Zgjedhjet e Serbisë cenojnë sovranitetin e Kosovës, thonë studentët

06 May 2008
Zgjedhjet e Serbisë të cilat po planifikohet të organizohen brenda territorit të Kosovës, janë hapi më serioz i shkeljes së sovranitetit të vendit tonë nga Serbia, pas okupimit që Serbia ia ka bërë veriut të Kosovës nëpërmjet strukturave të saj paralele. Kështu e hapi fjalimin të tij aktivisti Glauk Konjufca përpara shumë studentëve të Fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik, që kishin ardhur në tubimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai tha që së pari UNMIK-u ka toleruar ekzistencën e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, edhe pse gjithmonë i ka konseideruar ato madje edhe në kundërshtim me Rezolutën 1244. Më pas vetë UNMIK-u ta ndejtur duarkryq kur po këto struktura kanë spastruar veriun e Kosovës, duke dëbuar 12.000 shqiptarë nga atje. Negociatat në Vjenë kanë rezultuar me planin e decentralizimit që paraqet legalizim të këtyre strukturave, duke ua dhënë atyre pushtetin komunal në 4 komuna tjera, përveç atyre 5 eksistuese që aktualisht i kontrollon Beogradi, tha Glauku.


Albin Kurti iu tha studentëve që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë po tolerohet nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, të cilat UNMIK-ut i janë bërë bisht. Albini shpjegoi 4 mënyra praktike qysh të ndalen zgjedhjet e Serbisë brenda Kosovës:

- SHPK-ja duhet ta ndalojë dhe pengojë ardhjen e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, veprimtaria e të cilëve konsiderohet armiqësore dhe me qëllim të shkeljes dhe rrënimit të sovranitetit të Kosovës dhe instrumentalizimin e pakicës serbe për qëllime të tilla

- SHPK-ja duhet të arrestojë çfarëdo personi që vjen nga Serbia dhe i cili gjendet në territorin e Kosovës me qëllim të organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, qoftë ai nga strukturat organizative zgjedhore, qoftë nga komisioni i zgjedhjeve të Serbisë

- Objektet publike përbrenda Kosovës duhet të kontrollohen nga SHPK-ja, që ato të mos shndërrohen nga Serbia në pika vendvotimi për zgjedhjet e saj

- Çdo material logjistik, politik, propagandistik zgjedhor në funksion të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duhet konfiskuar nga SHPK-ja

Por, që kjo të lehtësohet, fillimisht SHPK-ja duhet të bëhet polici e Kosovës nën kompetencën e Ministrisë së Brendshme, e jo polici e shtyllës së parë të UNMIK-ut, siç është tani.

Studentët e ekonomikut, e sidomos ata të juridikut, të cilët ishin edhe profesionalisht të familjarizuar me dukurinë politike të shkeljes së sovranitetit të Kosovës nga mbatja e zgjedhjeve të një shteti tjetër (në këtë rast armik), u pajtuan që populli duhet ta ngrisë zërin kundër këtyre zgjedhjeve me demonstrata. Me protesta të cilat drejtohen kundër këtyre zgjedhjeve po aq sa drejtohet pikërisht kundër institucioneve të cilat kanë edhe kompetencat, por edhe mundësinë teknike për ndaljen e tyre. Studentët u zotuan se do të bashkëngjiten në demonstratën e VETËVENDOSJE!-s më 9 maj.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera