktivistë të Lëvizjes e varën në derën hyrëse në oborrin e UNMIK-ut, një pano që përmbante pesë arsyet pse UNMIK-u ishte një kontejner bërlloku (teksti në tërësi është i bashkëngjitur).


Pas kësaj demonstruesit vazhduan marshin drejt objekteve të Institucioneve të Kosovës (Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës). Aty qytetarëve të pranishëm iu drejtua aktivisti Glauk Konjufca. Ai i akuzoi Institucionet e Kosovës se po synojnë ta zhdukin vazhdimësinë historike të qenies shqiptare të popullit të Kosovës, dhe përpjekjes së tij për t’u çliruar, përmes procesit të shkombëtarizimit që e kanë filluar me ndryshimin e Flamurit të Kosovës. “Flamurin të cilin e mbajti në gji Isa Boletini kur po luftonte kundër Serbisë në veri të Kosovës, flamurin kuqezi për të cilin ra Adem Jashari me familje, këtë flamur me shqiponjën dykrenare mbi të cilin e bëri betimin Zahir Pajaziti, Shkëlzen Haradinaj e Fehmi Lladrovci, flamurin e Skënderbeut që ishte stema e UÇK-së, këtë flamur me të cilin i mbështollëm 2500 djem e vajza që dhanë jetën për Kosovën, pikërisht që në Kosovë ai një ditë të mund të valonte i lirë – këtë flamur, demonstrues të dashur, po përpiqen të na e mohojnë, por nuk do të arrijnë.” (Fjalimin e Glaukut në tërësi e keni të bashkëngjitur) Pas fjalimit të Glaukut edhe institucionet e Kosovës e pranuan në gjirin e tyre bërllokun që e kishin prodhuar, si dhe u qelbën me ujëra të zeza. Dhe në fund pesë arsyet (tekstin në tërësi e keni të bashkëngjitur).


Më pas demonstruesit u shpërndanë. Meqenëse policia nuk intervenoi, gjë që e lejoi realizimin e plotë të skenarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, asnjë person i vetëm nuk u lëndua, dhe nuk e pësoi në asnjë mënyrë tjetër. Qytetarët që kishin marrë pjesë në këtë demonstratë u larguan nga aty të kënaqur dhe të përmbushur – ata i kishin kundërshtuar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, dhe kishin vepruar kundër atyre. Për më tepër, ata i kishin kontribuar mjedisit politik të Kosovës, duke e mbyllur bërllokun që ishte hedhur jashtë kontejnerëve brenda grilave të selisë së UNMIK-ut dhe Institucioneve të Kosovës – këtyre kontejnerëve me arkitekturën më interesante në vend.


Lëvizja VETËVENDOSJE!


Fjalimi i Albin Kurtit në demonstratën e 9 majit kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë


Që prej qershorit të vitit 1999, UNMIK-u e ka toleruar praninë shtetërore, institucionale dhe administrative të shtetit serb në Kosovë. Strukturat e Serbisë në Kosovë kanë kontrolluar për nëntë vjet me radhë afërsisht një të katërtën e territorit të Kosovës. Tash, këto struktura po zyrtarizohen përmes zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Pas 11 majit, në 23 komuna të vendit tonë do të ketë kryetar paralel serb ndërsa në Kuvendin e Serbisë do të ketë deputetë serbë nga Kosova të cilët i përfaqësojnë atje madje edhe shqiptarët e Kosovës!


UNMIK-u tha nuk do t’i njoh zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë. Kjo do të thotë se do t’i njoh ato parlamentare. Mbi të gjitha, kjo është pikërisht drita e gjelbër për mbajtjen e të dy llojeve të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Çështja nuk është nëse i njeh apo nuk i njeh UNMIK-u këto zgjedhje, por nëse i ndal apo nuk i ndal ato. E, UNMIK-u nuk do t’i ndal. Dihet që zgjedhjet e një shteti brenda një shteti tjetër bëhen vetëm përmes postës dhe ambasadave dhe vetëm atëherë kur ato shtete e pranojnë njëra-tjetrën dhe kur qytetarët që votojnë për zgjedhjet e një shteti tjetër janë lojal ndaj shtetit në territorin e të cilit banojnë. Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë me 11 maj, pas okupimit të veriut të Kosovës nga strukturat e Serbisë, gjithsesi paraqet hapin e dytë serioz të cungimit të sovranitetit të Kosovës pa u bërë mirë ai.


Kjo sjellje e UNMIK-ut nuk është kurrfarë aksidenti. Policët e UNMIK-ut i kanë vrarë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn me 10 shkurt të vitit të kaluar. Asnjëri prej vrasësve nuk është akuzuar e dënuar. Policia e UNMIK-ut i përcjell dhe i ruan truprojet e MPB të Serbisë të cilët i ruajnë politikanët e Serbisë kur këta hyjnë lirshëm në Kosovë.


Gjykatësit e UNMIK-ut i kanë mbushur burgjet me ish pjesëtar të UÇK-së. Në burg janë edhe hajnat e imtë që nuk janë në politikë. Hajnat e mëdhenj janë në politikë dhe që të gjithë janë në liri.


Politika fiskale e UNMIK-ut i ka shkatërruar prodhuesit vendor dhe i ka privilegjuar tregtarët e huaj. Kosova importon 20 herë më shumë mallra sesa që eksporton.


Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, e ka rrogën 25.000 euro në muaj. Arsimtari e ka rrogën sa gjysma e çmimit të rrotës së xhipit të tij. Joachim Ruecker merr rrogë për një muaj aq sa merr arsimtari ynë për 11 vjet! Përderisa Ruecker-i nuk e shpenzon rrogën sepse i ka të gjitha të paguara, për arsimtarin tonë thuhet se duhet të jetë i lumtur që ka një vend pune meqenëse papunësia në Kosovë është 60%.


Ndërmarrjet shoqërore dhe publike po i shesin me shpejtësi dhe lirë. Në disa prej ndërmarrjeve ka më shumë vlerë malli nëpër depot e tyre sesa çmimi me të cilin janë shitur! Trepça është bllokuar për ta likuiduar. KEK-u po shkatërrohet për ta privatizuar por edhe për t’ia hapur rrugën Kosovës C ku janë përzier shumë politikanë të vendit e të huaj. Pasurinë nëntokësore në veri të Kosovës një institut gjerman e ka vlerësuar të jetë 25 miliardë euro. Së bashku me 14 miliardë tonë linjit që i ka Kosova sikur të shndërroheshin në energji elektrike, pasuria e gjithmbarëshme nëntokësore e Kosovës është gjithsej 100 miliardë euro. Nëse Kosova i ka 2 milionë e gjysmë banor atëherë çdo qytetar i Kosovës i ka 40.000 euro në nëntokën e Kosovës.


Neve na duhet ulësja në OKB dhe jo UNMIK-u në Kosovë. Njësoj, ne duam që me referendum të inkuadrohemi në BE dhe jo pa referendum të vijnë EULEX-i e Pieter Feith-i për të na sunduar në shtëpinë tonë.


Ne nuk jemi kundër serbëve por jemi kundër Serbisë dhe strukturave të saj në Kosovë. Ne nuk jemi kundër ndërkombëtarëve por jemi kundër burokratëve ndërkombëtar që kanë imunitet prej ligjit të cilin ata duan ta zbatojnë mbi ne. Ne nuk jemi kundër prezencës së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë por duam që kjo prezencë të jetë ndihmuese dhe këshilluese e kurrsesi autoritet suprem që qeveris me qeverinë e Kosovës dhe sundon mbi vullnetin e popullit.


Sot është dita e ngadhënjimit mbi fashizmin dhe ne po demonstrojmë kundër fashizmit shtetëror serb. Sot është dita e Evropës dhe ne po demonstrojmë për një Kosovë të lirë që ka të drejtën për të hyrë në BE dhe jo për një Kosovë të cilën misioni i BE-së e shndërron në një Bosnje të dytë.


Vullneti i popullit është për bashkimin e Kosovës, jo për ndarjen e saj; për zhvillim e mirëqenie, jo për varfëri e mjerim; për sovranitet e integritet territorial të Kosovës, jo për zgjedhje të Serbisë.


UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë mundur t’i ndërmarrin së paku 4 hapa për t’i ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë:


1. SHPK-ja ta ndalojë dhe pengojë ardhjen e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë


2. SHPK-ja të arrestojë zyrtarët e Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë të cilët gjendet në territorin e Kosovës.


3. Çdo material logjistik, politik, propagandistik zgjedhor nga Serbia, të konfiskohet nga SHPK-ja


4. Objektet publike përbrenda Kosovës të kontrollohen nga SHPK-ja, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në pika vendvotimi për zgjedhjet e Serbisë.


Për shkak se asnjëri nga këta hapa nuk është ndërmarrur, UNMIK-u por edhe Qeveria e Kosovës, është shndërruar në një konteiner masiv që prodhon bërllok. Ky bërllok po e mbyt Kosovën. Prandaj, tash këtë bërllok të grumbulluar nëpër Prishtinë jashtë konteinerëve do të hedhim pikërisht ku e ka vendin: në konteinerin më të madh në Kosovë, në UNMIK.


Fjalimi i Glauk Konjufcës në demonstratën e 9 majit kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë


Demonstrues të dashur dhe ju qytetarë të nderuar,


Ja tek mbërrijtëm edhe përpara qeverisë falë të të cilës sot është bërë e sikletshme të thuash jam qytetar i Republikës së Kosovës. Sepse dikush me të drejtë do t’iu pyes: a je ti qytetar i atij vendi ku Serbia iu vrau e dhunoi, iu shkatërroi e iu dëboi, tokën e Kosovës ua copëtoi dhe tash qeveria juaj po e lejon këtë shtet të vetëdeklaruar armik që t’i mbajë edhe zgjedhjet e saj brenda vendit tuaj. Më thoni ju, qytetarë të dashur, a nuk është e turpshme të kesh udhëheqës të cilët po i lejojnë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, sepse kanë zgjedhur pozicionin e rehatisë së interesave vetjake, në vend të vullnetit tonë të përbashkët? Politikanë që ua ka zënë frymën luksi, teksa popullin e mbyti varfëria.


Qeveria e Kosovës është vënë në funksion të një plani që nuk është yni. Ky plan do t’i japë autonomi territoriale dhe institucionale Serbisë brenda Kosovës. Dhe do ta shkombëtarizojë Kosovën. Flamurin të cilin e mbajti në gji Isa Boletini kur po luftonte kundër Serbisë në veri të Kosovës, flamurin kuqezi për të cilin ra Adem Jashari me familje, këtë flamur me shqiponjën dykrenare mbi të cilin e bëri betimin Zahir Pajaziti, Shkëlzen Haradinaj e Fehmi Lladrovci, flamurin e Skënderbeut që ishte stema e UÇK-së, këtë flamur me të cilin i mbështollëm 2500 djem e vajza që dhanë jetën për Kosovën, pikërisht që në Kosovë ai një ditë të mund të valonte i lirë – këtë flamur, demonstrues të dashur, po përpiqen të na e mohojnë, por nuk do të arrijnë. Sepse nuk ka arritur askush deri sot. Dhe kjo qeveri është vënë këmbë e duar në udhëheqje të këtij procesi. Ai që e trajton flamurin e tij si të ishte një leckë, ai e mohon edhe kombin, ai e ndërron edhe gjuhën, për të historia nuk ka kuptim, ai e çarmatos UÇK-në dhe e shuan TMK-në, ai pranon decentralizimin dhe copëtimin e Kosovës, ai nuk e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve të shtetit armik… sepse për të ka diçka më të rëndësishme se kombi, më të çmueshme se Kosova, më me interes se populli i vet, e kjo është vetvetja: pallatet e tyre, makinat luksoze, tenderët dhe paratë e pista.


Ky vend, ashtu siç edhe UNMIK-u, që moti janë duke funksionuar si konteiner masiv që vetëm bërllok di të prodhojë për Kosovën. Prandaj ne, qytetarët e fyer të Kosovës, sot po e hedhim bërllokun që kjo qeveri e ka prodhuar gjatë gjithë kohës, dhe po e kthejmë atë pikërisht ku e ka vendin.


5 ARSYET – UNMIK


1. Ju e lejuat Serbinë t’i djeg dhe menjanojë tërësisht pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Tash hyrja prej Serbisë në Kosovë bëhet pa kurrfarë pengese.


2. Ju i lejuat strukturat paralele të Serbisë t’i okupojnë objektet e gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës. Gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë ende nuk po u lejohet të shkojnë atje.


3. Ju i lejuat politikanët e Serbisë të shëtiten pa kurrfarë pengese nëpër territorin e Kosovës. Madje edhe po u ofroni mbrojtje.


4. Ju e filluat procesin negociator për Kosovën, prapa shpinës së popullit të Kosovës.


5. Ju i lejuat strukturat paralele të Serbisë ta ndajnë ShPK-në në dysh, me çka e filluat ndarjen funksionale të Kosovës, sipas kërkesës së Serbisë.


Qysh moti e keni bërë vërtetë bërllok.


Tash po e lejoni Serbinë të mbajë zgjedhje në Kosovë.


Këtë herë e keni qelbur fare.


Dhe, po qelbeni!


5 ARSYET – Institucionet e Kosovës


1. Ju e miratuat, pa kurrfarë debati, dhe në kundërshtim me vullnetin, interesat, madje edhe kërkesat e qytetarëve, Kushtetutën e Kosovës. Me këtë qysh pa e zbatuar, ju e cenuat sovranitetin e Kosovës.


2. Ju i miratuat pa kurrfarë debati ligjet që dalin nga Plani i Ahtisaarit të cilat e copëtojnë Kosovën përbrenda, ia cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe na e rrezikojnë të ardhmen.


3. Ju na e kontabanduat një flamur shterpë me të cilin po synoni të na shkombëtarizoni.


4. Ju po ia vazhdoni robërinë Kosovën duke i thirrur dhe pranuar misionet e vjetra e të reja ndërkombëtare për ta qeverisur Kosovën. Ju nuk po e lejoni Kosovën të pavarësohet.


5. Ju dështuat ta mbroni integritetin territorial të vendit duke e lënë Serbinë që Kosovën ta shfrytëzojë si poligon të shprehjes së mllefit të tyre, dhe për zbatimin e projekteve të tyre.


Qysh moti e keni bërë vërtetë bërllok.


Tash po e lejoni Serbinë të mbajë zgjedhje në Kosovë.


Këtë herë e keni qelbur fare.


Dhe, po qelbeni!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera