Me studentët kundër Pakos

27 Feb 2008

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot u takua me studentët e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Albin Kurti e Glauk Konjufca zbërthyen para të pranishmëve atë që aktualisht po i ndodh Kosovës: procesin e kontrabandimit të Pakos së Ahtisaarit në emër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! përgjatë gjithë kohës ka paraqitur katër elementet e pazëvendësueshme të pavarësisë e sovranitetit: ushtria, ulësja në OKB, integriteti dhe tërësia (de facto) e vendit, si dhe populli i Kosovës si sovran përfundimtar i atdheut. Pakoja e Ahtisaarit na i mohon të trija këto elemente themelore të shtetësisë, tha Glauku. Ushtrinë nuk po na e lejojnë, TMK-në po na e shpërbëjnë, kurse FSK-ja me armatim të lehtë, vetëm e 2500 pjesëtarë e me kompetenca për “mbrojtje civile”, i mohohet mbrojtja ushtarake. Ulëse në OKB nuk do të kemi për shkak të Serbisë dhe Rezolutës 1244. Integriteti dhe tërësia territoriale e Kosovës cenohet nga strukturat paralele serbe kurse ky gjymtim legalizohet nëpërmjet Pakos së Ahtisarit. Kurse popullit të Kosovës po i mohohet fundamentalisht vetëvendosja e brendshme, e kjo do të thotë që sovran në Kosovë nuk do të jetë populli i saj, por misioni i ardhshëm ndërkombëtar i BE-së (EULEX), që do ta qeveris vendin tonë mbi Pakon e Ahtisaarit.


Albini tha që e gjithë festa e sponsoruar nga institucionet e Kosovës për shpalljen e pavarësisë është bërë me qëllim të fshehjes së zhvillimeve de facto në terren nën petkun e procesit simbolik të njohjes ndërkombëtare të kësaj shpalljeje. E gjithë vëmendja është vënë mbi festën, që të mos vihet mbi përforcimin e ndarjes së Kosovës. Është madhëruar festimi në mënyrë që të fshihet kalimi i shpejtë dhe pa procedurë i Pakos së Ahtisaarit në Parlamentin e Kosovës, ndërrimi i flamurit tonë, miratimi i ligjeve të decentralizimit të Kosovës dhe ligji për zonat e veçanta të mbrojtjes rreth objekteve ortodokse, të cilat Pakoja e quan “serbe”. Procesi në të cilin ndodhet aktualisht Kosova, iu tha Albini studentëve, është ai i rrudhjes së kufijve institucional dhe faktik të Kosovës. Pas largimit të EULEX-it nga veriu i Kosovës, festa e pavarësisë po shfrytëzohet për institucionalizimin ndërkombëtar dhe vendor të ndarjes së Kosovës. Kjo nuk duhet të tolerohet kurrsesi, prandaj Pakoja e Ahtisaarit duhet të ndalohet, aq më tepër që ajo gjatë tërë kohës u paraqit si çmim të cilin duhet ta paguanim për Rusinë e Serbinë, kurse tash po na e imponojnë pa e pranuar as Serbia as Rusia!


Studentët e filologjikut u pajtuan me konceptin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ata shprehën shqetësim të thellë për të ardhmen e Kosovës, e cila seriozisht po minohet nëpërmjet ndarjes etnike nga decentralizimi, tjetërsimit kulturor nëpërmjet eksterritorialitetit dhe antidemokracisë që i sjell ky plan Kosovës përmes EULEX-it. Shumë prej studentëve u regjistruan si aktivistë të VETËVENDOSJE!-s.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera