Vërbanasit kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

02 May 2008

Në vazhdën e zhvillimit të aktivitetit të përditshëm në lidhje me sensibilizimin e masave popullore për proceset tejet negative shoqërore e politike , të premtën, më 2 maj 2008, në odën e Sadik Musliut, e cila ishte e vogël për t’i zënë të gjithë ata të cilët ishin të interesuar, në Vërban të Vitisë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajtën tubim me banorët e këtij fshati.


Të pranishmëve iu drejtuan aktivistët Albin Kurti e Hysen Durmishi.


Albini elaboroi situatën politike në të cilën gjendet Kosova, duke vënë theksin në zgjedhjet që Serbia synon t’i mbajë në Kosovë, dhe në domosdoshmërinë e parandalimit të aplikimit të pakos së Ahtisaarit. Albini u tha të pranishmëve se është e domosdoshme që të marrin pjesë në demonstratën e 9 majit, dhe kështu t’i kundërshtojnë aktivisht zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.


Sipas Albinit, zgjedhjet lokale serbe që po synohet të mbahen edhe në Kosovë, në 23 komuna të Kosovës, do të rezultojnë me dualizma të pakapërcyeshëm në aspektin e udhëheqjes nëpër nivele lokale. Sepse kjo i bie që p.sh. në Viti krahas kryetarit Nexhmedin Arifi do të jetë edhe një kryetar i serbëve të kësaj komune. Kjo pashmangshëm do të sajojë një situatë të re në të cilën negociatat në mes shqiptarëve dhe serbëve do të jenë të domosdoshme.


Andaj, meqë institucionet e Kosovës tashmë janë pajtuar me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, është e domosdoshme një demonstratë në të cilën populli i Kosovës do të kundërshtonte fuqishëm mbajtjen e tyre. Pra, këto institucione nuk janë të pavarura dhe Kosova nuk është e pavarur substancialisht me vet faktin që nuk po mund ta ndalin këtë patologji neveritëse.


Një tjetër temë e cila zgjoi kurreshtje te të pranishmit ishte edhe decentralizimi, për të cilin u foli Hysen Durmishi. Ai tha se përmes këtij plani një numër i konsiderueshëm i fshatrave të Kosovës të banuara me shqiptarë do të futën në komuna sërbe.


I tillë është rasti me fshatin Mogillë të Vitisë, i cili me planin e Ahtisaarit parashihet të jetë pjesë përbërëse e komunës së Kllokot - Vërbovcit. Sajimi i kësaj komune ndanë Vitinë në dy pjesë. Banorët e fshatit Skifteraj duhet të kalojnë nëpër këtë komunë serbe për të shkuar deri në Viti. Edhe në këtë aspekt të pranishmit u pajtuan që është i domosdoshëm parandalimi i aplikimit të këtij projekti antishqiptar.


Duke u ndërlidhur me fjalimet e tyre në këtë debat produktiv, njëri nga figurat kryesore të UÇK-së në Anamoravë, Avdyl Bajrami theksoi se projekti i decentralizimit është projekt ushtarak dhe njëkohësisht shumë i dëmshëm për funksionimin normal të institucioneve të Kosovës.


Afrim Mustafa, nga Vërbani duke shprehur pakënaqësinë lidhur më situatën socio ekonomike në të cilën gjendemi erdhi në përfundim se duhet të punohet në mënyrë që gjërat të ndryshojnë në drejtim pozitiv. Tubimi përfundoi në orën 1 pas mesnate me dakordimin e të gjithëve se pjesëmarrja masive në demonstratën e 9 majit do ta faktorizonte popullin dhe do t’i dërgonte sinjal bashkësisë ndërkombëtare se në Kosovë ka ende njerëz që mbrojnë interesat e popullit.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Viti

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera