Decentralizimi që rikujton ‘Reformat Agrare’

20 Apr 2008

Të mbledhur në shtëpinë e Selatin Vehapit, qytetarë të fshatit Suhadoll të Lypjanit diskutonin rreth problemeve të tyre jo shumë të ndryshme nga ato të shumicës së popullit të Kosovës. Në dhomën e madhe ku qëndronte ulur aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti duke biseduar me ta rreth këtyre problemeve e posaçërisht rreth decentralizimit, para pak muajsh kishin qëndruar politikanë të ndryshëm të cilët u kishin premtuar këtyre qytetarëve që jeta e tyre do të përmirësohej e njëkohësisht kishin tentuar që t’i bindin ata për ta pranuar për komunë të tyre komunën e Graçanicës, siç edhe parashihet në Planin e Ahtisaarit, në ‘domosdosinë’ e realizimit të së cilës thirreshin politikanët lokal që e vizitonin këtë fshat para zgjedhjeve. Mirëpo, kësaj radhe në dhomën e pritjes së Selatin Vehapit, nuk premtohej por bëhej thirrje për organizim.


Si për t’ua kujtuar këtyre qytetarëve mosmbajtjen e premtimeve nga ana e politikanëve të Kosovës, gjysmë ore pas fillimit të këtij tubimi, dhoma mbeti në terr – si rezultat i ndërprerjes së energjisë elektrike.


Selatin Vehapi, i zoti i shtëpisë në të cilën mbahej tubimi – një burrë i moshuar që aq mirë i përshkruante hallet e këtij populli, nën dritën e qirinjve, e hapi diskutimin duke treguar për historinë e fshatit Suhadoll – bazuar në kujtesën e tij dhe në tregimet e paraardhësve. “Në emër të Reformave Agrare, Serbia na i ka marrë tokat në këtë katund. Këtu kanë sjellë kolonë serb të cilët sot e asaj dite jetojnë në tokat që dikur ishin tonat”, shprehej ai, plot mllef.


Më e rëndësishmja që duhet të theksohet këtu nuk ishte tregimi për të kaluarën, por ajo që Selatinin e shtyu të flas për të; ajo që ia kujtoi, pikërisht sot, “Reformën Agrare”, kohën e Rankoviqit, kolonizimin e Kosovës...


“Si është e mundur që sot, në emër të decentralizimit, fshatin tonë ta lidhin me komunën e Graçanicës ku ne do të mbeteshim pakicë. Është e pakuptueshme që në emër të afrimit të pushtetit sa më afër qytetarit, të na e bëjnë komunën 30 km larg fshatit tonë, përderisa komunën e Lypjanit e kemi “në derë të shtëpisë, vetëm 2 kilometra larg”, vazhdoi Selatini. “Si do të mund të jetonim ne si pjesë e një komune që do të kontrollohet direkt nga Beogradi? Nuk e di a janë të vetëdijshëm ata politikanët e Kosovës se çdo projekt që tentohet të realizohet pa “PO-në” e këtij populli, është i dënuar që të dështojë”.


Sipas Planit të Ahtisaarit, fshati Suhadoll – me rreth 50 shtëpi shqiptare ndërsa 100 serbe – është njëri nga fshatrat e komunës së Lypjanit që padrejtësisht do t’i bashkëngjiten komunës së Graçanicës. Kjo i ka irituar aq shumë qytetarët e Suhadollit të cilët vendosmërinë e tyre që fshati të mbetej edhe më tutje pjesë e komunës së Lypjanit e shprehën disa ditë më parë publikisht duke deklaruar se “për t’u bashkuar po bashkohemi me Kukësin e jo me Graçanicën!”.


Kjo ishte edhe arsyeja pse Lëvizja VETËVENDOSJE! u takua të dielen mbrëma, më 20 prill, me qytetarët shqiptarë të këtij fshati. Duke i marrë shembull fshatarët e Cernicës që me anë të organizimit dhe gatishmërisë për rezistencë e kishin shpëtuar fshatin nga përfshirja në komunën e Parteshit (siç parashihej në planet e para të decentralizimit), Albin Kurti u foli të pranishmëve për rëndësinë e organizimit të tyre përballë këtij projekti tepër të rrezikshëm për popullin e Kosovës. “Nëse institucionet komunale, nuk i mbrojnë interesat e Komunës suaj dhe fshatit tuaj, ajo që ju mbetet juve është që të organizoheni dhe t’i bëni presion atyre”.


Skeptikë se problemin e tyre do ta zgjedhin Institucionet lokale apo ato qendrore, pa trysninë nga ana e fshatarëve, Suhadollasit vendosën që ta bëjnë këtë trysni; duke qëndruar të bashkuar dhe të vendosur për mbrojtjen e interesave të tyre. “Ne do të provojmë t’i bindim me peticione e me kërkesa por dimë edhe të protestojmë dhe të bllokojmë rrugë, nëse UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës nuk ndalen së realizuari projekte të tilla në dëm të popullit shqiptarë që përbën më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës, ndërsa në interes të pakicës serbe të dirigjuar nga Beogradi që përbën më pak se 10 % të kësaj popullsie”, u shpreh njëri nga të pranishmit.


Institucionet e Kosovës, në negociatat e Vjenës e më herët, e pranuan decentralizimin, anipse ky projekt ishte propozuar nga Beogradi me qëllim për krijimin e një entiteti autonom serb, brenda territorit të Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! e vetëdijshme për qullësinë e politikanëve tanë dhe gatishmërinë e tyre për kompromise të njëpasnjëshme, vendosi që ta organizojë popullin e Kosovës kundër këtij projekti si dhe kundër të gjitha projekteve të tjera anti-shqiptare. Tubimi i së dielës ishte njëri nga aktivitetet që Lëvizja po i zhvillon gjithandej Kosovës në përpjekje që Plani i Ahtisaarit të bëhet i parealizueshëm në territorin e Kosovës; në përpjekje që decentralizimi mbi baza etnike, si rikthim i “Reformave Agrare” të mos implementohet kurrë në territorin e Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera