Politikanët nuk po i tuten popullit

07 May 2008

Amfiteatri i Fakultetit Teknik, të mërkurën, ishte vendi i një debati tjetër fare. Aty, studentët e mbledhur, i dëgjuan fjalët e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për domosdonë e organizimit gjithëshoqëror për ta ndalur Serbinë dhe zgjedhjet e saj në Kosovë.


Tubimin, që filloi në ora 13:00, e hapi aktivisti Visar Ymeri. Në fjalën e tij, Visari foli për historikun e shkurtër të zhvillimeve politike në Kosovë, zhvillime këto që i kanë paraprirë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë dhe nënshtrimit të turpshëm politikanëve të Kosovës karshi Serbisë dhe diplomatëve të huaj. Visari e quajti planin e Ahtisaarit heqje të derës për hyrjen e pakontrolluar të Serbisë në Kosovë. Përmes këtyre zgjedhjeve, si dhe investimeve që Serbia po i bën në infrastrukturë nëpër pjesë të veçanta të Kosovës, politika e Beogradit po e krijon situatën e re në terren, për ta përmirësuar pozitën e vet në negociata të cilat do të vijnë në të ardhmen. Këto zgjedhje do të prodhojnë struktura udhëheqëse të serbëve të Kosovës, të cilat do ta vazhdojnë kushtëzimin e mos integrimit të serbëve të Kosovës këtu. Ky mosintegrim ia shtron rrugës kantonizimit të Kosovës, apo siç po e quan Serbia, ndarje funksionale të Kosovës: struktura të ndara të pushtetit, infrastrukturë të ndarë ekonomiko-shoqërore dhe administrative, kontroll centralist nga Beogradi. Kjo është më keq se në Bosnje dhe Hercegovinë.


Pas kësaj fjalën e mori Albin Kurti, i cili u përqendrua në rëndësinë e demonstratës së 9 majit, dhe mobilizimit të qytetarëve të Kosovës në përgjithësi. Ai i thirri studentët që të organizohen nëpër vendbanimet e tyre dhe t’i pengojnë proceset e dëmshme që po synojnë t’i zbatojnë në Kosovë, veçanërisht decentralizimin e ‘eksterritorialitetin.’ Këto procese e rrezikojnë seriozisht të ardhmen e Kosovës dhe fëmijëve tanë. Krahas tyre, këtë të ardhme e rrezikon edhe mjerimi dhe degradimi i vazhdueshëm ekonomik e social, i cili në Kosovë e ka vetëm një drejtim – teposhtë. Albini u tha studentëve se studimet e tyre dot ë kenë kuptim vetëm atëherë kur ato diploma do të mund të funksionalizohen në ekonominë e Kosovës. Në gjendjen ekzistuese nuk ka vend për të diplomuarit, për shkak se Kosova ka vetëm import dhe stagnim ekonomik.


Studentët e Teknikut ishin të interesuar për mundësinë e ndaljes së këtyre proceseve, dhe zgjedhjeve, me demonstratën e 9 majit. Përgjigja e Albinit në këtë brengë të studentëve ishte se demonstatat natyrisht masive dhe të qëndrueshme fillimisht i zbrapsin planet e Serbisë, para se t’i zhdukin ato. Demonstrata e 9 majit është e rëndësishme për shkak se kjo demonstratë do të dërgoj sinjalin nëpër botë se kantonizimi i Kosovës nuk është i pranueshëm për popullin. Po qe se heshtim tash, bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë këtë si pranim i copëtimit të brendshëm. Përderisa Serbia do ta kuptojë heshtjen tonë si dritë të gjelbër për zbatimin e planeve të saj. Rezistenca na bën më vital si popull. Për më tepër ajo ua kushtëzon politikanëve të na tuten, dhe rrjedhimisht të na dëgjojnë.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera