Brusi strategjik

04 May 2008

Në vazhdën e takimeve me qytetarë që Lëvizja VETËVENDOSJE! po organizon anekënd Kosovës është edhe fshati Brus në komunën e Lypjanit. Brusit i mungojnë kushtet elementare për jetesë. Nuk ka infrastrukturë rrugore, nuk ka vende ku të rinjtë mund të zhvillojnë jetërat e tyre, nuk ka aktivitet të organizuar ekonomik. Të shtyrë nga hallet dhe jeta e vështirë shumë banorë tashmë janë shpërngulur, kryesisht në qytet, gjë që e ka lënë Brusin me vetëm pesëdhjetë familje.


Të mbledhur në shkollën e fshatit e cila ishte rreth pesë kilometra larg nga shtëpitë, në një ambient mjaft të ngrohtë diskutimin e nisi iniciatori i këtij tubimi Nazim Gashi, njëherit edhe imam i fshatit. Ai duke iu uruar mirëseardhje bashkëshatarëve i njoftoi se arsyeja kryesore për të cilën ishin ftuar aty ishte procesi i decentralizimit dhe veçanërisht pozita kyqe që ka Brusi pas formimit të komunës me shumicë serbe të Graçanicës dhe trefishimit territorial të Artanës. Pastaj e mori fjalën aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti i cili u shpjegoi fshatarëve se procesi i decentralizimit nënkupton që pushteti të kalojë sa me afër nevojave të qytetarëve pavarësisht përkatësisë kombëtare të tyre. Mirëpo në Kosovë përderisa nuk zhbëhen strukturat paralele të Serbisë, pushteti jo që nuk do t’iu afrohet qytetarëve, por do të largohet edhe më shumë duke shkuar drejtpërdrejt në Beograd. Për ta penguar decentralizimin që po e fut Serbinë thellë brenda territorit të Kosovës, fshati Brus është i rëndësisë së veçantë pasi që shkëput vazhdimësinë territoriale në mes të komunave të Graçanicës që parashihet të formohet dhe trefishmit territorial të Artanës sipas planit të Ahtisaarit.


Albini gjithashtu u fokusua në gjendjen e rëndë ekonomike të vendit. Këtu ai vuri theksin te politika e dëmshme fiskale. ”Përderisa prodhuesit vendor janë të detyruar të paguajnë doganë 10% për lëndën e parë, produkti i njëjtë final vjen nga Serbia pa kurrfarë takse doganore dhe në këtë mënyrë prodhimet vendore nuk mund ta përballojnë një konkurrencë të tillë diskriminuese”, u tha Albini të pranishmëve. Arsyeja kryesore pse vendi është katandisur në gjendje të tillë ështe sundimi i Kosovës nga burokratët ndërkombëtar të cilët nuk i ka zgjedhur askush. Qëllimi i këtyre burokratëve dhe shefave të tyre është stabiliteti e jo zhvillimi e progresi.


Më pas fjalën e mori aktivisti tjetër i Lëvizjes Hysen Durmishi i cili foli për nevojën e organizimit të fshatit Brus në veçanti për shkak të specifikave të tij dhe të Kosovës në përgjithësi, kundër procesit të decentralizimit, gjithë pakos së Ahtisaarit dhe trendeve negative ekonomike dhe shoqërore. Me të filluar debati fjalën e mori Isa Gashi, një burrë rreth të gjashtëdhjetave prej të cilit mësuam një gjë shumë shqetësuese. Edhe pse Brusi është fshat i komunës së Lypjanit, policët serb të stacionit të Graçanicës vazhdimisht i provokojnë ata duke i kontrolluar, në mënyrë që të ushtrojnë presion sa më të madh për t’u shpërngulur nga aty. Ivan Gashi gjithashtu shprehu brengën e tij për provokimet duke u treguar i gatshëm për organizim me bashkfshatarët. Gjon Gashi u interesua për demonstratën që Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta organizojë kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, si dhe për të drejtën e dyshtetësisë përmes së cilës sikur fshihen institucionet. Albini ua shpjegoi fshatarëve se e drejta e dy shtetësisë ka kuptim kur dy shtete e njohin njëri-tjetrin, ndërsa Serbia jo që nuk njeh Kosovën por ajo haptas shpreh apetitet territoriale ndaj vendit tonë. Pra, mbjatja e çfarëdo procesi zgjedhor, qoftë nacionale apo locale, përbën shkelje flagrante të sovranitetit të vendit. Kërkesat tona për këtë demonstratë janë:


1. Të mbyllet kufiri me Serbinë dhe ndalimi i politikanëve serb të hyjnë në Kosovë,


2. Konfiskimi i materialit dhe arrestimi i organizusve të këtyre zgjedhjeve.


3. Mos lejimi i shfrytëzimit të ndërtesave publike për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.


Duke u treguar të gatshëm për pjesëmarrje aktive në këtë demonstratë fshatarët e Brusit, të lenë pasdore nga pushteti, u zotuan se nuk do të heshtin asnjëherë kur janë në pyetje të drejtat dhe interesat e vendit.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Lypjan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera