Tubim me fshatarë, 500 metra larg kufirit Kosovë-Serbi

12 Mar 2008

Sot, me datë 12 mars 2008, në fshatin Dumnicë, me iniciativën e vet fshatarëve, në odën e Gazmend Ismailit, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Xhelal Sveçla e Abdullah Lala u takuan me fshatarët e Dumnicës dhe me mysafirë të tyre nga Kaçaniku e rrethina e tij. Bashkë me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s ishte edhe publicisti dhe studiuesi i njohur amerikan, Stephen Shwartz.


Në një atmosferë vërtetë miqësore për disa orë së bashku shtjelluam si gjendjen e tanishme politike dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, po ashtu edhe nevojën për angazhime të shtuara si dhe punën e të arriturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nga të gjithë pjesëmarrësit u kritikua pranimi i Planit të Ahtisaarit nga ana e institucioneve që kinse përfaqësojnë popullin e Kosovës, si një Plan i mbushur me sëmundje nga të cilat Kosova do të lëngojë për një kohë të gjatë.


Meqenëse fshati Dumnicë është në kufi me Serbinë njëra ndër çështjet që më së shumti i brengoste fshatarët ishte siguria. Duke marrur parasysh përvojat e tyre të hidhura me Serbinë përgjatë historisë, mungesa e ushtrisë së vërtetë që do të ishte në gjendje që në mënyrë adekuate dhe me kohë të mbrojë jetërat dhe pasurinë e banorëve të Kosovës ishte një ndër shqetësimet por edhe kërkesat e tyre.


Po ashtu u diskutua për njërën nga çështjet më të dhimbshme për popullin tonë: tendenca për shkombëtarizim që po i bëhet shqiptarëve përmes draft-kushtetutës që kinse është në debat me qytetarë, ndërrimit të flamurit e himnit, degradimi i luftës çlirimtare dhe mospërmendja e UÇK-së dhe as e gjithë atyre sakrificave e aspiratave të këtij populli. Secila më shumë se tjetra i kishin irituar tejmase fshatarët.


Gjatë fjalës së tij por edhe gjatë përgjigjeve në pyetjet e shumta, Albini potencoi nevojën e organizimit të pakënaqësive si politike gjithashtu edhe socio-ekonomike në mënyrë që t’iu pritet hovi si dashakeqësve të popullit tonë ashtu edhe profiterëve politik e ekonomik të cilët për shkak të shkurtpamësisë e lakmisë së tyre po e rrezikojnë fatin e tërë popullit.


Xhelali njoftoi pjesëmarrësit për punën e përditshme që Lëvizja VETËVENDOSJE! bën anekënd Kosovës drejt sensibilizimit dhe vetëdijësimit të popullit si dhe për goditjet e këtij sistemi ndaj Lëvizjes posaçërisht pas demonstratave të 10 shkurtit ku u vranë dy protestues paqësor.


Këtë takim e përshëndeti edhe publicisti Stephen Shwartz i cili vlerësoi lartë rezistencën e popullit tonë nëpër etapa të ndryshme historike por edhe rëndësinë e takimeve e tubimeve të drejtpërdrejta.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Besianë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera