Samadrexha kundër zgjedhjeve të Serbisë

05 May 2008

Të shtunën, më 3 maj, në lokalet e shkollës fillore “Lumni Surdulli”, të fshatit Samadrexhë, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim me qytetarë. Aktivisti i kësaj Lëvizjeje Albin Kurti, foli rreth problemeve aktuale në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Zgjedhjet që Serbia përgatitet t’i mbajë më 11 maj edhe brenda territorit të Kosovës, janë pasojë e negociatave produkt, i të cilave është Pakoja e Ahtisaarit. Si rrjedhim, këtë dualizëm të pushtetit e lejon edhe Kushtetuta e Kosovës e cila njëkohësisht minon pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit.


Albini tha se në vend që Kosova më në fund ta marrë fatin në duart e saj nga UNMIK-u (i cili as që ishte dashur të vinte fare), Kosovës po i shtohet edhe një mision tjetër qeverisës, ai i BE-së (ICO/EULEX). Ky mision ia mohon Kosovës vetëvendosjen e brendshme, sepse në vend që vetë populli të deklarohet për rregullimin politio-shoqëror nëpërmjet referendumit, Kosova i është nënshtruar ndarjes etnike e institucionale, shkombëtarizimit dhe rënies së përshpejtuar ekonomike. Nuk ka rrugëdalje tjetër nga kjo gjendje e rëndë, pa imponuar vullnetin tonë politik si popull, tha Albini, dhe shtoi se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet padëgjueshmërisë masive qytetare, demonstratave gjithpopullore kundër shtypjes politike, që po sjell krizë ekonomike, protestave të grupeve shoqërore e kulturore të cilat kanalizojnë pakënaqësinë e tyre në fronte të përbashkëta.


Gjatë debatit u vërejt se pjesëmarrësit ishin mirë të njohur me gjendjen aktuale dhe parashtruan pyetje për zgjidhjet e mundshme të këtyre problemeve. Fshatarët e Samadrexhës njëzëri kundërshtuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke shprehur pezmin e tyre sidomos kundër UNMIK-ut i cili po i toleron këto zgjedhje kur, në të vërtet, ka mundësi t’i ndalojë ato. Ata u pajtuan që mënyra më e mirë për popullin që të shprehet kundërshtimi ndaj këtyre zgjedhjeve është demonstrimi. Në fund të tubimit, atyre iu bë thirrje që të marrin pjesë në demostratën tonë të radhës kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, që do të mbahet të premten më 9 maj, në Prishtinë.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera