Tubimi në Rogovë të Hasit

21 Mar 2008

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubim me banorët e fshatit Rogovë, fshat ky si qendër e rajonit të Hasit. Hasi gjithsej numëron rreth 35 fshatra me diku rreth 80 mijë banorë.


Në tubimin i cili u mbajt në lokalet e shkollës morën pjesë njerëz të moshave të ndryshme, nga nxënësit, profesorët e deri tek të moshuarit. Për rrjedhat politike në Kosovë, për të pranishmit foli aktivisti Albin Kurti i cili shpalosi dëmet që sjell zbatimi i Planit të Ahtissarit, me theks të veçantë te decentralizimi, ‘eksterritorialiteti’, shuarja e TMK-së, misioni i ri në Kosovë ICO/EULEX, shumica e dyfishtë që do ta bllokojë Kuvendin e Kosovës dhe shkombëtarizimi që po na bëhet në emër të simboleve të reja shtetërore.


Sami Shala, banor i Rogovës, i shqetësuar nga gjendja aktuale politike pyeti nëse ka ndonjë mënyrë apo rrugë për t’i ndaluar këto procese të dëmshme qoftë nga klasa politike apo nga ana e popullit sepse ‘eksterritorialiteti’ po e copëton kryesisht dhe qëllimisht qytetin e Lidhjes së Shqiptarëve – Prizrenin. Albini shpjegoi se Plani i Ahtissarit doli nga negociatat në Vjenë që zhvilluan liderët politik të Kosovës me Serbinë dhe po këta po i miratojnë në Kuvend ligjet e dalura nga ky Plan. E gjithë ajo që duhet të bëjmë është oraganizimi dhe rezistenca e popullit.


Se elita politike po i përmbush ambiciet e veta personale dhe po anashkalon kërkesat jetike të popullit dëshmi ishte edhe zhurma e gjeneratorit që u sigurua për ta mundësuar mbajtjen e këtij debati meqë kishte tri ditë që Rogova ishte në terr. Gjendja shumë e rëndë e furnizimit me energji elektrike ishte ankesë kolektive e të pranishmëve në tubim.


Urim Hoti, nxënës i shkollës së mesme, kritikoi ashpër sistemin shkollor dhe mosangazhimin e akademisë dhe udhëheqësve të vendit për hartimin e librave adekuat dhe të mirëfilltë shkollor. Urimi gjithashtu shprehu indinjimin e tij për flamurin e ri i cili po na humb identitetin. Ai tha se kjo është shqetësuese sidomos për gjeneratat e reja.


Arsimi është fusha më e mjerueshme e Kosovës si për nga sistemi ashtu edhe për nga investimet që bëhen në të apo thënë më drejt nuk bëhen fare. Prandaj edhe Safet Gashi, profesor i kimisë, banor i Rogovës, me shumë të drejtë vlerësoi se Kosova ka vetëm kuadro administrativ por jo edhe ekspertë. Inteligjenca po na ikën sepse nuk po investojmë në të, se nuk po na lejojnë pushimet e shtrenjta të pushtetarëve dhe luksi i tyre, theksoi prof. Safeti.


Tubimi u përmbyll në pajtim të një unifikimi kundër këtyre proceseve të liga politike, në emër të historisë dhe të ardhmes së Kosovës e të popullit të saj.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prizren

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera