Decentralizimi si projekt ushtarak i Serbisë

21 Apr 2008

Mogilla është një fshat me 153 shtëpi të banuara me shqiptarë dhe 62 shtëpi të banuara me serbë. Me Planin e Ahtisaarit parashihet që ky fshat të jetë në kuadër të komunës së re të Kllokot-Vërbocit. Qytetarët e Mogillës por edhe të gjithë qytezës së Vitisë që në shtator të vitit 2006 e kundërshtuan fuqishëm procesin e decentralizimit. Lëvizja VETËVENDOSJE! së bashku me degët e të gjitha partive politike, si dhe me organizata e shoqata të kësaj komune, përmes organizimit të një demonstrate e kundërshtuan këtë formë të decentralizimit që po i inponohej popullit të Kosovës. Për ta bërë edhe më të fuqishëm këtë kundërshtim, Asambleja Komunale e Vitisë pat dalur me një vendim që e kundërshtonte decentralizimin në përgjithësi por me theks të veçantë në komunën e Vitisë. Në kundërshtim të decentralizimit u nënshkrua edhe një peticion nga mijëra qytetarë të Vitisë. Të gjitha këto kundërshtime nuk u morën parasysh nga institucionet qendrore dhe Grupi i Unitetit: në Planin e Ahtisaarit parashihet që të formohet komuna e Kllokot-Vërbocit duke e ndarë përmes komunën e Vitisë.


Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të hënën më 21 prill 2008 vizituan fshatin Mogillë për të diskutuar me ta rëndësinë e organizimit të fshatit në kundërshtimin e përfshirjes së tyre në komunën e Kllokot-Vërbocit. Para të pranishmëve folën aktivistët Albin Kurti, Hysen Durmishi dhe Salih Zyba. Albini duke treguar se plani i decentralizimit që e ka zanafillën në Beograd u pranua nga Institucionet e Kosovës, tha se ai mund të pengohet vetëm me organizimin e qytetarëve sidomos të fshatrave që preken direkt nga ky projekt. Organizimi dhe mobilizimi në kundërshtim të projekteve negative japin rezultate, tha Albini. Për të ilustruar këtë ai mori shembullin e Cernicës dhe Hajvalisë të cilat tani nuk janë në kuadër të planit të decentralizimit pikërisht si rezultat i kundërshtimit të fuqishëm të këtij projekti nga fshatarët dhe prijësit e tyre atje. Hyseni e Salihu u përqëndruan në rëndësinë strategjike të fshatit Mogillë. Mogilla e ndan përmes komunën e re të Kllokot-Vërbocit. Nëse mogillasit nuk pranojnë që të hyjnë në këtë komunë atëherë realisht edhe nuk do të mund të krijohej ajo sepse bëhet shkëputja territoriale e fshatrave të banuara me serbë.


Në debatin që u organizua kontribuan mjeku Feti Hetemi, kryetari i shoqatave të daluara nga lufta e UÇK-së, Hajriz Jakupi, anëtari i asamblesë komunale të Vitisë, Halim Halili, dhe shumë banorë të fshatit Mogillë. Të pranishmit shprehen shqetësimin e tyre se edhe në aspektin ekonomik humb shumë komuna e Vitisë sepse shumica e kapaciteteve ekonomike ndodhen pikërisht në këto fshatra që hyjnë në komunën e Kllokot-Vërbocit. Në aspektin praktik nuk ofrohen shërbimet më afër qytetarëve por përkundrazi, p.sh. banorët e fshatit Skifteraj duhet të kalojnë nëpër një komunë tjetër për të shkuar në qendrën e komunës së tyre në qytezën e Vitisë. Duke e parë se këto komuna do të jenë jofunksionale atëherë konkludim ishte se në fakt decentralizimi në Kosovë nuk është projekt politik por projekt ushtarak i Serbisë. Ky projekt përbën platformën e strukturave të Serbisë për sulmin e ardhshëm ushtarak në Anamoravë.


Që të gjithë të pranishmit në këtë tubim ishin dakord se duhet të vazhdohet në ditët e ardhshme të mobilizohet fshati për ta kundërshtuar decentralizimin. Ata ishin të pajtimit që të bëhet trysni edhe në Asamblenë e Komunës së Vitisë në mënyrë që ajo të mos e jap aprovimin për krijimin e komunës së Kllokot-Vërbocit. Vetëm nëse jemi bashkë dhe të organizuar mund ta ndalojmë këtë të keqe që po i përgatitet Mogillës dhe popullit të Kosovës në përgjithësi.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera