Tubim me qytetarë në fshatin Stanishor

27 Apr 2008
U nisëm nga Prishtina. Menjëherë në dalje të saj është fshati Graçanicë, që parashihet të jetë komunë e re sipas planit të Ahtisaarit. Posa të kalohet Graçanica në anën e djathtë të saj, qeveria e Serbisë ka filluar ndërtimin e 70 shtëpive për serbët, të cilët nuk kanë jetuar më parë aty. Kjo po ndodh në fshatin Badoc. Qëllimi i Serbisë është që në terren të sigurojë vazhdimësinë territoriale të komunës së Graçanicës dhe asaj të Artanës. Vazhduam rrugën dhe kaluam nëpër fshatra të cilat do të jenë pjesë e komunës së Artanës. Aty është edhe fshati Llabjan i banuar me shumicë shqiptare. Në hyrje të Gjilanit është Pasjaku, i cili i ka rreth 300 shtëpi të banuara me shqiptarë. Pasjaku është në kuadër të zonës kadastrale të fshatit Koretishtë, andaj sipas Planit të Ahtisaarit, do të jetë në kuadër të komunës së Artanës. Në të djathtë të rrugës ndodhet fshati Ponesh me shumicë serbe, përmes të cilit dëshirojnë të krijojnë lidhjen territoriale me komunën e Parteshit. Në të majtë të rrugës transit në drejtim të Dardanës është edhe fshati Stanishor, që gjithashtu parashihet të përfshihet në komunën e Artanës. Komuna e Artanës tani do të trefishohet territorialisht. Fshati Stanishor ishte destinacioni ynë. Në shkollën fillore “Rexhep Elmazi”, duke filluar nga orën 18:00 ne mbajtëm një tubim me banorët e lagjes së banuar me shqiptarë. Fshati Stanishor ka 24 shtëpi të banuara me shqiptarë dhe mbi njëqind shtëpi të banuara me serbë. Nga oborri i shkollës shihej i gjithë qyteti i Gjilanit. Nga aty e deri në objektin e Kuvendit Komunal të Gjilanit nuk kishte më shumë se dy kilometra, për çka fshatarët treguan se shpesh dei atje shkojnë duke ecur. Ndërsa deri në Artanë duhej kaluar më shumë se 30 kilometra. Stanishori aktualisht i përket komunës së Gjilanit, por Plani i Ahtisaarit do ta zhvendos në komunën e Artanës. Gjilani do të mbetet enklavë shqiptare e rrethuar me komunat me shumicë serbe të Parteshit, Ranillugut dhe Artanës. Këto komuna Gjilanit ia marrin rreth 40% të territorit.


Për qytetarët e pranishëm në tubim ishte e papranueshme që ata të përfshihen në kuadër të komunës së Artanës. Ata theksuan se kjo që po ndodh nuk ka të bëjë fare me decentralizim si afrim i pushtetit më afër qytetarit. Rasti i fshatit tonë, thanë ata, e tregon qartë se nuk afrohen shërbimet më afër qytetarëve, por tentohet që të realizohen qëllimet e Serbisë për copëtimin e Kosovës përbrenda. Hazir Ahmeti i pranishëm në tubim u shpreh simbolikisht “se po ta hedhësh një gur nga këtu do të mund ta godasësh objektin e Kuvendit Komunal”, prandaj si është e mundur që ne të pranojmë që të udhëtojmë më shumë se 30 kilometra për të kryer një shërbim që na duhet?

Aktivistët, Glauk Konjufca e Hysen Durmishi u treguan të pranishmëve mbi angazhimin e Lëvizjës VETËVENDOSJE! për t’i kundërshtuar projektet e dëmshme të Serbisë. Për të mos u realizuar këto projekte duhet organizuar e mobilizuar populli i Kosovës e posaçërisht qytetarët e këtyre zonave që preken drejtpërdrejt nga këto projekte të rrezikshme. Duhet përdorur të gjitha format e mundshme të organizimit paqësor për të mos lejuar zbatimin e decentralizimit. Një hap tjetër drejt realizimit të qëllimeve të saj Serbia po e hedh me përpjekjen për organizimin e zgjedhjeve lokale e parlamentare në Kosovë më 11 maj, prandaj ato duhet kundërshtuar fuqishëm. Nuk mjafton që institucionet e Kosovës të deklarohen se nuk i njohin ato zgjedhje, por ato nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të mbahen në Kosovë. Duhet që të gjithë qytetarët të dalin në demonstratën e 9 majit në mënyrë që të tregojmë që populli shqiptar nuk pranon që Serbia të organizojë zgjedhje në vendin tonë. Vetëm populli i organizuar mirë mund t’i ndal këto të këqija që po i bëhen Kosovës, thanë ata.

Të pranishmit shprehën gatishmërinë e tyre për t’u organizuar së bashku me banorët e Pasjakut dhe fshatrave tjera të banuara me shqiptarë për të kundërshtuar decentralizimin dhe çdo të keqe që i kanoset popullit tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera