Plani i Ahtisaarit nuk i diskriminon vetëm shqiptarët, por edhe pakicat në Kosovë përveç serbëve

27 Apr 2008

Të dielën më 27 prill 2008 duke filluar prej orës 20:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar debat me banorët e fshatit Gadime. Fshati Gadime gjendet në komunën e Lypjanit, rreth 10 km larg prej qytezës. Banorët e këtij fshati jetojnë kryesisht nga bujqësia. Gjendja e rëndë ekonomike nuk e ka kursyer as këtë fshat, prandaj, gjatë qëndrimit tonë atje takuam shumë të rinj që kishin përfunduar fakultetet, e madje magjistraturat, por ishin pa vende pune.


Të mbledhur në shkollën fillore të këtij fshati në një ambient tejet miqësor dhe nën dritën e qirinjëve pasi që nuk kishte energji elektrike, me rreth 100 fshatarë të interesuar biseduan aktivistët Albin Kurti dhe Visar Ymeri.


Tubimin e hapi Arian Agushi, aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Gadimja, njëherit organizator i këtij tubimi. Albini i njoftoi qytetarët me proceset e dëmshme të decentralizimit dhe ‘eksterritorialitetit’, procese këto të cilat që të dyja e dëmtojnë rëndë edhe komunën e Lypjanit. Përderisa decentralizimi ia copëton territorin kësaj komune duke ia dhënë një pjesë të fshatrave komunës së re që do të formohet me Planin e Ahtisaarit, asaj të Graçanicës. Sakatosja e Lypjanit nuk përfundon me kaq – përmes procesit të ‘eksterritorialitetit’ për kishat dhe manastiret ortodokse vetë qyteza e Lypjanit ndahet në dy pjesë duke u shndërruar në Mitrovicën e dytë në Kosovë. Albini foli edhe për dëmin që do t’ia sjellë Kosovës mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë si dhe për rëndësinë e organizimit sa më të mirë për demonstratën e 9 majit kundër kësaj padrejtësie e cila po tolerohet nga institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u.


Ndërkaq, Visar Ymeri u përqendrua në gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të krijuar nga regjimi i UNMIK-ut dhe politikanët e korruptuar vendor, pasojat e së cilës i vuan secili qytetar i Kosovës. Politika e gabuar fiskale e cila i shkatërron prodhuesit vendor, shitja e pronës publike të Kosovës ndërmarrësve të huaj pa i përfillur aspak interesat e qytetarëve ishin disa nga problemet që i përmendi Visari. Kosova ka pasuri të mëdha që janë më se të mjaftueshme jo vetëm për brezin tonë mirëpo regjimi politik dhe politika ekonomike që eksperimenton me vendin tonë po na zhyt në varfëri e papunësi gjithnjë e më të madhe, theksoi Visari.


Më pas filloi një debat i hapur me qytetarët e pranishëm. “Çfarë do të ndodh pas 15 qershorit, a do të shkojë UNMIK-u?”, ishte pyetja e Tahir Ademit, një fshatar rreth të dyzetave. UNMIK-u jo që nuk po shkon, por atij po i shtohet EULEX-i, për shkak të Rezolutës 1244 dhe heshtjes së institucioneve të Kosovës, u përgjigj Albini. Arian Hetemi, jurist nga ky fshat, u interesua për adresimin e problemeve ekonomike, ndërsa aktivisti Visar Ymeri i njoftoi të gjithë të pranishmit se në lidhje me këtë çështje BSPK-ja më 1 maj do të organizojë protesta dhe i ftoi qytetarët të marrin pjesë edhe në atë protestë.


Mursel Verpicolli, diku afër 24 vjeçar nga Gadimja, kërkoi nga aktivistët e Lëvizjes ta vixitojnë më shpesh vendbanimin e tyre, dhe fshatrat tjera gjithandej nëpër Kosovë. Ai deklaroi se në tubim kishte dëgjuar shumë gjëra që nuk i kishte ditur më parë – procese këto politike të cilat po e dëmtojnë Kosovën. Sipas Murselit qytetarët e Kosovës duhet ta dijnë të vërtetën për këto rreziqe që i kanosen Kosovës.


Në tubim ishin edhe disa askalinj të këtij fshati të cilët në Gadime gjithmonë kanë jetuar bashkë me shqiptarët. Sadat Dibrani, banor ashkali i Gadimes e pyeti Albinin pse Plani i Ahtisaarit iu dedikohet vetëm serbëve. Albini u përgjigj se Plani i Ahtisaarit i privilegjon serbët jo vetëm në raport me shqiptarët por edhe me pakicat e tjera në Kosovë. Për këtë Albini fajësoi ish Grupin Negociator të Kosovës por edhe përfaqësuesit politik të ashkalinjëve: që të gjithë kanë pasur për motiv karrierat personale e jo interesat e përgjithshme, tha Albini.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera