Tubim në Mitrovicë

03 May 2008

Të shtunën, më 3 maj 2008, në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubim dhe debat me qytetarë për zhvillimet aktuale politike dhe për format e organizimit gjithëpopullor, në veçanti për demonstatën që do të mbahet më 9 maj në Prishtinë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.


Para qindra qytetarëve të pranishëm foli aktivisti Albin Kurti i cili shpjegoi pse zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë shkelje e rëndë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Albini tha se përveçqë shtëpia jonë është shumë e paqëndrueshme meqë po ndërtohet në themelet e Planit të Ahtisaarit, tash me këto zgjedhje Serbia po e ndërton shtëpinë e saj mu në oborrin tonë. Ai kritikoi ashpër institucionet e Kosovës për apatinë e tyre dhe mori shembullin e Debelldehut ku rezistenca e fuqishme e banorëve shqiptarë, moslëshimi pe i tyre që tokën t’ia japin Maqedonisë, dëshmon se populli ynë ka energji të pashterrshme dhe se problemi qëndron te elitat politike që në emër të përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve mbrojnë veçse interesa personale.


Albini foli edhe për Planin e Ahtisaarit i cili është një nga dokumetet më të padrejta dhe më të dëmshme në historinë tonë. Në këtë Plan kundër interesave shqiptare ndodhet baza e shkombëtarizimit të shqiptarëve, e tjetërsimit të identitetin kombëtar e qytetar, e cila materializohet me flamuj të përfituar me konkurs pa e pyetur fare popullin përmes referendumit. Në qendër të Planit të Ahtisaarit ndodhet decentralizimi, theksoi Albini, duke shtuar se ai parasheh ndarjen e brendshme të Kosovës përmes krijimit të komunave etnike serbe. I tillë është edhe rasti i ndarjes së qytetit të Mitrovicës dhe më pas pastrimi etnik nga ana e Serbisë me qëllim të zgjerimit të territorit të saj në dëm të shqiptarëve. E njëjta gjë parashihet të ndodhë edhe në rajonin e Anamoravës ku Serbia ka fituar komuna të reja: fshatra të tëra shqiptare mbesin brenda këtyre komunave dhe fati i tyre rrezikon të jetë i njëjti me atë të shqiptarëve të veriut të Mitrovicës.


Albini përmendi edhe rastin e vrasjes së ish pjesëtarit të UÇK-së, Hamdi (Imer) Begut, nga Bajska, i cili u masakrua para disa ditëve nga Branislav Rakiq me ç’rast ky krim u kalua shpejt e shpejt nga mediat kosovare shumicën e të cilave i ka kapluar vetëcensura gjithnjë e më e theksuar.


Qytetarët e pranishëm në këtë tubim u shprehën të pajtimit me konceptin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe thanë se zgjidhja e vetme që i mbetet popullit mbetet rruga e demonstratave masive gjithëpopullore. Ato janë mundësia e vetme për ndaljen e këtyre procese negative politike dhe dalja nga kursi i këtyre politikanëve që për interesa personale i kanë shitur interesat e popullit dhe të kombit. Më 9 maj është dita kur ne do të vazhdojmë të demonstrojmë për vullnetin tonë politik kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera