Të organizohemi kundër decentralizimit

20 Mar 2008

Fshati Brus është një fshat kodrinoro-malor i cili i takon komunës së Lypjanit. Banorët e këtij fshati kryesisht merren me blegtori dhe me shitjen e thëngjillit të cilin e prodhojnë vet. Nxënësit e fshatit duhet që të kalojnë me kilometra të tërë në këmbë deri në magjistralen Prishtinë – Gjilan për të vazhduar më tutje në shkollat e tyre në Prishtinë apo Gjilan. Pozita gjeografike e fshatit është e një rëndësie të veçantë sepse ndodhet në mes të komunës së Graçanicës dhe zgjerimit të Artanës të cilat parashihen në Pakon e Ahtisaarit. Fshati Brus e pengon vazhdimësinë territoriale të këtyre komunave.


Duke e ditur këtë, Lëvizja VETËVENDOSJE! më 19 mars 2008, organizoi një tubim me qytetarë në fshatin Brus. Tubimi u mbajt në odën e ish ushtarit të UÇK – së Enver Gashi. Para të pranishmëve folën aktivistët Albin Kurti dhe Hysen Durmishi.


Albini pasi që e bëri një analizë të situatës politike, u përqendrua kryesisht në dëmet që do të na sjell zbatimi i Planit të Ahtisaarit me theks të veçantë në procesin e decentralizimit. Serbia dëshiron që komunat me shumicë serbe të lidhen ndërmjet vete territorialisht. Ranillugu është lidhur me Serbinë dhe njëkohësisht lidhet me komunën e Artanës, përderisa Serbia synon ta shtrijë këtë enklavë deri në Graçanicë. Fshatrat shqiptare që ndodhen në këto zona nuk duhet të pranojnë të hyjnë në këto komuna. Ata duhet të organizohen dhe ta kundërshtojnë një gjë të tillë. Për ta bërë këtë duhet që të organizohen edhe fshatrat e tjera që ndodhen afër tyre.


Hyseni u përqendrua kryesisht në rëndësinë e organizimit të fshatit Llabjan si dhe qytezës së Artanës për ta kundërshtuar zgjerimin e kësaj komune.


Plaku Isë Gashi duke treguar për tmerret që u kishte shkaktuar Serbia në ato anë tha se ne duhet që gjithmonë të jemi të përgatitur sepse Serbisë nuk i zihet besë. Ai kishte shumë vërejtje për udhëheqësit politik e institucional. Plaku tha se nëse në një vend ku ka molla të mira i vendos edhe disa të kalbura atëherë shumë shpejt do të kalben edhe të mirat e kurrsesi anasjelltas.


Në debat u angazhuan edhe imami Nazim Gashi mandej Sokol Gashi etj. Ata kryesisht ishin të zhgënjyer me udhëheqësit politik të cilët duke qenë të shantazhuar e rrjedhimisht edhe të kontrolluar po marrin vendime në kundërshtim me vullnetin e popullit. Pyetja e tyre ishte se pse po nguten t’i miratojnë ligjet që dalin nga Plani i Ahtisaarit pasi që këtë plan nuk po e pranon Serbia. Përgjegja e Albinit ishte se po duan që ta shfrytëzojnë ngazëllimin e njerëzve pas shpalljes së pavarësisë dhe të miratojnë sa më shumë ligje të dëmshme në mënyrë që qytetarët të mos reagojnë.


Gjatë këtij debati të pranishmit ishin shumë të shqetësuar për tendencën e shkombëtarizimit të shqiptarëve. Kjo tendencë është shumë e rrezikshme sepse serbët po bëhen gjithnjë e më serb kurse shqiptarët po tentojnë t’i kosovarizohen.


Në fund të gjithë ishin të mendimit se duhet të punojmë shumë në terren për të mos lejuar realizimin e decentralizimit dhe projekteve tjera të dëmshme për popullin tonë.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lypjan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera