Debelldehasit nuk e japin tokën e Kosovës

02 Apr 2008

Fshati Debelldeh ndodhet në Malësinë e Karadakut, në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ka pozitë jashtëzakonisht të rëndësishme gjeostrategjike sepse ndodhet në lartësi mbidetare prej rreth 1500 m. Fshati i ka rreth 35 shtëpi me përafërsisht 500 banorë. Ky fshat tashmë është bërë i njohur sepse tokat e tyre iu dhanë Maqedonisë, pa u pyetur ata fare. Në vitin 2001 Serbia bëri një marrëveshje me Maqedoninë, e cila ia dhuronte Maqedonisë 2500 hektarë të Kosovës. Nga këto 2500 ha, 429 ha janë prona private të banorëve të fshatit Debelldeh. Atëbotë debelldehasit e kundërshtuan fuqishëm këtë marrëveshje. E kundërshtoi edhe Kuvendi i Kosovës me një rezolutë, jetëzgjatja e së cilës ishte gjysëm ore, pasi që shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Michael Steiner, e shfuqizoi atë po të njëjtën ditë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e njohu vlefshmërinë e marrëveshjes Serbi-Maqedoni për tokën e Kosovës. Çështja është aktualizuar përsëri. Plani i Ahtisaarit, që po ashtu e njohu marrëveshjen, i obligon institucionet e Kosovës që ta formojnë komisionin për demarkacion, komision ky që, së bashku me shtetin e Maqedonisë, duhet ta vizatojnë në terren vijën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë konform marrëveshjes që Serbia e kishte arritur me Maqedoninë.


Të mërkurën me 2 prill, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizituan fshatin Debelldeh, ku e mbajtën një tubim me qytetarët e këtij fshati. Tubimi u mbajt në shkollën e fshatit ˝Ndre Mjeda˝ në të cilën nuk kishte rrymë. Shkolla ishte shkyqur nga rrjeti elektrik qysh moti. Nga banorët e fshatit mësuam se që nga fillimi i këtij viti akademik më nuk qarkullon as kombibusi i cili i transportonte nxënësit deri në Viti. Si pasojë e kësaj, 13 nxënës u detyruan që ta ndërpresin shkollimin. Banorëve u është vështirësuar jeta edhe më shumë që nga fundi i vitit të kaluar pasi që tani nuk punon më as ambulanca e fshatit dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore, atyre u duhet të udhëtojnë deri në Viti. Mjerimi social dhe ekonomik në Debelldeh është presion politik kundër popullatës së atjeshme për ta detyruar atë të shpërngulet.


Duke iu drejtuar të pranishmëve, Albin Kurti tha se popullit të Kosovës iu mat pulsi pikërisht në Debelldeh për të vazhduar më pastaj me projektet tjera si decentralizimi dhe krijimi i komuave të reja me shumicë serbe, “eksterritorialiteti” për kishat dhe manastiret ortodokse, etj. Tash ky puls po matet edhe njëherë pikërisht në Debelldeh për të parë se a do të munden t’i realizojnë në terren projektet e lartëpërmendura. Nëse ua ndryshojnë banorëve aty mendjen dhe i marrin këto 2500 ha, atëherë shumë lehtë do të vazhdojnë edhe me projektet tjera për copëtimin e territorit të Kosovës. “Porosia ime është,” tha Albini, “që ju të jeni bashkë dhe shumë unik në qëndrimet tuaja. Të mos pranoni me asnjë çmim që të nënshkruani apo të aprovoni që kjo tokë t’i jepet Maqedonisë. Edhe nëse e marrin me forcë, me rëndësi është që ju të mos e pranoni sot dhe në këtë mënyrë t’ua lëmë derën hapur gjeneratave të ardhshme që ta rikthejnë tokën e Kosovës, nëse ne nuk mund ta mbrojmë sot.” Duke e ditur se si u shkelen të drejtat shqiptarëve në Maqedoni, shqiptarët nuk do të duhej të pranonin kushte nga Maqedonia për njohje, por pikërisht Shqipëria e Kosova nuk do të duhej ta njohin Maqedoninë, përfundoi Albini.


Kryetari i fshatit, Zymri Ilazi, duke u inkuadruar në debat, tha se me gjithë presionet e mëdha që i kanë, banorët e Debelldehit janë unik dhe nuk do të lëshojnë pe. Ai u garantoi të pranishmëve se pëlqimin e parisë së fshatit për këtë çështje nuk do e marrin kurrë.


Përfaqësuesi i këshillit të fshatit, Hamdi Ilazi, tha se u është ofruar kompenzim në tokë, ari për ari, në kohën e Qeverisë Çeku. Qeveria e Maqedonisë, po ashtu, u ka ofruar nga 1500 euro për ari tokë dhe debelldehasit nuk e kanë shitur tokën. “Ne,” tha ai, “kërkojmë dëmshpërblim pasi që tokën tonë nuk e kemi shfrytëzuar që nga viti 2001.”


Salih Abdullahu, këshilltar i asamblesë komunale të Vitisë, e vlerësoi ilegale marrëveshjen mes Beogradit dhe Shkupit, ashtu siç e konsideron ilegal komisionin e caktuar nga Qeveria e Kosovës. “Për këtë arsye ne edhe nuk e njohim as këtë komision dhe nuk do të lejojmë që të na merret toka jonë sepse është tokë e Kosovës”, deklaroi Salihu. Ai bëri thirrje për ndihmë dhe përkrahje nga populli i Kosovës.


Plaku Jonuz Haziri shprehu pakënaqësinë me institucionet nga të dyja anët e kufirit të cilët po tentojnë t’i joshin banorët e Debelldehut me përfitime personale, duke deklaruar publikisht se nuk do t’i shesin, e aq më pak falin, pronat e tyre, dhe se nuk e lëshojnë tokën tonë sa të jenë të gjallë. Një tjetër pjesëmarrës deklaroi se “nuk mundet as Thaçi e as Ahtisaari të bëjnë pazare me tokën tonë. Kjo tokë është përplot me xehe prandaj edhe po duan të na e marrin. Ne nuk po e mbrojmë vetëm pronën private por po e mbrojmë tokën e Kosovës, sepse me ofertat që na janë ofruar, ne do të bëheshim të pasur. Edhe pse jemi përgjithësisht të varfër ne nuk pranuam dhe nuk do ta pranojmë kurrë një gjë të tillë.” Ai tha se fshatarët janë të vendosur t’i mbrojnë tokat e Kosovës edhe nëse Maqedonia nuk e njeh Kosovën kurrë. Pjesëmarrësit porositën Qeverinë e Kosovës që të mos shkojnë në fshat për të vendosur gurë kufiri sepse nuk janë të mirëseardhur.


Aktivisti Hysen Durmishi u premtoi debelldehasve të mbledhur se nëse janë të vendosur në kërkesat e tyre, atëherë do ta kanë përkrahjen e pakursyer të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. “Ne do të jemi me ju për t’u organizuar dhe mobilizuar së bashku kundër kësaj padrejtësie që po i bëhet Kosovës”, përfundoi Hyseni.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera